Java politike në këndvështrimin e Xhoi Jakës
1.
Studentët dhe greva, për mendimin tim janë në pikën e hallit, mes humbjes dhe fitores, sepse në një sistem diktatorial siç po kthehet ky yni fitoret nuk bëhen pa drejtues dhe pa masën e gjerë popullore me vete, të dy këta elementë protestës i mungojnë, i ka mbetur vetëm pak mbështetje nga disa televizione dhe protesta nuk ështe e organizuar në asnjë detaj. Ndjesë se jam vetë pedagoge e më dhemb humbja tyre, por ca janë në shtëpi, ca në leksion e ca të tjerë ngujuar në disa klasa dhe nën një presion shumë të madh nga policia private e universiteteve, nga policia e shtetit dhe vetë shteti e partitë që i përçan. Në Shqipëri tashmë është instaluar sllogani “përça dhe sundo”.
2.
Të gjithë u morën me çështjen pse një i ri nga Kosova duhet të ketë shansin të drejtojë diplomacinë shqiptare e jo një nga Shqipëria nuk është e mundur të ketë një portofol ministror në Kosovë. Mbase ndodh një ditë, ne jemi populli që vjellim shumë vrer, shajmë, fyejmë denigrojmë dijen e padijen, pra nuk ka një kufi ndarës mes së mireë dhe së ligës këtu te ne, mjafton një sulm në rrjetet sociale për një person dhe e masakrojmë atë me libër shtëpie, ia rreckosim diplomat dhe shkollimet edhe sikur t’i këtë të tëra në rregull ne hedhim baltë mbi çdokënd, e të arrestojmë pa pikën e provës; jemi popull që marrim njëri- tjetrin me gurë vetëm partia mos na preket…
3.
E pa llogjikshme lufta midis Presidentit dhe Kryeministrit, por do pajtohen, mos u lodhni fare, edhe nëse jo, për disa vite të tjera këto koka do e drejtojnë këtë vend dhe ne do bëjmë shkrime në portale e do dëgjojmë analistët në studio televizive duke na treguar e llafosur për politikanët tanë të nderuar, cili vlen më shumë e cili më pak, por me hallet e të shkretit popull askush nuk merret…?!
4.
Dëbora e të ftohti ka mbuluar gjithë vendin e dhjetra fshatra në Shqipëri i kemi pa bukë, ushqim, medikamente dhe energji elektrike e përveç dy ministreve që dolën dje në televizor me sfond dëborën e bardhë nuk kemi dëgjuar të merren masa konkrete e të ndihmohen këta banorë nga temperaturat shumë të ulta dhe varfëria e tejskajshme në limitet e jetës.
5.
Jemi një popull i pa vetëdijshëm për hallet tona dhe se çfarë po na bën politika, e gjithnjë zgjedhim të keqen më të madhe jo atë më të voglën dhe justifikohemi me shprehjen ‘partia ime është më aftë dhe e drejtë se ajo e jotja’ edhe pse partia e asnjërit hallet nuk ua zgjidhi kurrë e të dy bashkë-biseduesit janë në të njëjtën varfëri ekstreme…
Zoti e shpëtoftë këtë vend nga politika e mbrapshtë dhe ne si popull nga keq përdorimi që po na bën kjo politikë ndër shekuj…