Dëbimi i ambasadorit iranian, vjen letra e Trump për Ramën
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për vendimin e dëbimit të ambasadorit të Iranit.
Në letrën dërguar Ramës, Donald Trump e falenderon për kundërpërgjigjen e Iranit ndaj veprimeve destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Duke e quajtur Shqipërinë, si një mike të SHBA, Trump thekson se ky veprim është shembull i përpjekjeve të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda.
Në lidhje me këtë rast reagoi edhe ambasada Amerikane në SHBA, e cila tha se Shqipëria ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se veprimet e saj nuk tolerohen. “E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik. Në vijim gjeni një letër të Presidentit Donald Trump në të cilën falënderohet Qeveria e Shqipërisë”. Ministria e Jashtme njoftoi më herët se ka vendosur të shpallë persona të pa dëshiruar dy diplomatë të Ambasadës së Iranit në Tiranë, pasi dyshohet se janë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend.