Maya Angjelu: Ngrihem përsëri
Njësoj si dielli, njësoj si hëna,
në baticat në harmoni,
njësoj si shpresa që çohet lart,
unë do ngrihem përsëri
Mos të lëndon krenaria ime,
mos ndoshta kujton se po lajthis,
se qesh sikur kam miniera ari,
atje prapa, në oborrin e shtëpisë?
Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
mund t’i plagosësh sytë e mi,
mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
por njësoj si era do ngrihem përsëri.
Brengosesh se jam e bukur, seksi,
pse të kapi papritur habia?
se unë eci sikur kam diamante
aty ku takohen këmbët e mia?
Nga kasollet e turpit te historisë,
unë ngrihem.
Nga e kaluara e hidhur, mes bukurisë,
unë ngrihem.
Jam ujvarë e lartë, e zezë freskuese,
po fryhem e derdhem po aq tmerruese.
Duke lënë pas frikën e natës së gjatë
unë ngrihem.
Në një agim mrekullisht të qartë.
unë ngrihem.
Duke bartur dhuntitë e të parëve të mi,
jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri,
unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem,
Ngrihem përsëri!
Përktheu: V. Marku