Jep dorëheqjen nga gara edhe Valbona Mezini: Listë fallco, unë jam me studentët
Gazetarja Valbona Mezini, anëtare e kryesisë së PD-së ka dhënë dorëheqjen nga gara për Këshillin Kombëtar të PD duke e quajtur listë fallco atë të kandidatëve. “I bashkohem studentëve në protestë sikurse kam bërë që ditën e parë duke besuar se ata janë opozita vërtetë në ndërtimin e demokracisë dhe mbrojtjen e interesit Shqiptar”, shkruan Mezini.
Postimi i plotë:
Te dashur demokratë! Së pari dua t’iu falenderoj për mbështetjen tuaj të madhe që me keni dhënë dhe vijoni të më jepni me mesazhet dhe urimet kur patë emrin tim në listën fallco që sot shkon medemek për votim në Kuvendin ILEGJITIM të entitetit privat që paturpësisht u zhvesh nga vlerat për të cilat u ndërtua në momentin e rrëzimit të diktaturës. Por unë deklaroj se duke u përpjekur t’i shërbej të vërtetës dhe vetëm të vërtetës duke besuar fort se duke i shërbyer asaj, të vërtetës, Shqipëria do të ndërtohet dhe jo çpopullohet nga pazaret politike ku pjesë e të cilave po bëhet entiteti ku unë aderoj, preferoj të distancohem duke u dorëhequr nga një listë me fitues të vendosur paraprakisht! I bashkohem studentëve në protestë sikurse kam bërë që ditën e parë duke besuar se ata janë opozita e vërtetë në ndërtimin e demokracisë dhe mbrojtjen e interesit shqiptar!