Lumo Skëndo për Sulin dhe suljotët
Vite më parë, në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, pata fatin të shfletoja revistën “Diturija”, themelues i së cilës është Mit’hat Frashëri.
Ditë dhe javë të tëra u njoha me një nga botimet shqiptare më serioze të kulturuarat shqiptare të gati një shekulli. E megjithatë, ndonëse kam lexuar dhe rilexuar edhe librat “Udhëtarët e huaj në Shqipëri” (gjer në fund të shek XIX) të Lumo Skëndos apo “Mit’hat Frashëri. Ministër Fuqiplotë Athinë (1923- 1926), përgatitur falë punës pasionante të Prof Dr Luan Malltezi dhe Sherif Delvina, mendoj se akoma lexuesi shqiptar nuk ka të plotë veprën e Mit’hat Frashërit.
Dhe jo vetëm të tij, por edhe të disa personaliteteve të tjera , që u anatemuan për gati 50 vite të diktaturës komuniste. Brezi im u rrit dhe u shkollua me këtë frymë mohimi apo vlerësimi dhe gjykimi të skajshëm ideologjik të shumë syresh. Nga ana tjetër unë kam edhe një ndjeshmëri apo detyrim ndaj personalitetit të Mit’hat Frashëri, që lidhet me Çamërinë, rrënjët e të parëve të mi. Çamëria, me historinë, kulturën, trashëgiminë,por edhe me dramën e saj, është pjesë e veprimtarisë krijuese shkencore dhe diplomatike të tij.
Krahina e të parëve të mi është njëkohësisht një nga brengat e mëdha të Mid’hat Frashërit. Bindesh për këtë po të lexosh librin “Mid’hat Frashëri, Ministër Fuqiplotë Athinë (1923- 1926). E them me bindje, se që nga momenti që ai shkeli në tokën greke me detyrën e re (28 shkurt 1923) e deri sa dha dorëheqjen në muajt e parë të vitit 1926, në mbrojtjen e çështjes çame dhe përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka bërë atë që nuk e kanë bërë të gjithë ambasadorët shqiptarë që nga viti 1926 e deri më sot.
Kjo sepse ai kishte një epërsi që nuk e kanë patur pasardhësit e tij: kulturën e gjerë, njohjen e shkëlqyer të historisë dhe kulturës së madhe të Greqisë, si dhe kurajon për të thënë të vërtetat dhe demaskuar synimet e politikës shovene të shtetit grek.
Çamëria, popullsia e saj martire e të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes, i janë dhe do t’i jenë mirënjohës Mit’hat Frashërit. Të gjitha këto mendime dhe vlerësime modeste për veprimtarinë e Mit’hat Frashërit, më erdhën ndërmend këto ditë, kur rilexova një nga rrëfimet më të bukura e të ndjera, por edhe aktuale të tij, “Suljotët”.
Rrëfimi në fjalë (unë do ta quaj reportazh të shkurtër, ndoshta skicë, siç e përcakton Prof Dr Emil Lafe), është përfshirë në librin e Lumo Skëndos (pseudonimi i Mit’hat Frashërit) “Hi dhe Shpuzë”, botuar në vitin 1915, në shtypshkronjën “”Mbrodhësia “” të Kristo Luarasit në Sofje. Vepra është botuar në vitin 1995 me të njëjtën emër dhe përgatitur, nga prof Nasho Jorgaqi.
Skica “Suljotët”, sipas shënimit të vënë në fund të saj, është shkruar më 30 qershor 1912 , në Zafranboll. Sipas të dhënave që jep autori, që në fillim të skicës, Zafranbolli është një qytet në Anadoll, i humbur në një gropë “dhe plot konopë tani në verë”. Me penelata të shpejta, frazë të saktë dhe lakonizëm të admirueshëm (duket se është shkruar me një frymë), autori shpalos një dramë të tërë: zhbërjen e një prej viseve më epike të Shqipërisë dhe banorëve të saj: Sulit dhe suljotëve.
Nuk kemi përshkrim të betejave apo heroizmit të suljotëve, as të vrarë. As të plagosur. As vaje apo kuje të nënave suljote. E megjithatë lexuesi ndjen në thellësi, si gjëmime të largëta bubullimash apo dallgë detrash, ulërima.
Qindra kilometra larg Sulit, në Anadollin e largët, shfaqet befas trupi dhe shpirti i plagosur në zhbërje i Sulit: vajzat e vogla të shkollës greke të qytetit Zafranboll këndojnë e kërcejnë vallen e famshme të Zallongut, jo në gjuhën shqipe, jo në dialektin çam të suljotëve, por në gjuhën greke. Autori befasohet, pastaj …“ zemra ime përnjëherë më ngushtohet dhe mejtime të hidhura më sulen në mendje”. Lumo Skëndo hesht vetëm një çast, për të rikujtuar vizitën e tij në Sul në vitin 1909, ku “ një helm i madh më pritte: atje pashë një të keqe, një mëkat që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku, jo shqiptarëria, por edhe shqipja ka zënë të harrohet”.
Rrëfenja, ose më saktë skica “ Suljotët” që botojmë dhe që njihet pak ose aspak nga lexuesi shqiptar të vë në mendime dhe të trondit me të vërtetat që kumton.
… Njëqint vite pas rrugëtimit të Mit’hat Frashërit në viset mitike të Sulit, pata fatin të rrugëtoj edhe unë atje. Nuk do ta harroj kurrë këtë rrugëtim nga më emocionuesit, por edhe nga më të dhimbshmit që kam bërë. Atje heroizmi i dikurshëm, qëndresa, këngët, vallet, kishin formën e gurit. Edhe zërat njerëzor dukej sikur kishin ngrirë. Braktisja këtu ishte uluritëse. Shtëpi të braktisura gjysmë të rrënuara ose të rrënuara. Puse. Muret e një kështjelle në bregun përballë Sulit dhe hone të frikshme. Dhe ndërsa vështroja këtë peizash si në fillimbote, befas më erdhi ndërmend kujtesa popullore çame për Sulin, këngët për suljoten e bukur, vallja e Zallongut, kënga për Marko Boçarin ose Marko Çamërinë, siç thuhet në këngët çame. … M’u kujtua edhe skica “Suljotët” e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) dhe m’u bë sikur dëgjova zërin e tij: “ …. Atje pashë një të keqe, një mëkatë që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku jo shqiptaria, po edhe shqipja ka zënë të harrohet.” Ishte i vetmi zë në atë shurdhëri dhe shkretim me emrin Sul.
Sul, vjeshtë e parë 2018.