Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Cakiqi: Kur erdha në Shqipëri u habita nga skamja dhe pse TVSH e shihja gjithmonë

Intervista/Flet Enver Cakiqi, mjeshtri dhe kampioni dhqiptar i Karatesë dhe Arteve Marciale

 

Albert Z. ZHOLI

 

Enver Cakiqi është një sportist, personalitet i sportit të artit të bukur të karatesë, mjeshtër i disa arteve  marciale siç janë Kick Boxing, Jiu Jitsu, Tactical defense. Njeri mjaft i suksesshëm. Në rininë e tij ka pasur fitore trofesh në Europë edhe në botë ku me pjesëmarrjen e tij ka përfaqësuar fillimisht KK-Kosovatrans Podujevë deri në vitin ’89, pastaj në Gjermani ’90-ta deri më tani. Disiplina kryesore në të cilën ai ka marrë pjesë është në “Karate”. Në janar të vitit ’91 vjen në Shqipëri duke parë që u hapën proceset demokratike, ju dha kështu shumë mundësi edhe Shqipërisë në të gjithë botën. Enveri Cakiqi erdhi për të hapur kurset e para duke mësuar kështu hapat e parë të karatesë, sepse në atë kohë në vendin tonë ky emër nuk njihej shumë, madje mund të dukej për shumë kënd edhe abstrakt. Në vitin ’91, filloi duke bërë kështu një punë të çuditshme, sepse në atë kohë në atë rrëmujë kur të gjithë luftonin për mbijetesë, ai erdhi me idenë për t’i shërbyer me të vërtetë Shqipërisë, duke nënshkruar kontratën e parë në Shqipërinë pluraliste gjerësisht Klubi Sportiv Tirona (ish 17 Nëntori) me kryetar Zija Shaba. Shqiptar nga Kosova me banim në Gjermani, i rregulluar me punët e tij shumë mirë, vjen këtu dhe hap shoqatën e parë të karatesë me kryetar Robert Papa, që u kthye më vonë në Federatë (1994). Ndërkohë, ndihmoi edhe Federatën e Boksit me udhëheqësit Ahmet Golemi, Ramiz Reka etj. Ai mbante mbi supe tituj ndërkombëtarë dhe licensimet e trajnerit më të lartë ndërkombëtarë për karatenë. Sot në rolin e trajnerit, drejton që nga viti 1994 SG ’28 e.V. dhe SKG-Kosova-Franfkurt, ekipet shqiptare në WTKA, EIKO dhe IKF përfaqëson Shqipërinë dhe Kosovën, me bashkëpunëtorët dhe sportistët nga Gjermania, Zvicra në ndeshjet ndërkombëtare në botë edhe Europë, me flamurin Shqiptarë. Enveri ua ka trashëguar edhe vëllezërve të tij Imerit, Gazmendit dhe djemve të tij Arianitit dhe Advanit, Ku Advani ka vazhduar duke u shpallur dy here Kampion Europe në Federatën EIKO dhe Kampion Bote 2017 në Federatën WTKA si dhe Profi Futballer në Gjermani. Enveri është figurë e respektuar në Federatën Botërore të Karatesë dhe arteve marciale (WTKA), jo vetëm si arbitër ndërkombëtarë, por është i famshëm dhe ndër shqiptarët e Kosovës e rrallë që kanë dhënë kontribut në këtë fushë. Pozicionimi i tij në bordet drejtuese të Federatës Botërore të Karatesë (VTKA), kampion në rininë e tij në rang ndërkombëtar, trajner me tituj europianë dhe botërorë me Shqipërinë dhe tani në Federatën Botërore, arbitër ndërkombëtar dhe anëtar i bordeve si ekzekutiv e tregon më së miri edhe guximin dhe talentit e tij të paçmueshëm. Sot mban rolin si Drejtor Teknik i Europës, në WTKA (World Traditional Karate Asocaacion, dhe shef instruktor për Evropën në WTKA.)

Cila është origjina e juaj, si e ke nisur këtë sport?

Unë jam i lindur në Llapashticë të Podujevës, në një familje më ekonomi mesatare, familje patriotike. Shkollën fillore 4-vjeçare e kam kryer në Llapashticë, pastaj kam kaluar në Podujevë ku kam kryer edhe gjimnazin, ndërsa studimet i kam kryer në Prishtinë. Në Vitin 1988 kam kaluar në Austri, si ish-kampion i trefisht-të i Kosovës, 3 herë kampion ndërkombëtar.

Përse i keni përfunduar studimet?

Kam studiuar Juridikun  tre vite dhe pastaj kam kaluar në Pedagogji, kam kryer fakultetin e Pedagogjisë, më vonë kam kryer Master të Shkencave për marrëdhënie me publikun Tiranë.

Si e njihnit Shqipërinë në këto vite, e ndiqnit televizionin Shqiptar?

Kemi ndjekur televizionin Shqiptar dhe bënim roje marrëveshje me djemtë e axhës ( xhaxhait), sepse ne na spiunonin dhe kështu detyroheshim të ruheshim ndërkohë që hapnim e ndiqnim televizionin e Shqipërisë.

Ju dënonin në qoftë se shikonit televizionin?

Po, kuptohet kryenin maltretime. Përmes televizionit që ndiqnim mendonim që Shqipëria është parajsë, vendi më i bukur në botë. Mund të them se 95% e shqiptareve të Kosovës dhe jashtë saj, kanë patur ëndërr të vijnë në Shqipëri. Unë e pata mundësinë të vij në Shqipëri.

Çfarë mendimi kishit për Enver Hoxhën në atë kohë?

Kuptohet të gjithë shqiptarët e Kosovës kishin mendime të mira, por kishte edhe nga ata që tregonin që kishin qenë në mënyrë të fshehur dhe që ishte diktator. Megjithatë ne nuk donim të besonim se Shqipëria është keq, donim të besonim se është vetëm parajsë. Edhe unë si gjithë të tjerët e kisha ëndërr të vija në Shqipëri. Mua mu mundësia që përmes Kristo Robos (ish-kampioni i Ballkani në qitje), i cili na bëri një ftesë mua dhe Faket Perveticës dhe Ali Monollit, në vitin ’91 të vinim në Shqipëri. Duke qenë se Seit Seiti ishte ambasador dhe Alego Bregu ish-futbollist në atë kohë nëpunës në ambasadë,na ndihmuan. Ne u nisëm përmes Gjermanisë për të arritur në Shqipëri. Një shok na e ndaluan në Çekosllovaki dhe erdhëm me Faket Përveticën me 3 janar 1991, duke na pritur Kristo Robo dhe Nevruz Duçellari.

Si e gjetët Shqipërinë?

Ëndrra ime ishte vetëm të arrij në Shqipëri dhe kur erdha në Rinas në aeroport, kam zbritur dhe kam puthur tokën për rreth gjysmë ore. Menjëherë ka filluar ajo mikpritja vëllazërore, kemi shkuar nëpër familje të Kristo Robo por jo vetëm. Pastaj me kalimin e kohës kam shkuar që nga Shkodra e deri në Sarandë në çdo vend qytet, qytezë apo fshat të Shqipërisë. Kështu pashë gjithçka, mjerim, fukarallëk, skamje etj, por asnjëherë nuk kam folur për të gjë. Kur jam pyetur edhe në mënyrë të fshehtë se: Si është Shqipëria? Kam thënë: Nga Hani Hotit në Shkodër e deri në Sarandë flitet shqip.

Ku e filluat sportin dhe si e filluat?

Fillimisht e kam filluar në vitin 1976 – ‘77 ku kam luajtur futboll në klubin “Llapi”, në Podujevë.Aty ka luajtur edhe legjenda Fadil Vokrri. Ai ka qenë 2 vite më i madh se unë. Më pas, një vit gjimnastikë në Prishtinë dhe më pas ‘77-‘78 është hapur për herë të parë “Karate”, në Podujevë. Me shokun tim që tashmë e kam si vëlla, Gëzim Ibrahimin jemi regjistruar dhe kemi filluar sportin e bukur të karatesë, fillimisht nga trajneri Avdi Ahmeti dhe pastaj është hapur seksioni i Klubit “Karate Kosovatrans”, nën patronatin e Kosovatans-it, në Podujevë deri ne vitin 1983. Më pas kjo u ndërpre në atë kohë.Unë dhe Ismet Hasani, Gazmend Havolli e kemi riorganizuar dhe riformuluar klubin e karatesë në “Kosovatrans Podujevë”, që ka qenë klubi më i suksesshëm në Kosovë, dhe një ndër klubet më të suksesshme në ish-Jugosllavinë. Kemi patur kushte të mira, kemi patur garues të mirë, sportista të mirë, dhe kemi korrur suksese të mëdha.

