Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Pse sot edhe unë jam një Balli…

 

 

 

Çdo njeri është krenar për emrin dhe mbiemrin e vet dhe duke shkruar këtë status nuk dua të ketë asnjë keqkuptim mbi atë se çfarë do të pohoj. Por padyshim që këto ditë zërat pro dhe kundër qëndresës së banorëve të ‘Astirit’ si dhe veprimet konkrete të pushtetit dhe opozitës kanë nxjerrë në pah një realitet të ri. Nga ana e pushtetit Rama dhe Veliaj u shfaqën cullakë në sytë e votuesve dhe numëruesve të tyre në zonën e ‘Astirit’ dhe nuk ia vlen që të merresh me mashtrimet e trasha dhe interesat gllabëruese të gjoja majtistëve të dyshes piktor dështaku-burri i Xhemiles. Ia vlen ama të shohim se si nga radhët e opozitës, një frymë e re dhe njerëz të rinj, një brez që mbase pa dashjen e tij po farkëtohet dhe po spikat në vijën e parë të problematikës therëse që përjeton shoqëria shqiptare. Fjalën e kam për djalin e Fahri Balliut, Klevis Balliun që aq shumë është i sulmuar nga llumi i kazanëve të propogandës Ramiste dhe Mjaftiste e që fatkeqësisht edhe nga rrethe jo dashamirëse të lidershipit aktual të PD. Krejt sinqerisht, si Klevisi, si Salianji, si Jorida e plot figura të tjera mund të kenë plot defekte njerëzore, ama a nuk po sulmohen ata se po bëhen protagonistë dhe të bezdisshëm kundër pushtetit të kësaj qeverie antinjerëzore? Nga më të sulmuarit psh është Klevisi. Dhe sulmohet edhe për shkak të babait të tij, i cili në fakt pavarësisht çfarë ka qenë e ku ka punuar ka një vijë të pashkëputur konseguence ndaj mbështetjes për dekada tashmë të parimeve demokratike, drejtimit liberal të vendit dhe orientimit pro perëndimor, pro SHBA e pro Vatikanit. Është e provuar e faktuar dhe nuk e di se çfarë duhet të bëjë më Fahriu që të mbushë mendjet e sëmura kritizere se po, është demokrat dhe pikë. A është modeli i kulluar i parimorit dhe më i miri ndër demokratët? Mbase jo, por a ka faj për këtë Klevisi? Padyshim që jo. A ka përfituar djali i Fahriut nga babai i tij? Mbase po, por e vërteta është se ai djalosh po mbërthehet gjoks me gjoks me gangasterët e veshur me uniformë përkrah banorëve, njerëzve, vajzave dhe grave që ndoshta nuk e duan dhe as nuk do ta votojnë se nuk janë simpatizantë të PD. Por ai bën detyrën qytetare, bën atë që duhet të bëjë dhe le të jetë çun i Fahriut. Ai po lufton me mënyrën e vet, po këmbëngul, po mëson në vijën e parë se çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur, i gënjyer, i mashtruar nga pushteti. Ai sot po mëson se si nuk duhet të sillet nesër kur koha ta çojë në mazhorancë. Ai dhe djemtë dhe vajzat e tjera të reja të opozitës janë garanci e një vije të pakalueshme nga cilido kryetar që nuk kupton nevojat e njerëzve të thjeshtë. Balliu i ri po përjeton atmosferën e një perplasje civile me pasoja që askush nuk i di. Ai është në mesin e protestuesve se e di që kanë të drejtë, që edhe pse nuk janë votues të tij të drejtpërdrejtë reflektojnë vuajtje dhe padrejtësi ulëritëse që nuk mund të lihen vetë. Klevisi është aty mes lotëve dhe britmave të dëshpëruara të njerëzve që kanë mbetur jetimë në mes të hiçit, me fëmijë, pa gjumë e të paushqyer me frikën e dhunës dhe arbitraritetit. Ai ekziston si frymë pozitive si shpresë, ndërsa kritizerët dhe ziliqarët apo edhe zullumqarët profesionistë i kërkojnë hesap për xhupin që vesh, makinën apo këpucët. Po pse si e duan opozitën ata langaraqë lehës e lëpirës që të jetë zhele e të mos ngopë barkun me bukë? Pse opozita nuk ka dinjitetin dhe forcën e vet? Pse luks janë xhupi e këpucët në dimër? Apo e duan opozitën mjerane që t’u shtrijë dorën për një copë bukë që dredharakët dhe shërbëtorët e pushtetit të tallen pastaj për të kundërtën e asaj që thonë sot? As një hap mbrapa dhe po të ketë mundësi të shkojë atje me ‘Hammer’ e ti vërë përfund gojëçorapet e padenja e të qëndrojë fort siç po qëndron darkave, drekave, mëngjeseve dhe kurdoqoftë në mbrojtje të parimeve së pari dhe humanizmit padiskutim. Është bërë normë tek ne që të flasësh pa përgjegjësi e sipas interesit nga sqetullat e ngrohta të rehatisë personale e familjare apo frëngjitë e pushtetit e të gjykosh këdo e përgjithçka dhe më keq akoma të veshësh mëkatet e babait të birit se kur ke patur mundësi të jesh ti si Balliu xhunior ke zgjedhur kompromisin dhe nënshtrimin, shitjen dhe paratë e ngrohta për t’u hequr mënjanë e për të vegjetuar deri në mosmirënjohje. E pra, sot është koha që të gjithë të jemi me Klevisin, jo si djalë i Fahriut, por si një djalë riosh të guximshëm që kërkon pak drejtësi humane. Sot më shumë se kurrë duhet të jemi me Salianjin, Gridën, Joridën, me brezin e shpresës dhe ndryshimit, me ata që guxojnë, përleshen dhe në fund ngadhënjejnë mbi të keqen. Qe sot e tutje e deri në rrëzimin e Edi Ramës edhe unë jam një Balli…

Please follow and like us: