Emil Asdurian: MBI LËVIZJEN E RE DHE MENDIMTARËT E SAJ
(Ç’presim të vijë, nga kush apo ç’duhet bërë?)
U ndanë si gjithmonë në dy grupe. Njëri sigurisht ish pro. Tjetri ishte kundër. Disa, prej secilit, gjithashtu lëkundeshin, se besonin mbretin. Kjo ndjenjë “besnikërie” sillte njëfarë sigurie dhe qetësonte atë pyetje “po sikur”, q’i rrënqethte. Të tjerët, ishin të revoltuar pikërisht për këtë, por dhe më shumë kundrejt vetë frikës së tyre. Përse duhej të bindeshin për çdo gjë. Një grup i vogël, heshturazi, i kundronte nga shkallët e tempullit të Athinës,(kishin një si ky dhe trojanët, apo në ato të Kapitolit) dhe s’dinin ç’të ndjenin, hidhërim për çdo vinte apo për çfarë s’arrinin ta shihnin ende. Gjarpërinjtë zvarrë po dilnin nga deti. Gëlltites helmues! Përgjigjen e kishin të qartë si frikën e tyre se askush nuk do i dëgjonte dhe më keq nuk dinin ç’duhej të bënin dhe u vinte disi turp të dilnin në shesh, qoftë dhe cullak siç ishin, “mendimtarë”! Kali priste, në bark, frikën dhe ai! Cili Kalë?
Aq më tepër që mbreti i gjatë, me kokën pa flokë, me një mjekër, sipas modës, hip, qimeshpërndarë kurorë mbi qafë, kish filluar ndëshkimet e tërthorta ndaj palës kundërshtare, m’e e thjeshta ishte mosdërgimi i ftesës për Festën e Madhe që po afrohej, dërgimi i kërcënimeve me lajmës të fshehtë, provokatorë quheshin në kohën e Shvejkut, dhe së fundi, si në kohën e Blumberg-ut, me arrestime tip komando në mesnatë. Shumë të efektshme, tmerruese, banesa me dyer e dritare të shqyera, orendi të thyera dhe m’e rënda, heshtja pa frymë njeriu.
Hapi i dytë, goditës, në shesh, aty fare hapur në sytë e të gjithëve, në mes të grupit kundërshtues, shfaqeshin grupe të tjera, me kërkesa pa lidhje, dikush kërkonte përmirësim të kopshteve me lule, fasada pallatesh shumëngjyrëshe dhe ca, s’di pse revoltuar, me një nervozizëm të besueshëm thuajse natyrshëm, (por duhej se vinte nga turp i nënvetëdijes ndaj vetëdijes së fëlliqur), çirreshin “ta bëjmë së bashku”!
Partitë ishin aty të tërhiqnin sa më shumë viktima nga vetja, se ndoshta, me shpresë, pritej të vinte një Mbret i Ri, apo larg qoftë, të mbërrinte dhe aty, demokracia, e cila ish “shumë zhurmë për asgjë”, që shpesh n’atë kohë hynte në punë vetëm në kohë lufte ose përgatiste tiraninë e radhës.
Fjala intelektual, u përdor për herë të parë, për një fare Dreyfus, në Francë,(gjithmonë atje ndodhin gjëra të tilla), i dënuar nga mbreti për tradhti. Se atëherë, dy shekuj të shkuar, një grup shkrimtarësh, artistësh, gazetarësh, profesorësh universiteti dhe njerëz me zë, ndjenë përgjegjësinë morale guxuan të kundërshtojnë me një peticion këtë vendim. S’e besoj këtë pohim, dhe as që ky emërtim vjen nga Rilindja e Da Vincit. Se ç’mund të themi për Odiseun apo dhe Sokratin, të cilët s’u lënë asgjë mangët cilitdo nga të ashtuquajturit intelektualë, dhe as atyre më bashkëkohorët, intelektualët publikë (mendimtarët popullorë), të ngjashëm me rock stars apo aktorë Hollywood-i, sepse:
“Mendimtarët e mëdhenj janë si mbiyje (superstars), nxisin, ndezin një grup dëgjuesish që në epokën tonë të mbingarkuar nga media që nuk është e lehtë t’i joshësh. Se një mendimtar si Piketty** e di si t’arrijë dhe mbajë vemendjen e lexuesve, duke ndërthurur ekonominë me historinë kulturore dhe teorinë me rrëfenjën…”*
Mandej erdh tradhtija. Po, po tradhtia nga ata. Më 1927, shumë, shumë shekuj më pas, Laokonit, prift i martuar, (sipas përvojës botërore, edhe pse askush s’i përmend, midis priftërinjëve të çdo besimi, ka intelektualë), Julien Benda shkroi për ta. Tradhtarë “nënpunës shteti”, apo si ai i mbyturi pa frymë dhe i helmuari në hidhërim, besnike të një besimi. Ata që marrin vendime me dikë***, në dhe me ndjenjë ndezur zjarr dhe jo “mbështetur mbi vlerat e Mendjendritjes së përgjithshme”.* Ndoshta ish kjo pikërisht tradhtia, në mos m’e madhja ndër të gjitha, sepse ishte kjo lloj arsyeje, qe sipas Bendës çoi në nacionalizmin e sëmurë dhe ksenofobi, LIIB.
Si sot, kudo mbi këdo në globin e lodhur dhe të pakënaqur. Se nuk dua të mendoj për Dhjetorin tonë të shkuar, që tinëzisht vodhi ëndrrën e një brezi të tërë dhe atyre më pas.
Aq më keq për ta, mendimtarë të vjetër dhe të rinj. Ka ardhur koha të ndyshojnë veten, nga lëvozhga mbrojtëse të dalin në rrugë. Ku jini?
Në brekët e kujt pushteti, së cilës frikë?
Michel Foucault i ndante në të përgjithëshëm dhe specialistë, mjeshtëra në një fushë të caktuar, Gramsci në të tradites apo organikë, por Bauman-i gjerman në ligjëvënës dhe shpjegues. Studime të paqta në pritesi dhe paqe të rehatshme. Jo tani! Jo tek ne, kur po vdes ëndrra dhe po fshihet rinia. Gjithë të lartpërmendurit) s’kanë më vlerë mësimdhënieje, dhe aq më pak, praktike! Se s’ka rëndësi, se kush, se sa me peshë apo fare pa të, mjaft sa një fletushkë e shkruar t’endet mes tyre, q’i lanë vetëm kur kanë më shumë nevojë se kurrë të mbajnë gjallë frymën dhe shpirtin e revoltës!
Auditori është aty, besimi po ashtu, jo me ligjërata e fjalime, por me flijime dhe bëma të pazhurmshme. Duke u mbledhur bashkë për një çështje të përbashkëta. Hibridë, të një lloji tjetër, ndryshe nga përkufizimet, prejardhjet, por mbi të gjitha me përvojë organizuese, zbatues, jo për të ndarë frutat e pushtetit, por për zgjidhjen e çështjeve më kryesore që Lëvizja të rritet dhe të vazhdojë. “Rrugë-hapës” dhe jo “hartë-shpjegues”, “exethinkers” qe jo vetëm të ndalin penguesit por të vendosin kur, atje dhe ata që duhen, kur duhet, për të arritur “touchdown”, golin që pritej në portë. Enzima, tharme që pushojnë së qëni, kur nuk nevojiten më. “Stem-cells”, qeliza rrënjë të lëvizjes në ndryshim të perhershëm, e ndoshta më vonë, degë të pushtetit të ri. Ndryshe do të gjykohen e dënohen për çfarë s’u bënë.
Është ky lloj mendimtarësh, me fuqi organizuese dhe kuptim të mjaftë q’i duhet lëvizjes sot, për të mbijetuar sulmin ushtarak të përqendruar të oligarkisë, në mënyrë më paqësore. E lëvizshme, e vetëdijshme, e kudogjëndshme. Jo një, as disa, por shumë, do jenë, duhet, do bëhen, përpara se t’i quajnë të tillë!
Veç një gjë duket e qartë, se sa më shumë të zgjasë kjo moslëvizje në biseda pa fund, paqja qoftë dhe e përkohëshme, do jetonte dhe ca. Por nga ana tjetër, kuptohej se kjo s’ish tjetër veç, gënjeshtër. Në të fundit, sado të pavendosur do t’u duhej të dalin në sheshin e “burrave”, (se gratë, s’di cilat, dilnin aty, pasi u kishin mbushur mendjen në shtrat, bija të denja të Circes, një natë më parë), të vendosnin se çfarë. Sot o kurrë, që do duheshin ata, të vërtetët, pa çka pa tituj dhe pak të njohur, disa bijë të sapozbriturve nga Bjeshkët e Namuna, shumica gra, nëna, q’u tremben të gjithë dhe vetë mbreti. S’janë, tetë pika që duhet të zgjidhen, por Lëvizja, se cicë do Rozafa, të ngrihet.
Ndërkohë mbreti, kish lëshuar lakuninë ndëshkimore. I pari Laokoni, ndërkohë që prisnin t’u vinte radha…. sic u erdhi andej nga s’e prisnin …. po, ateherë ish vonë. Tepër vonë.
———-
*Writers as Public Intellectual ( Literature, Celebrity, Democracy)
Odile Heynders, Tilburg University, The Netherlands/ Palgrave 2018
** Piketty, autor shumë i njohur i librit Capital in the Twenty-First Century(2014)
*** dikë, arbërisht pasion