Albspirit

Media/News/Publishing

Ergys Mërtiri: Pesë skandale në një ditë

E tmerrshme, vetëm brenda një dite, një breshëri skandalesh u diskutuan sot, secila e mjaftueshme më vete, për ta marrë me shqelma qeverinë.

  1. 8 ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit të kohës së Enver Hoxhës jane emëruar në pozicione të larta drejtuese në SHIK. Imagjinoni çdo kishte ndodhur në Gjermani, nëse 8 ish-oficerë të Gestapos do të zinin poste drejtuese në Shërbimin Inteligjent Gjerman!
  2. Një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili do të zbatojë reformën në drejtësi duke pastruar organin e akuzës, akuzohet gjithashtu se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
  3. Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e emëruar në këtë post mbi kritere shoqërie me Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme, të zgjedhur pa veting, në kundërshtim me kushtetutën nga kreu i qeverisë, nuk justifikon dot pasurinë, ndërsa pranon serbes se i shoqi ka bërë evazion fiskal pasi këtu nuk jemi në Europë dhe ndërkohë, anëtarët e KLP-së nuk e gjykojnë këtë si problem për të kaluar vetingun. Reagon vetëm komisioneri i huaj.
  4. Një deputete e maxhorancës (Blerina Gjylameti), e kapur me plagjiaturë diskutoi në Komisionin Parlamentar për arsimin, si relatore e propozimeve ligjore që një forcë politike ofroi në lidhje me zgjidhjen e problemeve në universitet, ku natyrisht përfshihet edhe ndëshkimi i plagjiaturave. Ish-Zv.ministri i Arsimit, bashkautor i shkrimit dha dorëheqjen për këtë, ndërsa autorja tjetër, znj. Gjylameti, vazhdon punën me përkushtim për të rregulluar Arsimin e Lartë në Shqipëri.
  5. Një tufë studentësh dëshmuan sot se e duan aq shumë mësimin (e rrjedhimisht edhe Partinë) sa u konfliktuan me shokët e tyre që janë ngujuar në universitete, megjithëse e pranojnë se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se ato kërkojnë një zgjidhje. Qeveria po i fut studentët në konflikt me njëri-tjetrin për të shpëtuar menderen e vet dhe duket se për shumë prej studentëve, hallet e qeverisë janë më të rëndësishme se hallet e tyre.

Jemi vërtetë një vend i vogël, por kemi aftësinë të prodhojmë aq skandale sa të mbajmë me lajme gjithë Evropën. Dhe kjo, falë aftësisë se Kryeministrit tonë legjendar, liderit rajonal që po e rilind këtë vend.

 

Please follow and like us: