Albspirit

Media/News/Publishing

Janusz Bugajski: Ballkanizimi i Britanisë

 

Ndërkohë që po afrohet ora e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, vendi jo vetëm që përballet me beteja të mëdha politike dhe kërcënime ekonomike por edhe me mundësinë e copëzimit. Ndërsa pavarësia e Skocisë mund të jetë kthyer në rendin e ditës, po rritet frika në Irlandën e Veriut që ishulli irlandez mund të ndahet përsëri dhe do të kthehet dhuna.

Kryeministrja Theresa May ka dështuar të negociojë një marrëveshje të Brexit që do mund të miratohej nga parlamenti britanik. Në mungesë të një marrëveshjeje të minutës së fundit, dalja e Britanisë nga BE do të shkaktojë dallgë politike dhe ekonomike.

Mbështetësit e Brexit deklarojnë që pavarësisht nga disa probleme afat-shkurtra, MB do të lulëzojë pasi të largohet prej eksperimentit të dështuar nga një BE të dominuar nga Gjermania. Ata nuk specifikojnë se sa e gjatë dhe e dhimbshme do të jetë kjo periudhë “afat-shkurtër” dhe që mund të duhen vite për të negociuar marrëveshje të reja dypalëshe në gjithë globin.

Britania nuk do të jetë më një palë në kuadrin legjislativ dhe rregullator që ka sunduar tregtinë e saj të jashtme dhe ekonominë e brendshme për katër dhjetëvjeçarë. Vendet e BE-së do të rivendosin regjimet doganore dhe kamionët britanikë nuk do të kenë më të drejtën të transportojnë mallra për në BE. Eksportet e MB për në BE do të përballen me tarifa prej 4.3 %, duke dëmtuar në këtë mënyrë bizneset qëkonkurrojnë me rivalë më të lirë evropianë. Disa ekonomistë po paralajmërojnë edhe që Britania mund të përjetojë mungesa në furnizimet me medikamente dhe ushqime.

Kontrollet shtesë dhe tarifat në kufi do të bllokojnë portet dhe do të ndërpresin zinxhirët e furnizimit për bizneset britanike. Në vend që të rrisin produktivitetin dhe krijojnë vende pune, bizneset tashmë kanë filluar të devijojnë burime drejt krijimit të stoqeve të mallrave apo largimit nga MB. Gjithashtu dhe buxheti i Britanisë do të goditet rëndë, meqenëse një pjesë e madhe e sektorit të shërbimeve fitimprurëse financiare do të zhvendosen për në kontinent.

Banka e Anglisë ka paralajmëruar që një Brexit i çrregullt do të shtyjë ekonominë e MB drejt një tkurrjeje prej 8% deri në fund të dhjetëvjeçarit dhe që vlera e sterlinës mund të bjerë me 25%. Përllogaritjet nga udhëheqësit e biznesit tregojnë që industritë e automjeteve, kimike dhe farmaceutike, të cilat tregtojnë shumë me BE, do të tkurren me më shumë se 20% në vitet e ardhshme.

Kjo çarje që pritet ka gjithashtu një përmasë kombëtare dhe territoriale. Mbretëria e Bashkuar përbëhet nga katër vende – Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Tre të parat shtrihen në ishullin e Britanisë, ndërsa Irlanda e Veriut ndan një ishull me Republikën e pavarur të Irlandës, e cila do të mbetet një anëtare e BE-së. Ndërkohë që shumica e banorëve të Anglisë dhe Uellsit votuan të largohen nga BE, një pjesëe madhe e Skocezëve dhe Irlandezëve votuan të qëndrojnë. Këto dallime në votim kanë treguar ndarje politike në rritje të cilat do të zgjerohen pas Brexit.

Dy rreziqet më të mëdha për integritetin territorial të MB janë ndarja e mundshme e Irlandës së Veriut, siç ka nënkuptuar Marrëveshja e Brexit mes qeverisë dhe BE-së, dhe një referendum i dytë në Skoci që do të siguronte pavarësinë e vendit nga MB.

Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së Veriut është aktualisht në një koalicion me Konservatorët Britanikë dhe mban ekuilibrin e pushtetit në Westminster. Ajo është gjithashtu një nga pengesat më të mëdha për May që ajo të miratojë marrëveshjen e saj të Brexit në parlament. Unionistët këmbëngulin që marrëveshja nuk zgjidh kërkesën e tyre më të rëndësishme: të mos ketë kufi të fortë ndërmjet Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe.

Irlandezët e Veriut kanë përfituar nga qenia brenda BE-së, edhe për shkak të lehtësisë së tregtisë me Republikën e Irlandës. Megjithatë, Unionistët në veri kanë frikë që në shkëmbim të një kufiri të butë në ishullin e Irlandës, i njohur si “backstop”, qeveria në Londër do të zbatonte një kufi të fortë me Irlandën e Veriut që do të ndikonte mbi tregtinë dhe udhëtimin ndërmjet pjesëve të të njëjtit shtet.

Anketimet e fundit kanë treguar që votuesit konservatorë në Angli do të pranonin dhe një ndarje të MB në shkëmbim të një Brexit të plotë. Në të njëjtën kohë, problemet ekonomike dhe kaosi institucional në MB do të shtojë mbështetjen për bashkimin irlandez dhe mund të rindezë konfliktet e dhunshme ndërmjet Republikanëve Katolikë pan-irlandezë dhe Unionistëve Protestantë pro-britanikë.

Edhe situata në Skoci mund të bëhet e paqëndrueshme, ku mbi 62% e popullsisë votuan të qëndrojnë në BE. Në vitin 2015, votuesit skocezë mbështetën në shifra të larta Partinë Nacionaliste Skoceze që është pro pavarësisë, pavarësisht faktit që referendumi i parë skocez i pavarësisë në 2014 nuk arriti shumicën. Një Brexit kaotik që dëmton rëndë ekonominë do të shtojë mbështetjen për një referendum të dytë të pavarësisë në mënyrë që Skocia të mund t’i bashkohej BE-së si një shtet i pavarur.

Historia është një kronikë e ironive dhe paradokseve. Në rastin e MB, një vend që për dhjetëvjeçarëështë përfshirë në parandalimin e uljen e konflikteve në Ballkan, tani përballet me sfida të stabilitetit dhe integritetit të vet që disa mund ta përshkruanin si “Ballkanizimi i Britanisë”./dita/

Please follow and like us: