A e shkaktoi konflikti Meta-Rama dorëzimin e Balilit?
Klement Balili, njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare, i mbiquajtur edhe “Eskobari i Ballkanit”, pas dy vitesh në arrati, është vetëdorëzuar.
Emri gati i ishte harruar bashkë me fashitjen e fushatës për dekriminalizimin e politikës, bashkë me largimin e ambasadorit të fundit amerikan, i cili këmbëngulte për arrestime peshqish të mëdhenj.
Po përse duhet të vetëdorëzohej Klement Balili në një kohë kur askush nuk po kujtohej për të?
Pse duhet të dorëzohej në një kohë kur Shqipëria po tronditet nga skandale korrupsioni, nga protesta studentore e hallexhinjsh që po ju prishen banesat nga projekte që mbajnë erën e vjetër të zhvatjes së përqindjeve nga buxheti i shtetit?
Përse duhet të ndodhte në momentin kur konflikti mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama ka eklipsuar e nxjerr në plan të dytë pothuaj gjithçka tjetër?
Që të kemi një panoramë më të qartë, duhet të shpërngulemi pak në histori.
Banor i Sarandës, Klement Balili njihej nga bashkëqytetarët e tij si një tip i aftë për të bërë vetëm një punë: trafik marijuane apo kanabisi. Porse në momentin që Partia Socialiste e Edi Ramës, në aleancë me LSI-në e Ilir Metës, morën pushtetin më 2013, Klement Balili u pa si më i afti për në një post që askush nga ata që e njihnim mirë nuk e besoi. Ai kapi karrigen e ngrohtë të drejtorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor të Sarandës. Emërimi ishte firmosur nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, i zgjedhur nga LSI, saktësisht i caktuar nga Ilir Meta. Ishte koha kur pushteti, tepsia dhe sidomos detyrimet kishin krijuar një perde goxha të trashë përpara syve të të sapoardhurve në pushtet.
Porse kohët rrodhën, Klementi nuk e harroi kanabisin. Përkundër. I ndihmuar nga pushteti, zanati i vjetër pati edhe më tepër sukses dhe kjo vazhdoi deri në ditën kur e bëri baltë, duke u hapur shumë e duke tërhequr pas aromës, veç të tjerëve, edhe amerikanët. Ishte pikërisht hetimi i DEA-s amerikane që në fund të vitit 2016 nxori emrin e tij si shef të një organizate kriminale që kishte ndërtuar një nga linjat më të fuqishme të trafikut të drogave në Ballkan. Një zbulim që shpejt do i sillte Klement Balilit titullin e merituar: “Eskobari i Ballkanit”.
U tha zyrtarisht se policia shqiptare dështoi me arrestimin e tij, ndërkohë që mediat emetuan dekonspirimin. Qysh nga kjo kohë Klement Balili u konvertua në të kërkuarin numër një të drejtësisë shqiptare edhe për shkakun se supozoheshin lidhje të forta të tij me disa ministra apo krerë të pozitës, madje shkohej deri atje sa thuhej se, për disa prej tyre, Balili posedonte videopërgjime shantazhuese.
Ndërkohë shigjetat drejtoheshin te LSI-ja dhe Ilir Meta që akuzoheshin se, jo vetëm emëruan një supertrafikant në një post kyç të administratës publike, por edhe vijonin ta merrnin në mbrojtje.
Në këto kushte, në janar të vitit 2017, vjen një lëvizje e papritur e Ilir Metës. Nga posti i kryetarit të Kuvendit, ai i kërkoi Presidentit Bujar Nishani, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ta mblidhte në një kohë sa më të shpejtë këtë këshill. Shqetësimi i madh i Ilir Metës ishte të analizoheshin të gjitha veprimet apo mosveprimet e institucioneve shqiptare, që kishin çuar në mosarrestimin e Klement Balilit, këtij “personazhi kryesor të botës së krimit”. Një lëvizje që, më shumë se interesim për të vënë drejtësi, u konceptua si larje duarsh me Klement Balilin dhe akuzat që po derivonin për shkak të tij.
Ujërat rrodhën, pak muaj më pas Edi Rama e mori për vetë të gjithë tepsinë e pushtetit, ndërsa Ilir Metën e emëroi President të Republikës. Me kalimin e muajve u vërtetua se, e mbetur jashtë tortës së pushtetit, LSI-ja e Ilir Metës nisi të tkurrej, se militantët po kalonin me Partinë Socialiste, qoftë për të ruajtur një vend pune, etj. Më së shumti një fenonem i tillë, i shpërbërjes së partisë, duket se çoi në konflikt të fortë, por gjithsesi, në aparencë të mbajtur në korniza parimore, mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Një konflikt që, me mosdekretimin, nga ana e Presidentit, të shkarkimit të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe mosdekretimin e emërimit të kandidatit të ri, Gent Cakaj, ka mbërritur në pikën më kulmore.
Pikërisht në këtë moment erdhi edhe vetëdorëzimi “rrufe në qiell të pastër” i Klement Balilit, ish-zyrtarit të emëruar nga LSI-ja, që njihet edhe si “Eskobari i Ballkanit”.
Në këtë pikë gjithkush ka të drejtë ta lidhë këtë zhvillim vetëm me konfliktin e fundit Meta-Rama. Pra ka shumë të ngjarë që Klement Balili të jetë vetëdorëzuar për t’u përdorur si mjet shantazhi ndaj Ilir Metës. Atij Ilir Mete që dikur e emëroi në postin e rëndësishëm të Drejtorit të Transportit Rrugor të Sarandës, por që më pas i ktheu shpinën, apo e hodhi poshtë, duke kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare vetëm për shkak të mosarrestimit të tij.
Nga ana tjetër nuk është çudi që, njerëzit që kanë negociuar vëtedorëzimin e tij, të kenë ofruar garanci të tjera, garanci që në çdo rast kanë lidhje me garantimin e një sasie minimale të viteve të dënimit.
Në këtë pikë pyetja që bëhet është: Po Klement Balili çfarë duhet të japë për balancë të minimizimit të këtyre viteve të dënimit? Mos ai ka rënë dakord të dalë përpara gjykatës dhe të cicërojë lidhjet e tij me Ilir Metën apo ndonjë tjetër funksionar të lartë të LSI-së, apo më keq akoma, të nxjerrë ndonjë videopërgjim edhe me përcëllues?
Hapi i parë konkret, që të besojmë këto pandehma, është thjeshtësisht i lexueshëm: Mjaft që gjatë marrjes në pyetje, Klement Balli, apo avokatët e tij, të kërkojnë që ai të marrë statusin e dëshmitarit të penduar të drejtësisë.