Albspirit

Media/News/Publishing

Shenasi Rama: Përshtypje të zymta mbas një vizite në kohë të keqe…

Ka disa elemente thelbësore që e përcaktojnë natyrën e politikës dhe të formacioneve politike në një shtet të caktuar. Në rastin e shtetit shqiptar këto janë disa elemente që të bien në sy dhe që e bëjnë gjendjen shumë të pakëndshme.

  1. Sistemi tashmë i konsoliduar është qartësisht oligarkik, të gjitha pasuritë, pushtetet, dhe influence janë në duart e sekteve, trusteve të krimit dhe strukturave të bazuara në fenë, dhe etninë si dhe në shërbim të sindikatës ndërkombëtare të krimit. Lisi çahet me pykën e vet, por oligarkia e një natyre të tillë funksionon ndryshe. Pra, çdo forcë e re do të jetë ose me oligarkinë kundër popullit ose me popullin kundër oligarkisë.
  2. Sistemi oligarkik është në krizë të thellë ekonomike, morale dhe legjitimiteti. Nuk ka para, nuk ka besueshmëri, dhe nuk ka drejtësi. Herët ose vonë, njerëzit që nuk mund të ikin nga një sistem i tillë, do të rebelohen ose do të nënshtrohen. Kur llogaritet që kanë ardhur nga buka e misrit dhe uji me sheqer Maliqi, nuk ka dyshim se shumë do të nënshtrohen pa menduar se çfarë po ndodh me jetën e tyre. Skllavëria nuk ka brirë dhe në atë sistem ka njerëz që për disa breza tashmë kanë kenë e kanë mbetur skllevër e nuk duan me kenë ndryshe.
  3. Pyetja kryesore është se si konceptohet populli apo grupi të cilit i shërben. Kur je pjesë e një sekti i shërben sektit; kur je pjesë e një trusti kriminal i shërben familjeve kriminale dhe zonës, kur je bashkësi fetare iu shërben klerikëve dhe shefave të tyre, dhe kur je minoritet i shërben kombit tënd që është jashtë shtetit shqiptar. Vetëm shqiptarët nuk kanë parti që iu shërben atyre. Të gjithë strukturat e mësipërme janë të kontrolluara direkt apo indirekt nga oligarkia dhe sindikata ndërkombëtare e krimit. E vetmja strukturë që iu kundërvihet këtyre është kombi, dhe shqiptarët janë të vetmit që nuk kanë ide të qarta kombëtare.
  4. Lufta bëhet me kontrollue shtetin të cilin oligarkia parazitare dhe sindikata ndërkombëtare e krimit e kontrollon me dorë të hekurt. Çdo përpjekje me ndërtue parti që nuk janë në thelb kombëtare, herët ose vonë do të korruptohet nga oligarkia sunduese. E vetmja zgjidhje që kanë shqiptarët është që të bëhen bashkë që nga familja deri tek fshati e qyteti si shqiptarë dhe të mbështesin interesin e tyre të përbashkët.
  5. Unë e shoh fundin, por ai fund që unë shoh dhe që është i tmerrshëm nuk kuptohet si duhet nga ata që do të paguajnë çmimin, si me jetën e tyre, ashtu edhe të fëmijëve të tyre. Ende ka para, ende ka dhjamë qeni, por atij vendi i ka dalë pronari me kohë dhe tashmë shumica e kanë shitur si shpirtin, ashtu edhe të ardhmen.
  6. Ndasitë që kanë lindur e janë forcuar janë të frikshme. Bizantinët e degjeneruar duan një shtet që i shërben dhimojerondisë dhe dhespotit të radhës dhe që ruan sundimin e tyre; Jeniçerët duan një shtet që mban ortat me ylefe; kryqtarët e malësisë duan një provincë papale; turkoshakët e flaktë duan Sulltanin dhe ymetin. Të konvertuarit e rinj nga perëndimi si arrivistë të vërtetë duan bursa dhe siguri pune e jetese dhe për këtë ta bëjnë kryqin mbrapsht. Paria që i sundon don vetëm paranë dhe është e gatshme t’i fusë në sherr që të vrasin njeri-tjetrin gjithë kohën e gjithë ditën e lume. Nënshtresa kriminale është e lidhur dhe në shërbim të parisë. As në vitin 1913 nuk kanë qenë punët kështu.
  7. I vetmi popull që humbi disa shanse historike, vetmi popull që nuk ka asnjë ndërgjegje kombëtare e qytetare, i vetmi popull që hedh në rrugë fëmijët e vet, i vetmi popull që për mall e gjë shet të ardhmen e vet, i vetmi popull që bëhet skllav me vullnetin e vet, do të kuptojë zgjidhjen kur të mos mundet me veprue ma. Zoti ndëshkon në mënyra të ndryshme, dhe ndëshkimi bashkëkohor i shqiptarëve është që mos me mundë me kenë një komb normal, në shtetin e vet, me siguri e begati për të gjithë, dhe me dinjitetin që meritojnë njerëzit e ndershëm. E megjithatë zgjimi ka me ndodhë një ditë. Ndoshta vjen ma vonë se duhet, por gjithsesi deri atëherë uroj e dëshiroj që shqiptarët të mos jenë të përçudnuar, të ndryshuar dhe të tjetërsuar rrënjësisht sa mos me e ditë veten se kush janë dhe cila është e mira e tyre.
Please follow and like us: