Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: DHE Ç’ PASTAJ SE JEMI VETËM

 
Versioni II

“Lëvizja duhet të gjenerojë lloje të tjera udhëheqjeje për të mbështetur organizmën e saj; duhet të kërkojë baza të përhershme financiare; duhet të përshtasë veprimtari të reja dhe më të specializuara brenda vetes; duhet t’i bejë shprehi të përditshme mënyrat e sa të rekrutimit”.*

Çudia, ashtu, siç e vërteta s’mund të jetë tjetër, veç vetes, kësaj here, apo radhe, ishte pa dyshim e çuditshme. Dhe kjo, si asnjëherë më parë, me plot arsye bindëse.
Gjysmagjeli peticion, s’ish veç pulë e plakur pa pupla. Ngulmohej, shumë për dialog, kur nuk arrihej të kuptohej, nga çdonjë me mend, por edhe kushdo tjetër, dhe pse i papjekur, se përse duhej kjo dreq dyshbisedë, kur tetëpikëshi, s’ish në thelb as i plotë e as i denjë! Dhe në ishte për teatër, kjo skenë, nuk shtonte asgjë në dramë, as si imtësi jetësore dhe as si mbushje kohe, deri sa te binte perdja a të ndërronte petkat aktori kryesor. Ndoshta, si baleti pa muzikë i Mozartit tek Flauti Magjik. Dhe, të mësuar qysh në lindje nga pabesia, të gjithë, edhe aktorët, ndien se diçka fshihej mbrapa saj, qoftë dhe se pritja mund të kish ndë vete një kurth të stisur. Dybiseda, në fakt kthehej, në shpallje zgjidhjeje, mllefi dhe sigurie të vetëkënaqur, nga KM, tepër i qartë dhe largpamës, por pak i lodhur. Krijues, dhe pak moskokëçarës në dukje, nga po i njëjti institut, përpikmërisht ad literam ndiqte skenarin e shkruar për të. Dhe se dyshbiseda s’po sillte ndonjë gjë të re.
Natën, rreth zjarrit kur vetmia qe shqyese, për ata fare pak të ardhur nga rrethet, se të tjerët edhe pse vonë, vinin e i merrnin prindërit për në shtëpi, shiheshin të heshtur me njëri tjetrin, për psenë e të qenurit aty, siç sidhe kuptonin, që vetëm ashtu, me atë kundërshtim dhe nxehje nga padrejtësitë që u lëvrinte në gjoks, do të dëgjohej ç’rrihte atje. Shtrëngonin dhëmbët dhe duart zgjasnin drejt të ngroheshin. Shpesh çoku afrohej aty dhe ndonjë polic i vjetër rrugor. Mbi Dajtin dykrerësh, qielli i ngrirë qelq dhe një thashethemnajë e hedhur rishtazi, ajo e parave të marra nga ata, edhe ata, botërisht më të vobetkët.

“… njerëzit s’ka të ngjarë t’i mobilizojnë shpresat e reja, revolucionare derisa mprehtësisht të ndihen të grabitur nga rrethanat në të cilat jetojnë….. Një përgjigje e dhunshme, shpesh përmbysëse, ndodh atëherë kur njerëzit, të cilët kanë qenë vazhdimisht të privuar nga të mirat me vlerë dhe kushtet e jetës i kanë bërë të mendojnië se është qeveria e tyre që do t’ua zgjidhe këtë padrejtësi, pastaj janë zhgënjyer nga kjo shpresë e rreme”.**

Dyli s’e kish menduar veten kurrë ndryshe. Revoltohej shpejt, flakë kashte, sidomos kur zbulonte papritur një gënjeshtër, e cila o kish behur befas ose kish qenë e fjetur brenda tij, sikur e pavënëre, jo nga maskimi, por se ashtu ish gatuar, ai, nuk donte ngatërresa, e kish lënë të kyçur, pa dashur ta pranonte. Kish mësuar ta kontrollonte shpërthimin, duke e plasur brenda tij, mbi mëlçi, t’ia merrte frymën. Dhe as fare pak, asfare s’donte të merrej me qeverinë. Me asnjë të atij lloji. Kish mësuar as mos shante dhe as të mos fliste, kur duhej dhe kur s’duhej. Më mirë kështu! Shihte punën e vet, “vrej punën, çuno”, si “tirons den baba den”. Ecte sikur, si në vallet e asaj zone, duke e mbështetur gjithë shputën në taban, nga maja e thembrës tek ajo e gishtit të madh, qe si t’ish hark i tendosur, e shtynte lart fare pak dhe anash, t’i prishte barazpeshimin e krahët ngrinte pak të mbështetej n’ajër sa t’binte në këmbën tjetër, po në majë të gishtit. Ashtu dhe n’zanat. Ngadalë me merak, sipas rastit, kish punuar që pas shkollës tetëvjeçare, në kombinatin e drurit “Misto Mame” deri në 90-ën, kur i kishin vjedh dhe dërrasat e çatisë. Dhe dasmën me Semihanë, sybajame, topolake, ëmbëlsisht e bëshme, nuk e kish pasur të bujshme, por Zoti, “i modhi Zot”, siç thoshte baba vet, Lymi, nuk u kish dhënë femije. “S’kish qenë kësmet” a ndoshta më mirë kështu. Jetonin për “njoni tjetrin”.
Atë ditë, nuk i kish “bo zo”, njeri, as s’e dinte, që mbas daljes së studenteve në protesten e parë, për punë dritash dhe ushqimit në mensë, kish ardh “gjurulldija e modhe”, kur dhe punëtorët e uzinave dhe ndërmarrjeve përreth, si thuajse vjedhurazi, u ishin ngjit turmës, kur u ra busti. Në do e pyeste njeri, se cila do ish shpresa e re q’e priste, përgjigja ardhvetiu do kish qenë zhdukja e kalecave, spiunëve vullnetarë. Si duronte dot, sikur t’i hanin bukën. Lebërit zhurmëmëdhej s’i kish dash kurrë, sa kur fliste me ta e shpesh, i mëshonte padashje të folurit me dialekt mos ta merrnin vesh. Me “dibronët” qe muhabet tjetër, drugo mesele. Seç kish q’e mbante tani brenda mureve të shtëpisë, pensionist, ashtu siç shtynte të shkonte drejt sheshit të rrethuar me policë. Jo frika, diçka tjetër … që s’ishte tani. Ndoshta mungonte ai tharrm i rrëzimit, ish shumë qetë.

Vështirë t’i dalloje mirë, errësira u vinte mbi, një kapuç nate dhe pse me dritë yjesh flaka e kuqe, ngritur lart nga këmbët u hidhte hije të përçudnuara, breza zenbre , që lëviznin si gishta, sa enkas s’kuptohej se kush ish kush. Sy të mëdhej, me qepalla si buzë mishore, flokë të rëndë, që litarë bëheshin kur në dorë i merrte thëllimi a të prerë shkurt vikingshe. Qafa të drejta, të përkulura, të zgjatur, mermer skalitur në imtësi, lëmuar si cipë molle. Hundë të drejta, të pjerrëta, të mprehta, me majen pak përpjetë a poshtë si sqep. Gishtërinj feminorë, zgjatur paksa nga pranvera e shkuar, lëkundeshin mbi zjarr.
Dikush psherëtiu: “Mjaft më me thirrje partiake, kur asnjeri s’përmend ligjin e arsimit!” Nënndërgjegjia e turmës, apo e grupit, ka mendjen e saj, edhe ajo një tjetër, si faqja e simbolit merr vegime, të flakura në dukje kuturu dhe që pasi ngjeshen, shtrydhen, dendësohen a fshihen, sa krijojnë atë të vetmen e veçantë. Si ëndrrat, duhet të lexohen me një kod tjetër, veç atij të fjalës-mendim. Ndryshimi i Ligjit të Arsimit, s’kish më europian se ç’ish, i kopjuar pa as më të voglin dell krijues, germë për germë, se vetëm kështu mund ta besonin vendasit, nënkuptonte në fakt një kokëprerje,kastrim, në parlament, i atit, të këlyshit plangprishës, korrupsionit. Partitë, krejtë akenj, ndjekësit mëtonjës, se s’ish veç një çrrënjosje e gjithshme që pritej të binte!

Qindra u nisën të bashkohen, të gjithë të rinj. Secili, pa përfaqësi grupi, krahine apo ideje. Vetë vetja!
Pa krerë dhe heronj, pa idhuj.

EA 12/20/2018 all the rights and copyrights are protected!
* Smelser, Neil J Theory of Collective Hehavior. New York: The Free Press, 1963.
** Ted Robert Gurr, Why men rebel. Princeton University Press 1071

Please follow and like us: