Dita: Një foto dhe disa pyetje Edit dhe Lindës
Në shtator 2017 zyra e shtypit në Kryeministri njoftoi publikun se kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Nju Jorkut në kuadër te sesionit vjetor të OKB-së.
Por si asnjëherë tjetër raportimet e zyrës së shtypit pranë kryeministrit kanë qenë krejt të pakta ndërsa i vetmi takim zyrtar i raportuar ishte ai ndërmjet Ramës dhe Erdogan.
Një nga arsyet e vizitës e nxjerr pas disa ditësh bankieri shqiptaro-amerikan Richard Lukaj.
Ai publikoi një foto ku shihej Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda Rama dhe biznesmeni Lukaj bashkë me vajzat që darkonin.
Një darkë private, në ambient privat ku merrte pjesë kryeministri i Shqipërisë në udhëtim zyrtar.
Kishte portale që asokohe shkruan se “ndërsa udhëtimi i tij me paratë e shqiptarëve në Nju Jork mund të quhet me plotë gojë një dështim diplomatik si shtetar, dhe një sukses personal për portofolin familjar”.
Teprime ose jo, një pyetje mbeti pa përgjigje: Pse ishte në atë darkë kryeministri dhe çfarë kishte ai për të biseduar me një biznesmen, i cili si çdo biznesmen në botë rend pas parasë?
Përgjigja gjendet nëse sheh Këshillin Drejtues të bankës ABI: Linda Rama dhe bankieri shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova Richard Lukaj janë të dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të kësaj banke.
Të tillë ishin edhe kur ndodhi takimi në Nju Jork. Madje Linda dhe Lukaj janë futur në Këshillin Drejtues në të njëjtën ditë.
Këtë e provon dokumenti që Dita boton sot:
“Depozitim i Rezolutes Nr.64, datë 07.01.2016, ku është vendosur emerimi i z.Richard Lukaj dhe zj.Lindita Rama si anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues”, thuhet në Regjistrin e Binzeseve, referuar emërimit të Linda Ramës në Këshillin Drejtues të “ABI Bank”.
Ky emërim është miratuar më pas edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila në përgjigjen drejtuar administratorit të “ABI Bank” jep miratimin paraprak për këto emërime.
Në shkresën e datës 19 janar 2016, Departamenti i Mbikëqyrjes me drejtor z. Denis Dëralla i kthen përgjigje “ABI Bank”, duke konfirmuar procedurat dhe dokumentet e paraqitur prej tyre.
“Mbështetur në dispozitat e ligjit të Bankat, Banka e Shqipërisë vendosi miratimin paraprak për emërimin e znj. Linda Rama, Richard Lukaj në pozicionin e anëtarit të Këshillit Drejtues”, thuhet në shkresën e drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.
Mesa duket ajo e Nju Jorkut ishte një darkë kortezie edhe mes dy kolegëve që drejtojnë një bank të nivelit të dytë në Shqipëri.
A përbën kjo një skandal?!
Nëse kjo foto do të ndodhte në ndonjë vend tjetër europian, kryeministri i atij vendi do të jepte dorëheqjen e menjëhershme për shkak të konfliktit të interesit.
Sipas përvojës në botë, përfshirja në sistemin bankar është një qasje e preferuar zakonisht nga politikanë të korruptuar.
Ndërkohë, biznesmeni Lukaj ka falënderuar kreun e qeverisë shqiptare duke postuar edhe foton në rrjetet sociale.
“Falënderime të veçanta për Kryeministrin e Shqipërisë dhe gruan e tij të bukur Linda që lejuan fëmijët tanë të bashkohen me ne për darkë dhe duke u dhënë atyre mesazhet e tyre simpatike, dhe optimiste. Jemi mirë kur janë të mirë Shqiptarët” – shkruante ai.
Pyetje për z.Rama: Si e komenton ai si kryeministër faktin e përdorjes së një vizite zyrtare për një takim privat dhe lidhjen e personave në tryezë me interesa private të sistemit bankar?
Dhe si shpjegohet që fuqizimi i kësaj banke private në Shqipëri ka qenë i dukshëm, duke përfshirë në blerje dhe projekte blerjesh banka të tjera të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri?
A e konsideron kryeministri veten në konflikt të dyfishtë interesi?
Dhe veç këtyre vijmë tek ajo që është shumë problematike në rastin në fjalë.
Pronarët indirekt të ABI Bank, NCH Balkan Fund, L.P dhe New Century Holdings XI, L.P janë regjistruar në një zonë offshore.
NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër, New Century Holdings XI, L.P.
Burimet e financimit të kësaj banke dhe pronarët realë janë të paidentifikueshën.
Pyetje për zonjën Rama: A nuk ndjen ajo detyrimin të dijë nga vjen rroga e saj?
Kush e paguan zonjën Rama? Cilët janë punëdhënësit e saj realë?
A e ndjen si detyrim ndaj vetes për shkak të pozicionit si bashkëshorte e kryeministrit dhe ndaj publikut ta japë këtë përgjigje?
A mund të paguhet bashkëshortja e një kryeministri nga fonde të fshehura?
E ka detyrim dyfish ndaj votuesve të Rilindjes që (përveç të tjerave) pikërisht për situata dhe përfshirje të tilla kundërvotuan një kriminel si Sali Berisha.
