Albspirit

Media/News/Publishing

Letrat për Kalpurnian

Gaius Plinus Sesilius Sekundus (Gaius Plinus Caesilius Secundus) juristi dhe shkrimtari romak, i njohur me emrin Plini i Riu, ka lënë një koleksion letrash që na japin një pasqyrim më të plotë të jetës publike dhe private në Romë në fund të shekullit I. Ai lindi në Italinë e Veriut, në Novum Comum (sot, zona e Komos) dhe u birësua për të trashëguar të ungjin, shkencëtarin dhe historianin Plini, i Vjetri.

Plini u martua tri herë, por dy gratë e para të tij vdiqën të reja dhe nuk lanë fëmijë. U martua me Kalpurnian në vitin 100 pas Krishtit, në vitin që u bë konsull. Në interesat e tij të gjera përfshiheshin letërsia, arkitektura, administrimi i fermave, planet e ndërtimit për vilat e tij (përfshirë dhe sisteme komplekse ujitjeje për kopshtet e tij), si dhe bukuria dhe qetësia e natyrës.

Gruas së tij Kalpurnia

Më thua se e ndien së tepërmi mungesën tim dhe se i vetmi ngushëllim që ke, kur unë nuk ndodhem pranë teje, janë shkrimet e mia, që i mban në duar dhe herë-herë i vendos përkrah teje, në vendin tim. Më pëlqen të mendoj se ma ndien mungesën dhe se në këtë mënyrë ngushëllohesh. Edhe unë i lexoj letrat e tua, i rilexoj përsëri e përsëri, sikur t’i lexoj për herë të parë. Por kjo gjë vetëm sa i fryn zjarrit dhe mallit që kam për ty. E, nëse letrat e tua i kam aq të shtrenjta, mund ta marrësh me mend vetë kënaqësinë që ndiej kur jam pranë teje. Më shkruaj sa më shpesh të  mundesh, edhe pse më sjellin kënaqësi e dhimbje, përzier bashkë.

Gruas së tij Kalpurnia

Nuk ke për ta besuar se sa më ka marrë malli për ty. Shkaku është dashuria që kam për ty, por edhe pse nuk jemi mësuar të rrimë larg njeri-tjetrit. Më ndodh të rri zgjuar një pjesë të mirë të natës dhe duke të menduar, ndërsa kur dita vjen, kur vjen çasti që dua të të shoh, këmbët më çojnë drejt dhomave të tua. por, ngaqë nuk të gjej atje, kthehem me një dhimbje në zemër, si një dashnor i braktisur. I vetmi çast kur nuk e ndiej torturën është kur jam i masakruar nga lodhja e punës në bar ose në shoqërinë e miqve të mi. Gjykoje vetë si është jeta ime, për derisa gjej qetësi te rraskapitja dhe ngushëllimi im i vetëm është mjerimi dhe ankthi. Lamtumirë!

Please follow and like us: