Albspirit

Media/News/Publishing

‘KOMPLEKSI ELEKTRA’ & UJËRAT E ÇMENDURA NË DETIN JON (4)

Sotir Athanasi

Megjithatë, Laerti ishte ende në gjendje të mposhtte dalldinë. Ndonëse bindja i shtohej se ajo nuk është vajza e tij. E megjithatë. Ai e kishte rritur atë. E kishte ushqyer me frymën e babait. Kishte lodruar si fëmijë me të. Ishin përkundur së bashku në shilarës. E kishte pritur te porta e shkollës derisa mbaroi uniken. Kishin zgjidhur vazhdimisht detyrat e matematikës. I kishte mësuar abstragimin: veçimin dhe shkëputjen e një fakti për të dalë te përmbledhja dhe përgjithësimet. Për… Por…
Ajo ktheu kryet dhe e kapi gafil të atin. Kjo befasi mahnitëse i pëlqeu asaj. Se nuk e kuptonte që Laerti gjetiu kishte vështrimin dhe tjetërkund mendjen. Ky keqkuptim, në mjaft raste, ka lindur drama. Edhe në çastin tonë, Elektra, si të ishte shndërruar me magji në një kopsht, i hodhi një buzëqeshje të trëndafiltë.
Laerti zhvendos mendimin dhe miklimi mashkullor e trazoi deri në eksitim:
Nga dalldia qe pushtuar së pari ajo.
– Domethënë të shkel mbi lashtësinë? – qe pyetja e saj me dy kuptime.
Laerti i magjepsur nga ajo nimfë deti në UJËRAT E ÇMENDURA ose MANJAKE JONIANE, mbase i gatshëm që ta rrëmbente e ta përpinte me gjithçka, nuk foli. Parapëlqeu të pohonte me kokë, ashtu nga kolltuku. Statusi i pozicionit të atit gjithsesi mbahej ende dhe pengonte. Frenonte. Kurse statusi i vajzës, si të mos qe aspak i tillë, por vetëm dhe pastër një tetëmbëdhjetëvjeçare e paprekur nga asnjë dorë mashkulli deri tani, çuditërisht kërkonte përkëdhelje nga duart e shokut, mikut dhe idhullit të saj: Atij. Ajo në asnjë situatë nuk mendonte për raportin vajzë-prind. Jo. Kjo e trimëronte, ashtu siç e afronte marrëzinë që me çdo kusht kërkonte. Ajo qe gati t’i lutej. T’i binte në gjunjë. Të ledhatohej nga ky mashkull dhe jo nga ai çunaku, moshatari i saj, që dinte, ndonëse aq bukur, vetëm të fishkëllente. Që druhej t’i prekte edhe thjesht dorën. Se ajo ia kishte dhënë mundësinë ta puthte dhe ai qe shmangur. . .