Kush është suksesi juaj i parë?

Suksesi im i parë ka qenë kur mora titullin Kampion Kosove, në vitin 1984-‘85, pastaj në vitin ’87. Pastaj marrja e titullit nën kampion Kosove 2-herë. Medalja e marrë në ish-Jugosllavinë për Kosovën e kam sjellë unë në vitin 1987, Lutfi Mengjiçi, Muhamet Rexhepi dhe Zeqir Sopi. Pastaj nën-kampion Evrope në vitin 1988 në Beograd, për “Kosovatrans-in”, e Podujevës isha përsëri unë si student, në Kampionatin Europian të Studentëve. Në vitet ’78-’88-’89, u shpalla Kampion Absolut Ndërkombëtarë në Umag të Kroacisë. Kurse në vitin 1990 Kampion Ndërkombëtarë, në Poloni. Leh Valenca më ka dhënë medaljen. Ka qenë present Sensei Nishijama një ndër mësuesit më të mëdhenj aty, kur më dhanë diploma dhe medalje. Pastaj në vitin 1991 Kampion Europe në ITKF( International Traditional Karate Federation). Nën-kampion bote në vitin 1992, në Forli të Italisë, ndërsa Kampion i Gjermanisë në EIKO Federation( Europeishe International Karate Organizacion), katër vite me radhë kam mbajtur këtë titull dhe kampion i Esenit. Kam qenë edhe në IKF kampion i Gjermanisë  tre vite më radhë, edhe në DVWS është një federatë ku dhe aty kam qenë tre vite Kampion i Gjermanisë. Kemi kaluar në vitin 1994 në SG28, në Bashkësinë  e Sporteve, e cila është formuar në vitin 1928 dhe ka patur hendbollin, futbollin, basketbollin etj. Në vitin 1994 kam filluar të luaj futboll për 6 vite aktiv si lojtarë, pastaj si trajner i moshave të vogla, dhe më kanë mundësuar që ta kem një palestër, ta masivizoj më shumë sportin e karatesë aty. Që nga viti 1994 e deri më sot e kam Akademinë SG28 Frankfurt. Edhe pse jam këtu jam shef dhe instruktor, kam tre asistentë dhe kanë një disiplinë Gjermano-Japoneze. Nuk është në stadin e duhur kur unë nuk jam aty, por po ecën mirë.

Kur je larguar nga Kosova?

Nga Kosova jam larguar në vitin 1988 në Vjenë të Austrisë 6 muaj. Në momentin që u bëra kampion Absolut ndërkombëtarë në Umag, pata një ftesë nga një mik i yni Austriak, të shkoj në klubin e karatesë “Viena”, në Austri. Kështu vendosa ta provoj, mirëpo pagesa që mirja aty nuk më mjaftonte të jetoja sepse shpenzimet ishin shumë të larta, qiraja shumë e shtrenjtë, jetesa shumë e vështirë etj. Në një seminar dhe një turne takova Manfred Dome rekordmenin e thyerjeve të dërrasave dhe të tullave, i cili më bëri një ftesë që të shkoj në Frankfurt. Atje në atë kohë kisha edhe djalin e axhës, Ramadanin,  sigurisht kisha edhe shumë miq të tjerë. Kështu shkova me tren dhe aty mbeta deri më sot.

Vetë ju, ku u angazhuat?

Fillimisht nuk isha i ambientuar me gjuhën, por në artet marciale edhe në karate në të gjithë botën flitet gjuha Japoneze. Terminologjinë Japoneze unë e kisha të njohur qysh herët dhe nuk e kisha shumë problem. Në vitin 1990 isha garues dhe ndihmës trajner në sport Schule “DOME” Frankfurt, dhe pastaj që nga 1994 në SG’28 në Frankfurt në Gjermani, klub ky gjithëpërfshirësi sporteve. Edhe fëmijët e mi në atë vit u regjistruan në këtë klub.

Kur ke ardhur në Shqipëri dhe ke hapur ekipin e karatesë?

