Kleves Bitro: Po sikur veza të ishte tritol?
Mosmbajtja e premtimeve elektorale dhe shtimi i varfërisë dhe papunësisë në shifra galopante në vitin e 6 të qeverisjes të të majtëve kanë detyruar studentët dhe njerëzit e thjeshtë të veprojnë në mënyrë të papërmbajtur. Sulmi i një deputeti të PD-së kundër Edi Ramës me vezë në Parlament ka precedencë. Precedenti nisi me një qytetar të thjeshtë vetëm 6 muaj nga qeveria Rama 1 ku u sulmua kreu I grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili jashtë derës së Presidencës kur po jepte një deklaratë për shtyp. Në atë kohë kishim koalicion PS+LSI. Gjithashtu një grup studentësh pak kohë më vonë sulmoi vetë Edi Ramën me vezë dhe videoja u bë virale ndërsa seancat gjyqësore vazhduam pambarimisht deri pak kohë më parë ku u proceduan ata që hodhën vezët. Sigurisht që goditja me vezë në cdo rast është simbolike. Mirëpo nëse dikush mori guximin që të afrohej e të dëshmonte pakënaqësinë e përgjithshme në fakt që po mbizotëron duke realizuar një akt që nuk është ndërmarrë deri më sot, pyetja që shtrohet është: Po sikur veza të ishte dicka tjetër? Cfarë do të kishte ndodhur me vetë Edi Ramën? Po me Ministrat në sallë dhe deputetët e tjerë? Nëse dora e qytetarit në rastin e precedentit të parë dhe dora e deputetit në rastin e fundit do të kishte ndonjë mjet tjetër jo aq të parrezikshëm, atëherë mund të diskutonim për dicka shumë më të rëndë. Ajo që i mbetet politikës pas sulmit mbi Kryeministrin apo këdo tjetër është të mendojë mbi fajet e saj dhe ato që nuk shkojnë nga sjellja e saj në raport me qytetarin. Nëse një individ i vetëm, apo edhe një deputet guxojnë të shprehin hapur pakënaqësinë e tyre duke goditur me vezë estabilishmentin, imagjinoni se cfarë mund të bëjnë dhjetëra mijëra protestues studentë që do jenë shumë shpejt sërish përballë Ramës. Pas këtij sulmi, në Shqipëri po afron koha kur politikanët nuk do të mund të dalin më lirshëm para qytetarëve të tyre, nëse nuk mbajnë premtimet e bëra. Sulmi me vezë ndaj kreut të qeverisë është më shumë se një mesazh personal dhe padyshim që shkaqet duhen kërkuar tek vetë politika dhe jo tek dora që hodhi vezën. Pesha e pambajtur e premtimeve ndaj shqiptarëve po e con mazhorancën në qendër të pakënaqësisë të madhe qytetare dhe tashmë grupet e interesit që nga biznesi e deri tek votuesit e majtë në të gjithë territorin e vendit kërkojnë zgjidhjet e halleve të tyre. Gjithë populli sot kërkon zgjidhje për punësimin, për rritje të të ardhurave të tyre, për treg të hapur për produktet e tyre dhe të ushqejë fëmijët e familjet. Ky është standarti bazë i kërkuar nga shqiptarët që nuk guxojnë të mendojnë për pushime në fundjavë apo edhe udhëtime turistike si gjithë qytetarët perëndimorë. Është koha që raporti i mazhorancës me qytetarët të sqarohet dhe të bëhte transparenca e atyre që janë bërë gjatë zgjedhjeve, përndryshe kjo klimë pasigurie dhe e tensionuar mes votuesve dhe politikanëve do të bëhet shumë e vështirë. Është koha e opozitës që të këmbëngulë për mbajtje të premtimeve nga ana e mazhorancës dhe të dëgjojë pakënaqësinë në rritje të qytetarëve shqiptarë pavarësisht preferencës politike. Opozita është një shans për qetësimin dhe normalizimin e situatës, por kjo nuk mund të vijë nëse nuk e dëshiron vetë mazhoranca që ka krijuar iluzionin dhe mashtrimin e qytetarëve. Është kjo marrdhënie e dëmtuar që në themelin e kontratës që politika e majtë ka lidhur me votuesin dhe qytetarin në përgjithësi, pasi është një mardhënie e ngritur jo mbi sinqeritetin e përmbushjes së premtimeve në të ëmirë të qytetarit, por një marrdhënie klienteliste e pasinqertë dhe zhgënjyese. Rezultatet e saj po i shohim përditë dhe tashmë kemi sulme simbolike në rrugët e Tiranës të politikanëve që nuk kanë mbajtur premtimet ose më keq akoma që kanë cënuar interesat jetike të qytetarëve në vend që të bënin të kundërtën. Të gjitha paralajmërimet e opozitës mbi arrogancën qeverisëse cojnë vetëm në këtë ngjarje që ne e pamë në Parlament. E nëse të gjitha këto arsyetime nuk e bëjnë të reflektojë mazhorancën, atëherë zoti të ruajë vendin tonë dhe bashkë me Republikën, zoti e shpëtoftë Ramën.