Pas jo më shumë se pesë sekondave më pas, ajo mundi të hipë mbi… Homerin, por s’mundi të qëndrojë sipër tij. Në fillim u vais ngaqë nuk e duroi dhe e mënjanoi I VERBRI. Pastaj u shkëput dhe u tremb. Por ai, që tashmë ishte ngritur më këmbë dhe (ajo me bisht të syrit, siç dinë të vëzhgojnë vetëm femrat) e pikasi dhe parashikoi “rrëzimin”. Pas kësaj, gremisja ndodhi si në harkun e vetëtimës. Nga ana tjetër, Laerti qëndronte i gatshëm për ta…bluar.
O Perëndi!
E mbërtheu me krahët e tij si të qe vërtet ajo, Elektra e dalë nga mitologjia greke dhe…e gatshme për çdo marrëzi të kësaj bote. Se nuk ra. Por bëri sikur ra. U hodh ashtu siç edhe e mendoi në çastin kur (iu duk se e kapi idhullin e saj gafil). Megjithatë, ai e priti si një dhuratë e dërguar nga mbiqiejt. Në të vërtetë: për të fundit herë ato këmbë të bukura, mbi Homerin e verbër kishin prekur. Prandaj do të qe më e saktë të thoshim se Elektra e Homerit kishte dërguar kopjen e saj në studion e mashkullit të vërtetë për të cilin tërbohej ajo më keq se UJËRAT E ÇMENDURA TË JONIT, që me siguri po rridhnin në drejtimin e kundërt: jug – veri dhe jo veri – jug siç bënte xhiro një çunak buzë bregut duke vërshëllyer herë pas here. Ajo e puthi babanë me afshin e një të reje në moshë që adhuron mashkullin e saj. Edhe Laerti, për një hop, mënjanoi statusin e tij. Dhe, siç e ushqeu fillesën, qe gati t’ia shqyente dekoltenë, e cila, edhe ashtu, vetëm formale ish. Këtë priste ajo.
Kësaj i druhej ai.
Se qe një rit kënaqësie për të kur bënte dashuri me mamanë e Saj dhe që Ajo e kishte parë rastësisht. Madje e kishte fiksuar dhe, kuptohet, edhe e kishte përgjuar për ta riparë. Prandaj e mbante  mend mirë duke e ëndërruar për vete. Kë? Vetëm atë çast. Kur ai e ulte mbi krevat për të vazhduar…me realizimin e një dëshire horizontale, si dhuratë të dashurisë.
Ajo po ia zinte frymën pa e kuptuar. Duart e saj qarkuar pas qafës sikur kërkonin të zbraznin të gjithë afshin, krejt pasionin e ndrydhur në vite që s’mbaheshin mend.
Mbase në ato të pararendëses së saj, për të cilat HOMERI I VERBËR E I DURUAR na shpjegon lashtësinë.
Ai e uli si të qe e kristaltë mbi parket dhe kishte kujdes që Asaj të mos i shkonte mendja për vazhdimësi të kësaj marrëzie.
Nga ana tjetër, Ajo me këtë veprim priste DËSHIRËN HORIZONTALE TË VALLËZIMIT. Se veshët po i buçisnin nga një muzikë e ngjashme me kushtrimin për luftë. Të asaj beteje të trupit me trup. Ani se ishte…TURPI me TURP. Prandaj e hoqi veten të pafuqishme për t’u ngritur duke bërë ca lëvizje që motivonin pikërisht dobësinë.
Dhe kur ai, (si shumica e burrave)  e mori për të vërtetë gënjeshtrën e saj dhe u përkul ta ndihmonte, ajo e tërhoqi dhe ai i ra sipër. Ajo kërkoi edhe një herë buzët e tij. Ky ia dha. Qe e fundit tolerancë. Por… Për këtë rreng ai e goditi me një shpullë të fortë.
– Këtë e ke për kurthin që më ngrite, – i tha me seriozitetin e babait.
Çuditërisht ajo, jo vetëm nuk u zemërua, por fërkoi faqen me pëllëmbën e saj të cilën më pas e puthi.
Laerti, si të ishte goditur ai nga ajo, ndjeu dhimbjen e atit dhe u pendua.
Kur u ngritën, megjithatë si dy trupa të ngjitur, me eskimezët ata ngjasonin. Dhe kjo qe një tjetër tolerancë e paparashikuar; ndonëse në fillim ai, pastaj ajo, hoqën dorë nga vazhdimësia. Nga mëkati. Nga inçesti. Nga gjaktrazimi. Nga Marrëzia. Por a qe Ajo e bija? Këtë do të vazhdojmë ta zbërthejmë më poshtë.
– Boll të lashë të plotësoje dëshirën. Kështu?
– Jo plotësisht ashtu. Megjithatë të falënderoj, idhulli im, i ëmbli im!
– Unë shkela edhe mbi personalitetin tim në statusin e prindit, për të cilin dyshoj. Tani kam unë një dëshirë, – u nxitua të shtojë ai:
Asaj iu rikthye shpresa. I ngjau se idhulli i saj qe penduar.
– Me kënaqësi do ta plotësoj, i shtrenjti im, – shprehu me të njëjtin ngut ajo gatishmërinë dhe e puthi sërish. Ai e shkëputi ëmbël, por ky veprim ia shtonte asaj dëshirën, e tundonte vazhdimin e marrëzisë.
– Je e sigurt?
– Për çfarë? – pyeti ajo dhe një hutim kënaqësie të rreme e bëri të harrojë kërkesën e tij.
– Për të plotësuar një dëshirë timen.
– Dhe e vë në diskutim?

– Po!
– Më jep fjalën?
– Për kokën tënde, jeta ime!
Ai nxori nga nën’ndenjësja litarin dhe i tha:
– Lidhmë me këtë litar në kolltuk.
Ia la në dorë dhe u ul të priste… ndëshkimin. Kundërshtimin e aaj e garantonte betimi.
Elektra (le të vazhdojmë ta quajmë kështu tanimë vajzën), u befasua.
– Pse, baba?
– Sepse më dhe fjalën.
– Të lutem, baba! Çliromë nga betimi!
Ai nuk i dha përgjigje, ndonëse edhe vetë nuk e pëlqente këtë zgjidhje.
Ajo nuk e përsëdyti pyetjen, por sytë iu mbushën përnjëherë me lot.

Please follow and like us: