Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Liria po vjen nga Kryengritja e Tarifave

Studentët po i kthejnë besimin dhe shpresën kombit tonë. Ata po dëshmojnë se ky popull nuk ka vdekur. Është gjallë dhe i pamposhtur. Forca dhe zemërimi i tij ka shpërthyer përmes tyre bash mu në zemër të Tiranës dhe në të gjitha qytetet e tjera anembanë vendit. Qeveria që e ka eliminuar plotësisht autonominë e universiteteve u tërhoq nga vendimi i tarifës për provimet e mbartura.
Kërkesat e rinisë studentore janë të drejta. Studentët dhe universitetet publike meritojnë shumë më shumë. Nëse nuk do të ishin grabitur, shpërdoruar dhe eksportuar në parajsat fiskale 957 milionë euro, vetëm për 9 muaj, gjatë vitit 2018 (Raporti i KLSH-së) do të kishte para për arsim falas, shëndetësi falas dhe dëmshpërblim për ata mijëra banorë që po mbetën pa shtëpi nga projektet korruptive të kësaj qeverie.
Tani tirania shtypëse është në panik. Studentë kundërshtojnë reformën e dështuar arsimore. Por vizioni i tyre nuk kufizohet vetëm këtu. Këta studentë nuk luftojnë thjesht për kushte më të mira në konvikte. Qeveria e di se shumë shpejt do të mbrapset dhe do t’i uli tarifat e studimit në universitetet publike, është gati të plotësojë të gjitha kërkesat ekonomike të protestës. Madje për të shpëtuar pushtetin e korruptuar është gati të pranojë edhe arsimin e lartë falas qysh sot.
Në fakt studentët sjellin aty pakënaqësinë e një populli të tërë. Qeveria mund t’i uli tarifat, por përsëri do t’ju a marrë ato para familjeve të studentëve disa fish më tepër përmes rrugëve dhe rritjes së taksave të tjera siç po bën çdo ditë.
Këta studentë nuk janë në shesh as për disa vende në bordet e universiteteve, as për t’u bërë fasadë e reformës arsimore në favor të klientëve të qeverisë. Qeveritarët dhe deputetët e emëruar nga kryetarët e partive e dinë mirë këtë, dhe prandaj po dridhen, se studentët do të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, fillimisht të ministres dhe më pas të kryeministrit. Qeveritë dhe deputetët e PS, PD dhe LSI kanë firmosur ndër vite bllokimin e universiteteve publike, pezullimin e doktoraturave dhe kërkimit shkencor, kanë lënë në gjendje mjerane dhe pa rankuar universitetet duke u tallur me paratë e taksapaguesit, nuk kanë akredituar programet, shkatërruan imazhin e universiteteve publike, lulëzuan plagjiaturën. Vetëm në muajin e fundit dy anëtarë të kabinetit qeveritar dolën me doktoratura të kopjuara.
Kjo nuk do të mbarojë këtu.
Dhjetëra e qindra mijëra djem e vajza, janë një uragan i vërtetë. Zyrtarët e lartë nuk iu dalin dot përpara, sepse protestuesit do t’i fshijnë.
Prandaj, së bashku me PD-në, po vinë anës e rrotull protestës si qen të rrahur. Kërkojnë ta përçajnë, ta njollosin, ta politizojnë e pronësojnë, ta manipulojnë dhe ta zhvlerësojnë këtë protestë. Është mision i pamundur ky, sepse studentët janë të mençur, nuk blihen, kanë guximin e moshës, dëlirësinë dhe pastërtinë. Ata nuk kanë frikë se do i pushojnë nga puna. Nuk tremben se do ju vënë gjoba e taksidarë në shpinë, nuk thyhen se nuk do t’ju legalizojnë dhe do ju prishin shtëpitë. Ata nuk kanë frikë se do t’ju çojnë kriminelët t’i kërcënojnë e t’i rrahin.
Dhe janë të neveritur. Nuk duan politikanë të korruptuar, mashtrues dhe të diskredituar në rreshtat e tyre. PD, PS dhe LSI duhet t’i rrinë larg protestës. Nuk e pronësojnë dot si të tyren lëvizjen studentore. PD nuk mund ta kapitalizojë e manipulojë këtë protestë siç po përpiqet të bëjë me protestën e “Astirit”, Laprakës, Shkozës, Bregut të Lumit etj. Studentët nuk luftojnë që të bjerë qeveria e Rilindjes dhe të vijë në fuqi qeveria e Shqup-it! Jo! Studentët duan çlirim, çlirim për arsimin, çlirim për popullin dhe atdheun e tyre; duan t’i rrëzojnë të të gjithë mëkatarët e PS, PD dhe LSI. Kërkojnë të bjerë e gjithë kasta e korruptuar drejtuese.
Një studente e dha sinjalin e parë: “Nëse nuk i plotësoni dot kërkesat, largohuni, vijmë ne dhe e qeverisim vendin! Ne jemi të shkëlqyer!”
Pushteti i sotëm, bashkë me të edhe PD, janë njësoj përgjegjëse për gjendjen e universiteteve dhe për të gjitha poshtërsitë që i janë bërë popullit shqiptar në këto 28 vite.
Partia “Zgjidhja” vlerëson se rinia universitare sot nuk do t’i lërë të vdesin kauzat e popullit tonë për liri, demokraci, drejtësi dhe prosperitet.
