Sazan Guri: Guximi student-ai që vrau frikën
Historia na mëson se ky popull, kurrë nuk i është nënshtruar frikës, përkundrazi ka guxuar më shumë se ç’duhet, aq sa sulltanët e etiketonin shqiptarin ‘asqer’, aq trim sa kali. Shpesh përsiatnin se më duhet mendja e dytë e tij (që e mbanin për të mençur), se të parën e ka të guximshme, yrysh e në luftë si kali. As pushtuesit e as dyndjet nuk mundën të nënshtronin këtë karakter të shqiptarit, që ishte i fort si diamant, dhe në përballjet me të tjerët i thyente të tjerët. Këtë vlerë diamantike të shqiptarëve e dinin vetëm shqiptarët. Kësisoj, regjimi diktatorial për të mbajtur pushtetin përdori atë lloj demagogjie e terrori që guximi shqiptar të kthehesh në të të kundërtën e vet dhe ja arritën, por nuk e mposhtën. Siç thotë Eminguej në librin ‘Plaku dhe deti’ në dylyftimin apokaliptik që peshkatari plak bënte me peshkun peshkaqen – se ti mund të më lodhësh, mund të më shkatërrosh, i hakërrehesh plaku peshkaqenit, por kurrë nuk mund të më mposhtësh. Këtë bëri dhe sistemi i kaluar, e lodhi, e rraskapiti këtë popull, më në fund ishte ky popull që ja doli, duke kapur sërish erën e lirisë, epokës së demokracisë, e vetive të para të njerëzimit, që më shumë se kudo e te kushdo është te Shqipëria dhe te shqiptari. Si kasa politike dje dhe ajo politike sot, vazhdues të guruve shpirtërore të komunizmit kanë kuptuar se çelësi për të lënë nën zgjedhë një popull është vrasja e guximit dhe më pas lënia në varfëri ose e kundërta, lënia në vobektësi dhe futjen e frikës. Dhe deri diku ja kanë arritur, duke e rraskapitur edhe për këto 30 vjet të tjera tranzicion. Por, ata nuk kuptojnë që gjithmonë një popull prodhon guximtarët e vet, nxjerr shtresën e vet. Dhe ishte guximi student baza e kurajës së këtij populli që trimëruan më 1991e shporrën shpurën e fundit të regjimit diktatorial. A nuk ishin po studentët, kjo sërë krenarie e racës shqiptare që zbritën valë valë nga fakultetet e mjekësisë e të inxhinierisë që mbushën sheshin para kryeministrisë kundër armëve kimike, mbetje që edhe vendet si Franca e Gjermania nuk donin dhe nuk i pranuan. A nuk ishin po studentët, kjo sërë burrërie e kombit shqiptar që zbritën dallgë-dallgë nga Fakultetet e Filologjisë e të Shkencave të Natyrës, dhe erdhën togje-togje po në sheshin para Kryeministrisë, përballë të keqes së vendit, kundër importit të mbetjeve, dhe dihet se ky vend shpëtoi nga të bërurit, sot e kësaj dite, kosh i madh i europës. Ja pra, këta janë studentët sot që kërkojnë ndoshta pak për vete, sepse kuptojnë se ky vend s’ka luks për më tepër. Këta janë studentë që shërbejnë si motiv për këtë popull, të cilët me dhjetë ditët e tyre protestë na thonë se ngritja është lëvizje, ndenjja është gjumë. Janë këta studentë që vazhdojnë e thonë se gjumi është i mirë dhe e i ëmbël për fëmijët që të rriten, lëvizja (protesta) është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për popujt që të zhvillohen. Sepse mendojnë e thonë ata me veprimet e tyre, kur francezet ngrihen se duan më mirë edhe kur jane mirë, ç’mbetet për ne qe na u dashka të rrimë, edhe kur jemi keq. Ndaj, yxhym, thonë prapë studentët, jo të shporren këta, por të ndryshojnë këta. Ore, me që ra fjala ngrihen apo s’ngrihen, ç’bëhet kështu me ca njerëz që s’lënë gurë e kusur pa kthyer për të përçarë protestën, dhe kë? Protestën më fantastike ndër vite të studentëve. Kur ngrihen, pse ju ngrihet, kur s’ngrihen, pse s’ju ngrihet? Një grup tjetër mendon e thotë po kush do të na vijë? Ky që është më keq se këta?!. Mbani mend të dashur qytetarë! Uji që vjen, megjithëse i ndotur, ka oksigjen me shumë se uji që fle apo i ndenjur, megjithëse kohet nga ndonjë përrua me oksigjen. Këta të qeverisë sot u bënë ujë i ndenjur. Pastaj, kush tha se do të vijë ky pak më i keqi, siç kemi bërë gjithë këto vite?!. Pikërisht, pjesa substancë e studentëve këtë kërkojnë? Duke qenë se edhe këta, si ata dje, u kthyen në regjim, jo mono, por dyshe kërkohet vetëm një zgjidhje! Përmbysje, dhe thirren ata që kanë vlerat më të mira shqiptare brenda vendit dhe jashtë tij, bashkë me ato më të mira europiane, ku çdo familje shqiptare i ka me shumicë, si brenda e jashtë vendit. Këta do e shpëtojnë Shqipërinë, as Sazani pe Guri, as këta që nuk luajtën e nuk luajnë prej pushtetit si muri. Ndaj, këtyre studentëve, më sakt këtyre të rinjve, mjafton t’iu japim vetëm një vazo apo një shtrat me dhé, se këta do të dinë të mbjellin dhe të bëjnë lule për një shqipëri pa uzurpatorë vendas dhe të re. Edhe pse, studentët shqiptarë janë si një minierë ari. Lumë ai që di të tillë t’i vlerësojë dhe mjerë ai, qoftë edhe Kryeministër t’i anashkalojë.