Jo zyrtarisht përflitet se bashkëshortja e kryeministrit dhe Lukaj janë në fakt aksionerë të kësaj banke, por kjo mbetet një përfolje për sa kohë ishujt Kajman apo parajsat e tjera fiskale ndaj quhen të tilla, sepse nuk i deklarojnë këto të dhëna.
Atje regjistrohen ata që kanë shumë për të fshehur.
Po edhe sikur mos jetë aksionerë, skandali mbetet sërish në përmasa të mëdha.
Zonja Rama mund të jetë e vetmja bashkëshorte kryeministri në botë që paguhet nga fonde të fshehura.
Është njëherazi ndër rastet e rralla, ndoshta i paprecedentë për tërë sistemin financiar global, që zonja e shefit të qeverisë, përmes saj familja kryeministrore, përfshihet drejtpërsëdrejti në sektorin bankar privat.
Për më tepër, po e përsërisim, në një bankë të regjistruar në parajsa ofshore, të cilat, as duhet të afrohen në një vend, ku, për fat të keq, korrupsioni është prej 2-3 dekadash kryefjalë qeveritare.
Për më tepër çfarë bëjnë gratë e kryeministrave në rajon dhe në Europë?
Ka vende që e ndalojnë me ligj punësimin e bashkëshorteve të kryeministrave, qofë në publik apo në privat, përsa kohë zgjat mandati i tyre.
Ka pasur edhe nga ata që kanë lënë hijen familjare në këtë lëmë. Shembulli më i rëndë, që nuk ka lidhje me rastin tonë, është ai i kasapit ballkanik, Millosheviç, i cili, me gruan dhe djalin e tij, u bënë përbindësha dhe zhvatës të financave dhe të politikës serbe.
Të tjerët? Sot, në Kosovë, shteti ynë paralel shqiptar, shefi i qeverisë , Haradinaj e ka gruan e tij gazetare, punë që ka kryer edhe kur Ramushi ishte pjesë e lëvizjes ilegale.
Në shtetin gjerman, ku qeverisë prej më shumë se një dekadë zonja e hekurt, Merkel, asnjë funksion të tillë, që bie ndesh dhe është në konflikt interesi, nuk ka bashkëshorti i saj, për më tepër, pak vetë e njohin atë.
Zonja e Presidentit francez drejton një shoqatë bamirësie e angazhuar në të drejtat e njeriut, çka, herë pas here, edhe kaq mund të bjerë në kundërshtim me hapat e qeverisë së bashkëshortit të saj.
Miku i ngushtë i Edi Ramës në Kosovë, Hashim Thaçi, si edhe më parë, bashkëshorten e tij e ka në sistemin e arsimit, e po kështu edhe shefi i kuvendit, Veseli.
Shembuj të tillë, nga e gjithë bota evropiane, mund të sjellim me dhjetra.
Në Shqipëri, për fat të keq, kemi pasur devijime, të cilat kanë rënduar jo vetëm pozitën drejtuese të shefit të qeverisë, imazhin e tij, por edhe vetë shtetin, duke krijuar një pamje nepotike dhe përfituese.
Familja kryeministrore Berisha, si askush tjetër më parë, krijoi, përmes një katërshe familjare, kapjen e segmenteve të shtetit. Bashkëshortja e tij mblodhi rreth vetes biznesmenë të dyshimtë, që më parë i kishte mallkuar burri i saj, por që më pas, duke e afishuar këtë afërsi me familjen dhe duke bërë dhurata të çmendura, shmangën pagimin e detyrimeve ndaj shtetit dhe këto ishin detyrime qindra milionë dollarëshe.
Përmes asosacionit të saj kanë kaluar shumë të mëdha,por askush nuk e di përfundimin dhe trajtimin e tyre. Biznesmenë të fuqishëm pa asnjë lidhje me artin dhe refuzues ndaj tij, blinin me çmime përrallash, tabllo , shuma e të cilëve edhe tani nuk ka adresim të saktë.
Bija e tij kërkonte dy apo tre për qind për kontratat që lidhte babai i saj, ndërsa i biri, nuk u mjaftua vetëm me Gërdecin.
Gruaja e ish presidentit Nishani, duke përfituar nga qënia e tij në postin shtetëror, zgjidhte hallet e gjyqeve të saj dhe gati shembi edhe kishat e Elbasanit. Prona kishin edhe të tjerë si ajo, por as i kanë marrë dhe as nuk ëndërrojnë ti marrin.
Rasti i zonjës Rama risjell precedentin e krijimit të një konflikti të hapur interesi, mes pozitës në një bankë private, e cila rritet financiarisht dhe merr lehtësisht licenca nga Banka e Shtetit.
Zonja Rama mund të jetë financiere e zonja, por, para se të jetë e tillë, tani, ajo është bashkëshortja e shefit të qeverisë.
Përmes këtij shënimi, ne i bëjmë një shërbim shefit të qeverisë, duke përcjellë tek ai atë që nuk duhet të ndodhë.
Të vjetrit thonin se “ këpucari e lë gjithnjë zbathur gruan e tij”.
Ne do të donim me shpirt që shefat e qeverive të mos mbetin zbathur për hir të grave të tyre.DITA
http://www.gazetadita.al/nje-foto-dhe-disa-pyetje-lindes-dhe-edit/