Studentët e vitit ’90 nuk dolën në rrugë e në sheshe për transformatorin e kabinës elektrike të Qytetit Studenti që i linte konviktet e tyre pa drita. Ata dolën në sheshe dhe kërkuan pa frikë demokracinë pluraliste dhe prosperitet për popullin. Por aspiratat e tyre nuk i vërtetoi koha. Demokracinë dhe pluralizmin, zgjedhjet, Republikën, sovranitetin e popullit, liritë dhe sundimin e ligjit i përvetësuan dhe i shkatërruan plotësisht Berisha dhe të tjerët; PD, PS dhe LSI. Këta instaluan në Shqipëri sundimin e marrëveshjes së tyre famëkeqe, një regjim hibrid, një pseudo-demokraci, një qeverisje autokratike, mizore dhe të pashpirt, injorante dhe brutale, tiraninë shtypëse të krimit, hashashit dhe korrupsionit, oligopolin PS+PD+LSI. Shqipëria u bë parajsa e këtyre horrave dhe ferri i popullit të thjeshtë.
Këto parti shkatërruan meritën në institucionet arsimore. I mbushën këto të fundit me lajkatarë, të paaftë, servilë dhe oborrtarë që punuan për të bërë para për vete dhe vota e pushtet për bandat dhe gangsterët e partive politike. Këto parti korruptuan e vodhën gjithçka. Ato korruptuan deri në palcë edhe shumicën e profesorëve të universiteteve që ju japin studentëve tanë shërbime me çmime të kripura e me lekë nën dorë (apo formalisht) keqarsimimin, keqtrajtimin, keqedukimin, paaftësinë dhe inkompetencën ulëritëse, librat dhe leksionet e kopjuara, notat dhe provimet apo të gjitha lehtësitë e tjera duke shkatërruar çdo vlerë mbi të cilën qëndron një sistem arsimor i besueshëm.
Kjo qeveri dhe kjo opozitë parlamentare, do të mundohen t’i kufizojnë studentët vetëm në kërkesat për tarifat, sepse edhe kur studentët ta fitojnë heqjen e tyre, qeveria do t’i detyrojë prindërit të paguajnë në mënyra të tjera, tarifa edhe më të shtrenjta se këto. Kasta lufton që rinia të dekurajohet dhe të marrë rrugët e botës. Populli dhe rinia jonë shtypen, vidhen, injorohen, vriten e burgosen, diskriminohen, shfrytëzohen, përdoren e manipulohen dhe nuk dëgjohen e respektohen. Ato janë shndërruar në ushtrinë e skllevërve që punojnë për një grusht kusarësh dhe kriminelësh në krye të partive të vjetra, për Rilindjen dhe Shqup-in!
Kjo elitë turkoshakësh, tutkunësh dhe vagabondësh nuk mund të përtërihet paqësisht. Askush nuk mund të zgjidhet nga populli shqiptar. Përfaqësuesit e tij në pushtet emërohen nga tre-katër kryetarët e partive të vjetra. Asnjë njeri me vlera e ideale nuk mund të vendoset në krye të punëve të shtetit. Vendosen vetëm shërbëtorët e Ramës dhe Bashës.
Dy rrugë kanë mbetur sot përpara rinisë universitare dhe popullit: ose të bëjnë revolucion dhe të përmbysin me dhunë këtë sistem shtypës, gjakpirës e kriminal dhe t’ju rrëmbejnë pushtetarëve forcërisht gjithë pasuritë e Shqipërisë që grabitën këto 28 vite, ose të imponojnë reforma të thella politike që të mundësohet përtëritja paqësore e elitës drejtuese.
Studentët kanë nisur lëvizjen e madhe. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike.
Ndryshimi i madh i jetës së tyre fillon me çlirimin e votës. Kërkesa e parë e studentëve duhet të jetë largimi nga drejtimi i vendit i kësaj kaste sunduese. Nuk çlirohet dot arsimi nga hajdutëria e politikës po nuk u çlirua Shqipëria prej saj. Vjedhja e votës është vjedhja më e madhe dhe përmes saj pason edhe çdo vjedhje dhe e keqe tjetër që ju bëhet studentëve dhe qytetarëve të vendit. Vetëm reforma zgjedhore që ja kthen sovranitetin dhe pushtetin popullit është shpëtimi i Shqipërisë. PS, PD dhe LSI nuk e bëjnë kurrë këtë reformë me dashje dhe me hir. Po të bëjnë këtë reformë ata përfundojnë burgjeve. Vetëm një qeveri e shpëtimit kombëtar, një qeveri teknike me njerëz të pakorruptuar dhe të papërlyer mund të përgatisë Reformën Zgjedhore dhe të çojë vendin në zgjedhje. Qeveria e re e dalë nga populli do t’i hapë rrugë reformës së arsimit shqiptar në të gjitha shkallët e tij.
PS dhe PD duan që Kryengritja e Tarifave të mbahet e kontrolluar, por gabohen. Mosbindja dhe rebelimi i studentëve do të thotë përmbysje dhe progres.
Sot është moment historik. Rinia, është forca dhe shpresa e vetme e këtij populli.
Përmbysjen e kësaj elite të korruptuar e duan nënat dhe baballarët, motrat dhe vëllezërit e studentëve, të gjallët dhe të vdekurit e gjakut shqiptar.
Ky është revolucioni paqësor i shumëpritur dhe mrekullia që po ndodh! I gjithë populli të bashkohet me studentët! Edhe policia të bashkohet me studentët dhe popullin! Askush të mos trembet! Mos u ndalni!

#ZgjidhjaËshtëMeJu

Please follow and like us: