Reshat Kripa: Këngë të harruara
Këngë të harruara
I shkrova me zjarr,
Në vitet skëterrë,
Tani plot me mall,
Në dritë po i nxjerr.
Bisedë me zemrën
Çfarë ke zemër që rënkon? Pse s’më thua çfarë ke?
Porse zemra drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,
Çfarë po fsheh ti brenda vetes? Ç’është ajo uturimë?
Thellësi e zemrës sime, nxjerr një zë si një kushtrim.
Deri kur do të duroj, këtu ndrydhur brenda teje,
E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?
Dua jetën, bukurinë, dua edhe trimërinë,
Dua shumë begatinë, por më shumë dua lirinë.
Kështu foli zemra ime e unë shumë u turbullova,
Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:
Nuk më sheh që jam i mitur, n’atë flakë për t’u futur
Jam në moshë t’ ëndërroj, për një jetë më të bukur.
Ti do që të ëndërrosh? Por më të bukur a ka?
Se të fluturosh i lirë edhe të pushtosh gjithçka.
Por si një zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,
Edhe fjala jote e zjarrtë, të buças si një kushtrim.
Krejt pa pritur këto fjalë, mendjen time e kthjelluan,
Seç u ndez një zjarr përbrenda, shpirti seç u turbullua.
Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet
U ndez flakë zemra ime: Zgjohu koha më nuk pret!
Ah, më zgjoi nga letargjia, atje ku unë kisha rënë,
Porsi një zog fluturova, lart diellin për të zënë.
Pëshpërita dy-tri fjalë, ushtoj zëri si bori:
“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!“
Vlorë, shkurt 1951
Kushtuar ty
Fale zemrën që s’guxoi të të thotë dy tri fjalë,
Është premtimi zemrës sime, e kam dhënë e do ta mbajë,
Ia dëgjon zërin bilbilit, bukur këndon në pranverë,
Ia ndien erën trëndafiles, që lulëzon plot me erë.
Kështu foli zemra ime, nuk e di a më beson?
Po besove Perëndinë, dëgjo zemrën që premton,
Të dua, seç foli zemra, e mahnitur para teje,
Vetëm ti je imja ëndrra, që s’do shuhet kurrë prej meje!
Vlorë, maj 1951.