Vargje poetike nga Reshat Kripa
BISEDË ME VETEN TIME
Ulur një ditë dhjetori,
Nën një shelg po qëndroja,
Degët e tij seç lotonin,
Unë rrija dhe mendoja.
Po mendoja timen jetë,
Iku shpejt duke lotuar,
Porsi deg’e shelgut shkretë,
Plot me dhimbje e mbuluar.
Tek qëndroja i menduar,
Bisedoj me veten time,
Jetën si e kam kaluar,
Plot me dhimbje dhe gëzime.
Pse s’ kujton timen rini,
I them vetes me ngadalë,
Kur më mbyllën që fëmi,
Brenda në kafaz të gjallë?
Nuk më lanë t’ëndërroja,
Botën e lirisë hyjnore,
Nuk më lanë të gëzoja,
Botën e bukur rinore.
Pse, or mik, e mundon veten,
Sot çdo gjë ka lulëzuar?
Prapa teje le të mbeten,
Brengat e rinisë kaluar.
Kështu foli vetja ime,
Unë rrija dhe dëgjoja,
Porse prap me mendjen time,
Ndër mendime fluturoja.
E harrove fëmininë,
I drejtohem vetes time,
E harrove burrërinë,
Zemrën copë dhe thërrime?
I harrove vajzat djalin,
Të përbuzur lënë mënjanë,
Si ta zgjidhja s’dija hallin,
Përt’ia dalë jetës mbanë?
Hape zemrën dhe harro,
Shiko jetën me besim,
Atë kohë mos e kujto,
Hidhe poshtë atë trishtim!
Ku i ke fëmijtë e tu?
Nëpër botë fluturuar.
Mjaft, pra, mos rri më ashtu,
Bot’ e sotme ka ndryshuar.
E dëgjova veten time,
Shihja botën e vërtetë,
Zemra plot me ngazëllime,
Bot’ e vjetër mos u ktheftë!
Vlorë, dhjetor 1993.
JETA IME
Jeta ime pikë loti, pikë loti e mbuluar,
Gjithë brenga, gjithë plagë, plot me ëndrra e kapluar,
Sa kam dashur, sa kam vuajtur, jetën time ta ndërtoj,
Një demon më thosh gjithmonë, unë do të shkatërroj!
Kur i vogël isha unë, ndonjëherë luaja teatër,
Ish pasioni im i parë, pasion si një qiell i kaltër,
Por në qiell qëlloi rrufeja, nxiu tokë e nxiu det,
Seç më mbylli në kafaz, shkatërroi, më nxiu jetë.
Kur u bëra djalë i rritur. prap fillova me tregime,
Shkrova disa poezi, shkrova edhe jetën time,
Por demoni prapë u shfaq, si një gjëmë e mallkuar,
Më sulmoi si përbindësh, ëndrrën për ta shkatërruar.
Çfarë të bëja unë i ngrati, s’mund të rrija duarlidhur,
Zemra ime flakë e zjarrtë, zemra ime çoroditur,
Seç më shtynte drejt përpara, thoshte asgjë mos të ndali,
Dua që të jesh në ballë, dua që të jesh i pari!
E dëgjova zemrën time, bëra siç më tha ajo,
Ferra, gjëmba para rrugës dhe të tjera si këto,
I vërvita në humnerë dhe demonin tim të zi,
E përplasa në skëterrë, prap u bëra djalë i ri.
Dhe tani që jam i thinjur, luftën nuk e kam pushuar,
Kundër çdo padrejtësie, dita ditës kam luftuar,
Dita ditës kam luftuar, do luftoj unë ditë e natë,
Të fitojë drejtësia, brenga ime më e gjatë!
Tiranë, nëntor 2004.
DUA TË FLUTUROJ!
Dua shumë të fluturoj, lart në qiellin pa kufi,
Të kap Hënën, të kap Marsin, universin pa kufi,
Drejt Venerës, Jupiterit dhe planeteve të tjerë,
Tëzbuloj krejt gjithësinë, hapësirën plot me vlerë.
Kjo nuk është veçse një ëndërr, veç një ëndërr e rinisë,
Porsi lodrat fëminisë, ndezin fantazin njerëzisë,
Dhe tani që jam i plakur, tani që nuk kam fuqi,
Sërish unë ëndërroj, sikur jam prapë djalë i ri.
Nga kjo botë jam çuditur, hallakatur, çakërdisur,
Zemra nuk gjen qetësi, mendja ime e lajthitur,
Ndaj dua të fluturojë, fluturojë pa pushim,
Dhe ta mbyll jetën time, atje lart në fluturim.
Atje lart unë le të mbetem, gjithmonë duke fluturuar,
Larg nga brengat edhe hallet, në zemrën time trazuar,
Atje në qiellin e kaltër, atje ku dielli ndrin,
Dua që të mbetem unë, përjetësisht fluturim!
Tiranë, gusht 2008.