Rama: Sot pres një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë, VOA është bërë zëdhënëse e kazanit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një lajmi nga Zëri i Amerikës lidhur me blerjen e votave në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Kryeministri Edi Rama u tregua i ashpër me VOA-n, duke e akuzuar se për herë të dytë brenda pak ditësh, kjo media u bë kazan i Tiranës. Kreu i qeverisë tha se me Shtëpinë e Bardhë flet në mënyrë të drejpërdrejte dhe se sot po pret një komunikim. “Qysh prej ditës së djeshme, edhe sot, ka mbirë në gjuhën e miqve tanë vulëhumbur shprehja: E tha Zëri i Amerikës. Domethënë e tha Amerika…Fatkeqësisht është e dyta herë që VOA bëhet zëdhënës i kazanit të Tiranës. Herën e parë ne e dëmonstruam me qindra faqe të dokumentuara të gjithë gënjeshtrën e lajmit të dhënë mbi rekrutimet e punonjësve. Ndërsa këtë herë, asgjë e re nga fronti juaj. Një sallatë fjalësh e cila nuk ka asnjë shans të çorodisë asnjë shqiptar. Me Amerikën, kjo qeveri dhe unë personalisht, komunikojmë drejtpërdrejtë. Pas këtij fjalimi jam i detyruar t’ju lë se jam në pritje të një komunikimi të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë” – tha Rama në Kuvend.