Albspirit

Media/News/Publishing

Fati tragjik i vezës që goditi kryeministrin e kanabisit

 

Bislim Ahmetaj

Veza që u thye në kollaren e Edi Ramës, ndjehet e fyer, e trishtuar, fatkeqe dhe e penduar. Ajo ndjehet e fyer sepse është përplasur mbi një trup që kutërbon era korrupsion, drogë, arrogancë dhe impotencë. Ajo, veza e thyer mbi kostumin e shtrejntë të Kryeministrit u ndie e trishtuar kur e pa vetën të shtrirë në atë cohë të butë. Do të donte të ishte në pjatën e një vajzë apo djali që s’ka mundur të vijë në shkollë të lartë sepse prindërit e saj/të tij, janë skajshëm të varfër dhe i shohin vezët nëpër dyqane si mall luksi. Veza që u thye në gjoksin e narkotizuar të Kryeministrit të kanabisit u ndie fatkeqe dhe e humbur që u gjend në fillim në xhepat e zëvendëskryeministrit real të vendit e më pas në dorën e një njeriu që me hedhjen e saj drejt kostumit të shtrejntë të Kryeministrit i rriti poenat e pamerituara. Ajo veza që u ba kryelajm i ditës së sotme do të preferonte të ishte e strukur diku në një çugrrok me kashtë duke u ngrohur nga ndonjë pulë klloçkë që të bëhej zog e më pas pulë për vezë apo për mish që të mund të shuante urinë e ndonjë familje të varfër në Shqipërinë që e ka mbytur trishtimi dhe varfëria. Ajo , veza që e ndoti vetën me trupin e kryeministrit është penduar për vdekje që u ç’virgjërua nga një njëri i pamoralshëm. Ajo ishte një vezë e pafajshme, nuk e meritonte këtë fund. Ajo do të donte të bëhej vezë pashke dhe të gëzonte një fëmijë me ngjyrat dhe shijen e vet. Ajo, veza që u thye në gjoksin e monologistit që jeton në bunker nuk kishte ëndërr të dilte nëpër faqet e para te gazetave, as të ishte lajm i parë nëpër televizionet e vendit, ajo ëndërronte të bëhej zog që të mund të fluturonte së paku edhe një ditë të vetme Por në vendin ku drejton një i çmendur edhe fati i vezës është i paracaktuar…

Tiranë me 20 Dhjetor 2018.

Please follow and like us: