Prof. Dr. Sokol Sadushi zgjidhet President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Ndërsa Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë (Akademia “zyrtare” e vendit) ndodhet prej kohësh në një krizë të thellë ekzistenciale dhe në një luftë klanesh për lidershipin e këtij institucioni, në Tiranë, në një atmosferë të admirueshme mirëkuptimi e bashkëpunimi kolegjial, u mbajt Mbledhja Vjetore e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave (Akademia “jozyrtare” e shqiptarëve brenda e jashtë territorit të vendit).
E themeluar shtatë vite më parë, në dhjetorin e vitit 2011, sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, nga një grup personalitetesh të spikatura shqiptare në fushën e shkencës, të artit e të kulturës në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në diasporë, kjo Akademi ka dhënë e jep një kontribut të vyer për gjallerimin e jetës kulturore e shkencore në Shqipëri, për ngritjen e standardeve artistike dhe akademike në të mirë të zgjithjeve racionale për probleme të rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare, si dhe për popullarizimin në tregun global të vlerave, ideve dhe arritjeve më të mira të artit, të letërsisë, të kulturës e të shkencës shqiptare.
Në përbërje të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave janë mjaft personalitete të shquara, si Ismail Kadare, Ermonela Jaho, Inva Mula, Helena Kadare, Ksenofon Krisafi, Përparim Fuga, Fatos Tarifa, Romeo Gurakuqi, Pëllumb Xhufi, Isuf Kalo, Moikom Zeqo, Panajot Boga, Marenglen Spiro, Luljeta Bozo, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Sokol Sadushi, Llukan Puka, Pandeli Çina, Kujtim Çashku, Eno Koço, Sali Shijaku, Tedi Papavrami, Edvin Prifti, Arben Baboçi, Aleksandër Xhuvani, Gëzim Hoxha, Alqi Çullaj, Evan Rroço, Artan Hoxha, Dhimitër Dhora, Alajdin Abazi, Abdylmenaf Bexheti, Shefkije Islamaj, Rafet Rudi, Bashkim Ahmeti dhe Anila Paparisto.
Anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave janë edhe një numër personalitetesh të shquar të huaj, si Lordi Anthony Giddens, Amitai Etzioni, Craig Calhoun, Bryan Turner, Victor Friedman etj.
Mbledhja Vjetore e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave zgjodhi Kryesinë e re të saj. President i Akademisë u zgjodh Prof. Dr. Sokol Sadushi, eksperti i njohur i së Drejtës Administrative, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese (1998-2011) dhe aktualisht Drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
Nga themelimi i kësaj Akademie e deri më sot, postin e Presidentit të saj e kanë mbajtur (në rend kronologjik) Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Marenglen Spiro, z. Limos Dizdari, Prof. Dr. Fatos Tarifa, Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Prof. Dr. Luljeta Bozo.