Fillimisht kam ardhur me 3 janar 1991 dhe karatenë për herë të parë e kam demostruar me 8 janar 1991, në Elbasan me të ndjerin Faket Përveticën, shok dhe asistent njëkohësisht. Aty demonstruam teknika vetmbrojtje, sulmuese etj. Në datat 9 apo 10 kam demonstruar në palestrën Asllan Rusi, dhe në palestrën e :SportKlub Tirana”, që në atë kohë ishte 17-nëntori. Në atë kohë çdo palestër ka qenë e tejmbushur. Demonstrimet e tjera i kam bërë më pas në Shkodër, në Vlorë, Fush Krujë dhe pastaj në Tiranë. Me ndihmën e Zia Shabës dhe më miqve të tjerë Mustafa Topseferi, Piro Kokolari, etj…të cilët më kanë ndihmuar shumë. Me ndihmën e tyre kemi hapur dhe një seksion në atë kohë, mirpo shkolla e parë zyrtare është hapur në “Sport Klub Tirana”, ish-17 nëntori me president Zia Shabë-n. Më vonë kemi themeluar “Shoqatën Shqipatare të Karatesë”, me president Robert Papa dhe disa të tjerë. Kam patur një seksion tek “Voje Dervishi”, për çdo ditë me 22 veta, ku krahas seksioneve të tjera që kisha në vendet tjera, kam dashur që ato persona t’i përgatis sa më shpejt, që t’i shpërndaj në të ardhmen nëpër seksione të ndryshme.Më të mirët kanë qenë për herë të parë, Ramiz Geci, Parid Dule, Brunilda Baçko, Driton Demiraj, Elton Shametaj, Rezart Spahia, Myzafer Rama, Astrit Hysa, Milazim Bahiti, Arjan Kumria, Ismail Spaçi, Arbis Vjerra etj.  Në vitin 1992 mu desh të kthehem prap në Gjermani si mua ashtu edhe shumë shqiptarëve të tjerë nga Kosova na thonin jugosllavë me pashaportë Jugosllave. Një mbrëmje u acarova nga fjalët dhe gjërat që ndodhën aty dhe e grisa pashaportën Jugosllave. Në vitin 1991-‘92, kanë shkuar disaherë policia serbe në shëtpinë time tek familjarët e të afërmit e mi,  të cilët i kanë torturuar dhe maltretuar nga disa spiunë serb dhe shqipatarë. Babai im në atë kohë ju ka thënë se Enveri djali im është në Gjermani dhe merret me sport, gjë tjetër nuk di. Mu desh të pres deri në vitin 1996 të vij koha kur dhe u mbajt një seminar në Durrës, në tarracën e “Hotel Adriatikut”, me të madhin Nagip Muratin,ish-trajnierin tim Xhevat Makolli etj. Pas përfundimit të seminarit në mënyrë vllazërore në bashkëbisedim e sipër më të ndjerin Azem Hajdari, dhe disa shokë të tjerë me inicitivën time,kemi themeluar “Unionin MbarëkombëtarëShqiptarë të Arteve Marciale”. Azem Maksutaj 14-herëKampion iBoksit dhe i Kikboksit ka marrë pjesënë Unionin përShqipërinë, në Zvicër. Në këtë kohë erdhi për here të pare në Shqipëri kampioni i trefishtë i Amerikës në Teakwondo, aktor, koreograf dhe regjisor në Holliwud z. Peter Malota. Me trazirat e ’97-tësUnioni u shua dhe unë e vazhdova jetën time në Gjermani. Prej tashmë 5-vitesh unë jetoj në Shqipëri, duke dhënë mësim tek QKA Robert Radoja tek Siri Kodra, tek “Klubi Energjia”(Erton Latollari), tek Komuna e Parisit. Kam dhënë mësim edhe në disa teatro, lëvizje skenike me aktorë. Tani jam drejtor dhe shef instruktor në WTKA (World Traditional Karate Association), për Europën,me qendër në Livorno të Italisë. Jam gjithashtu gjyqtar. Jap mësim, seminare në të gjithë Europën, kam marrë pjesë në 12 Kampionate Botërore (WTKA), 6 ndërkombëtar si gjyqtarë kryesorë për Karate, si dhe në kampionate ndërkombëtare e botërore në federatat IKF, JKA, EIKO.

Çfarë tituj keni arritur me ekipin shqiptar dhe ku keni marrë pjesë?

