Qëndresa do të çlirojë demokracinë e robëruar
Koço Kokëdhima
Studentët vijojnë prej ditësh protestën e tyre stoike, duke u ngujuar brenda fakulteteve. Ata janë në të ftohtë, herë të ngrënë herë të pangrënë, nën presion e nën dhunë, por të vendosur në luftën dhe kërkesat e tyre. Mbi 73 për qind e studentëve të Universitetit të Tiranës duan që ngujimi i shokëve të tyre dhe bojkoti i procesit mësimor të vijojë.
Në dhjetor e në vazhdim qeveria u përpoq me çdo mjet për ta joshur e thyer protestën me VKM-ra, me presione, përçarje e dhunë, me lëshime të pjesshme e të parëndësishme, me reduktime tarifash, fasada godinash, premtime demagogjike dhe masa të tjera gjysmake.
Protesta u drejtua qartazi kundër PS, PD dhe LSI duke e fajësuar lidershipin e tri partive të vjetra si njësoj përgjegjës për korrupsionin, papunësinë, varfërinë, shkatërrimin e arsimit dhe të jetës së popullit në vend. Elita e korruptuar politike e ka halë në sy protestën studentore. Partitë e vjetra, veçmas apo së bashku, haptazi ose fshehurazi u përpoqën për ta kontrolluar, përvetësuar e minuar atë, për ta penguar, zvogëluar, kompromentuar, izoluar, thyer dhe likuiduar. Shteti i kapur nga mafia e partive lufton për ta shtypur protestën brenda mureve të fakulteteve, duke përdorur Policinë dhe të gjitha institucionet e shtetit, policitë private, duke shpërndarë fake news-e, duke përdorë gazetarë, gjithfarë mediash, veprimtarësh e intelektualësh apo duke kërcënuar me djegien e vitit akademik. Por nuk ja kanë arritur dot. Lëvizja studentore nuk po mposhtet.
Studentë të tjerë janë ngujuar në Elbasan me parrullën ‘O sot, o kurrë!”. Mijëra të tjerë solidarizohen përditë me bashkëmoshatarët e tyre, duke bojkotuar masivisht procesin mësimor. Fakti që bojkoti është total dhe auditorët janë bosh tregon se dimensionet e protestës nuk janë zvogëluar asnjë presje. Taktika e përdorur nga studentët për t’u tërhequr nga sheshi përpara kryeministrisë rezulton tërësisht efektive dhe i la pa mision edhe renegatët e partive të vjetra që punonin për ta minuar protestën nga brenda.
U detyruan të ikin me bisht në shalë nga sheshi përpara kryeministrisë të infiltruarit e PS, PD dhe LSI-së që e kishin çuar moshën mesatare të studentëve protestues në shesh mbi 40 vjeç dhe përpiqeshin me çdo mjet për ta diskredituar e mbytur protestën studentore. Pa dyshim që protesta do të marrë edhe më shumë përgjegjësi. Ajo do të prodhojë ndryshime të mëdha. Dita -ditës konflikti mes saj dhe kastës drejtuese antipopullore do ashpërsohet. Regjimi tiranik dhe i korruptuar i Tiranës do thyhet! Zgjedhjet do demokratizohen! Autokracia do të bjerë bjerë! Partitokracia do shembet! Protesta studentore do të fitojë!