Kozeta Zavalani: Jep nga vetja tek të tjerët
Jep nga vetja tek të tjerët e veçanërisht tek njerzit në nevojë, gjithnji, se Zoti ta shpërblen me siguri! Në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri të gjithë japim dhurata e bëjmë bamiresi, por Engjellushe Mërtiri bamirësinë e ka kthyer në motiv të jetës, sepse ndihmon familjet në vështirësi çdo ditë të vitit e në vazhdimësi…
Para pak ditësh më vjen një zile e zgjatur në telefon nga një numër i panjohur, që nuk e kisha në celularin tim. Nguroj pak, pastaj e hap dhe dëgjoj një zë të dridhur që më fliste duke qarë…
– Më ndihmoni, ju lutem!
– Urdhëro? – pyes unë, duke menduar që ka ngatërruar numër.
– A je zonja gazetare!?
– Po, i them!
-Të lutem me ndihmo, sepse nuk kam me se ti ushqej fëmijët e mi, – më thotë ajo.
– Po kush je ti, moj xhan, – i them, ku e gjete numërin tim? Si quhesh?
– Quhem Lavdie Malaj nga Patosi, jam në gjendje shumë të keqe dhe nuk kam asgjë për të ushqyet tre fëmijët. Me ndihma bëj kimioterapinë për sëmundjen e keqe që kam në gji dhe vetëm ujë e sheqer u kam dhënë fëmijëvet…
Nuk po vazhdoj më të tregoj bisedën tonë, sepse kjo nënë ma këputi shpirtin e vetja mu duk aq e vogël dhe e pafuqishme për ta ndihmuar këtë grua, që donte të vriste veten nga pamundësia e jetesës. Ndihma e vetme e menjëhershme, që mund t’i jepja ishte ta rekomandoja te Shoqata në Ndihmë të Familjeve në Nevojë me kryetare zonjën e bamirësive Engjëllushe Mërtiri, që kujdeset për këdo që i drejtohet për ndihmë dhe u rikthen besimin për të vazhduar jetën…
Dëshiroj që ndoshta edhe ndonjë tjetër shoqatë apo dikush tjetër që më lexon, mos kursehet për të ndihmuar, ashtu si Shoqata Shqiptare Per Personat Ne Veshtiresi me drejtuesen e mrekullueshme, Engjellushen e bamiresive, që ashtu si Nënë Tereza, gjithmonë mes fëmijve të varfër e njerëzve në nevojë, u gëzon zemrat dhe u kthen buzëqeshjen familjeve të varfra shqiptare: Një shembull për tu vlerësuar e admiruar, një shembull për tu ndjekur nga të gjithë…
Jam e bindur se ashtu si dhjetra familje në nevoje, që janë ndihmuar prej Nënë Luçit dhe kjo grua do të gjejë pak ushqim e do të ndihmohet ti rikthehet jetës, por sa familje si Lavdia ka nëpër Shqipërinë tonë hallemadhe, që jetojnë vetëm me ndihma? A është kjo zgjidhja?!? Gjithsesi dua të them – Faleminderit Zotit, që gjenden njerëz me shpirt të madh e të mirë, që mendojnë për ata që kanë nevojë, si rasti i Lavdie Malajt nga Patosi, qe brenda nates iu gjend ndihma emergjente, pasi nuk kishte asgjë për të ushqyer tre fëmijët e saj.
Bamirësia dhe humanizmi si filozofi dhe botëkuptim, drejtohet nga vlerat dhe dinjiteti i njerëzve të veçantë, si zonja Engjellushe Mertiri, apo Nëna Luçi, si e thërrasin të gjithë, Kjo “Ambasadore për Paqen” Kryetare e Shoqatës “Shoqata Shqiptare Per Personat Ne Veshtiresi” @shshpv dhe stafi i saj, që ashtu si thotë Nënë Tereza; e tregojne mirësinë në fytyre, në sy, në ngrohtësinë e buzëqeshjes! Japin jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën, duke menduar se “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe…”.
Engjellushe Mërtiri, si një ëngjëll mbrojtes e ndihmues, menjeherë sa u kontaktua me personin në fjalë, pasi u furnizua në disa bisnese, u nis menjëherë, se bashku me djalin e saj Fatjonin dhe i dhuruan ndihma ushqimore e veshje për vajzat, që nuk kishin me se të ushqeheshin. Sonte ato do të flenë me barkun plot e mbi të gjitha me dashurinë e pakufishme të bamirëses së tyre, nga e cila duhet të marrim shembull të gjithë! Vajza e madhe e kësaj familje më shkroi këtë mesazh – Dua të falenderoj këtë Nënë me zemër të madhe e zemër flori, që na ndihmoi duke ardhur në shtëpi, e na u gjend në vështirësi. Ne fëmijve na u gjendet pranë si dielli që ngroh e si hëna që ndriçcon, si Nënë Tereza plot me ushqime e veshje na ndihmoi e me mirësi na bekoi. Jam një vajzë e vogël, që më rrjedhin lotet, për motrat e për nënën që vuan me kancer në gji, Të shkruaj ty o Nëna Luçi, Të lutem jepi shpresë mamit Tim, që mos kryejë vetëvrasje e mos na lerë Tre motra jetime, sepse një ditë I doli para makinës dhe teta Leda e shpëtoi që gazetares teta Kozeta I telefonoi dhe I tregoi se kishim tre ditë pa bukë dhe e mbanim frymën me ujë e sheqer. Ajo të njoftoi o teta Luçi, që së bashku me djalin tënd ardhët brenda ditës e na sollët ushqime e veshje dhe na shpëtuat jetën. Muajin tjetër do të na nxjerrin nga shtëpia, ndaj ju lutem mundësoni që ne të jetojmë në një shtëpi si gjithë njerzit e tjerë… Ndaj me këtë shkrum unë u bëj thirrje të gjithëve për ndihmë, që sipas mundësive të ndihmojmë që të dalin nga situata e vështirë për mbijetesë familjen e Lavdije Malaj nga Patosi, lagjja e re, me tre fëmijë. Gjithashtu dua të falenderoj Shoqatën Shqiptare për Personat në Vështirësi, që në këtë prag të ndërrimit të viteve ka ndihmuar me djetra familje në nevojë, me veshje e ushqime duruar nga Kopshti Markelino me z. Mevlan Troka Vlore, Kisha e Krishtit Fier, bisnesmenet Pilo Lala Lushnje, Ermal Hyseni Tepelene, Hazbi Rrapaj Vlore, Si dhe Erjon Haruni, Noli Hena, Lida Maliqaj e Enida Caushaj nga Vlora, Marinela Skenderaj, Mimoza Mertiri, si dhe Durimin nga Kosova. Falenderimi u takon edhe të gjithë antarëve e vullnetarëve, që punojnë pa shpërblim, në çdo veprimtari të këtij lloji. Personalisht kam marrë pjesë në disa të tilla, në ndihmë të grave në nevojë e nënave me fëmijë jetimë, ku jam mrekulluar jo vetëm nga përkushtimi i Luçit, por edhe vajzës së saj Mimoza Mërtiri dhe i djemve. Ashtu si kanë bukurinë e pamjes e kanë edhe bukurinë e shpirtit… Mendoj se dhurata më e madhe që mund ti bësh dikujt është edhe koha jote, sepse kur i dhuron kohën tënde, i dhuron një pjesë të jetës tënde, që nuk do të kthehet kurrë mbrapa….