Ne, me ndihmën e miqve të mi dhe vallait tim Ymerin, Florin Maraj, Hasan Osmanaj, Naim Ferati, Naim Zaka, Naim Kabashi, Ajvaz Berisha, Besim Maqastena etj, kemi themeluar SKG Kosova Frankfurt, Klub në bashkësinë e sporteve në Frankfurt të Gjermanisë. Kemi përfaqësuar per herë të parë Kosovën shtet në EIKO në Kampionat Botëror, me flamur dhe hymn shqiptar. Në vitin 2000 kampion mbarkombëtar në Tiranë, 2001 kemi qenë kampion ndërkombëtar, që është mbajtur në Brindisi Itali, kemi marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare duke përfaqësuar në fillim Kosovën, por edhe me disa garues Shqipërinë. Në vitin 1991 në Austri kemi përfaqësuar Shqipërinë, me garuesit Idriz Dogani, Florin Jashari, Bekim Shala dhe kemi dalë në vendin e dytë ekipor. Pastaj në vitin 1998 në dy federata ndërkombëtare kemi përfaqësuar dhe kemi rregjistruar zyrtarisht edhe Kosovën por edhe Shqipërinë. Pastaj në 2004 në një turne ndërkombëtarë në Birmingham të Anglisë, takova Daniel Angilerin presidentin e WTKA (Wold Traditional Karate Organization, dhe me ndihmën e tij dhe të disa miqve të tjerë, rregjistrova edhe Shqipërinë por edhe Kosovën në Federantën WTKA, ku kemi qenë 6 herë kampion bote ekipore me sportista nga diaspora shqiptare, ku më të dalluarit kanë qenë Fitim Fetahu, Lorent Nuhiu, Liridon e Triumf Maraj, Mersiha Goruzhdiqi, Vlora Krasniqi, Afrim Beluli, Hamit Topalli, Bekë Bekteshi, Albert Ahmeti, Alban Ahmeti, Sadat Llulleci, Musli Azizi, vëllezërit Driton e Agron Bahtiri, Fehmi Beka, Elson Kabashi, Fehmi Mahalla etj, si dhe garuesit nga kosova sidomos nga klubi Llapi Podujevë e Besa Lluzhan. Kurse në turne ndërkombëtare gjithmonë 12 vite me rradhë nuk kemi patur konkurencë, por gjithmonë kemi qenë kampion ekipore. Ndërsa individuale kam nxjerrë më shumë se 6 apo 7 kampion bote në federata të ndryshme, një ndër ta është edhe djali im Advani që është kampion bote në vitin 2017 në VTKA me flamur shqiptar.

-Cilat janë synimet tuaja për këtë sport, ku e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën në dekadat e ardhshme?

Gjithmonë dhe gjithkund ka batica dhe zbatica, në çdo shtet ka bryla dhe  kleça. Në federatën e karatesë së Kosovës ka filluar një pozitivitet shumëi mirë, i suksesshëm në krye me presidentin Ismet Krasniqi, dhe bashkëpunëtorët e tij që kanë qenë edhe kampionë edhe trajnierë të mirë, si Nazmi Gashi, Isak Curri, Ylber Syla, Idriz Baruti e disa të tjerë, po shkohet me hapa të sigurtë. Më përpara kanë ecur mirë, por tani janë më të bashkuar dhe më korrekt. Ndërsa Federata Shqiptare e Karatesë, kuptohet fillimisht s’kanë mundur të dalin, pa viza. Unë disa hërë me miqtë e mi kemi bërë ftesa, kanë marrë pjesë në Mynchen dhe në turne të ndryshme, kanë patur suksese edhe këta sidomos të Elbasanit, Vlora, Lezha, Lushnja, edhe të Tiranës kuptohet. Që nga 1994 ne feredaten WKF antarë. Kohët e fundit po marrin pjesë edhe nëpër turne të ndryshme, nuk kanë suksese të mëdha ndërkombëtare, por në të ardhmen besoj që do të punojnë dhe organizohen më mirë,edhe këta kanë një kryesi të re, inshaAllah i lutem Zotit që në të ardhmen të kenë suksese, por nuk duhet mënjanuar punët dhe sukseset që kanë arritur me federatën dhe ekipet e tyre Ramiz Geci, Parid Dule, Mirandi Backa, Luftar Kurti, Rezart Spahia, Reis Tozaj dhe klube të tjera nga Lushnja, Lezha, Shkodra etj. Si përfundim Falenderoj të gjithë sportistët, trajnerët, bashkpunëtorët që sëbashku kemi arritur sukseset tona duke ju dëshiruar sportistëve shqiptarë, të korrin suksese edhe më të mëdha në disiplinat e tyre.

 

 

Please follow and like us: