Albspirit

Media/News/Publishing

Zbardhet marrëveshja Kosovë-Serbi, ja si ndryshojnë kufijtë në draft

Atë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte thënë në Tiranë, e gjejmë në draft-marrëveshjen që duket se ka pranuar ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç.

Serbia dhe Kosova do të ndryshojnë kufijtë, sipas draftit të kësaj marrëveshjeje, e cila është parë dhe analizuar nga BE, diplomatë dhe drejtues qeverish e shtetesh të disa vendeve të BE dhe SHBA.

Marrëveshja që aktualisht është draft, parashikon që Kosova të marrë nga Republika e Serbisë, tërësisht Preshevën dhe Medvegjën me disa fshatra të saj.

Sipas draftit, Bujanoci do të marrë statusin e një lokaliteti neutral ose “special distrikt”, ku shembull i njohur është Livigno, krahinë neutrale mes Italisë dhe Zvicrës, e zhvilluar, pa taksa dhe me nivel të lartë mirëqenieje.

Nga ana tjetër, Serbia sipas marrëveshjes, mund të marrë zona në Kosovë që janë të populluara nga serbët, e konkretisht, Zubin Potok, Leposavic dhe Zvecan.

Pikërisht dhënia Serbisë e këtyre zonave, ishte paralajmëruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kur ai disa muaj më parë ishte në Tiranë dhe dha një në intervistë emisionin në Real Story të gazetarit Sokol Balla dhe disa analistëve, duke deklaruar troç se cilat zona do të mund t’i jepeshin Serbisë, deklaratë e cila në fakt mbeti në hije edhe pse u tha fare shkoqur nga z.Thaçi.

“Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit asnjë aset i Kosovës, as Ujmani as Veriu i Kosovës as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë”, – deklaroi Presidenti i Kosovës, duke shtuar menjëherë më pas:

“Është e vërtetë dhe tjetra që Tito dhe Rankoviç, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959 për të bërë një balancë demografik ia ka bashkangjitur Kosovës një pjesë të Leposaviçit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbesim ne viktimë e Titos?  Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkëngjiten Kosovës”, deklaroi z.Thaçi, duke qartësuar kështu se plani i korrigjimit të kufijve mes dy vendeve konsiston në atë që Kosova të rimarrë në territoret e republikës së saj, Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin, kurse Serbia të marrë Leposaviçin, Leshakun dhe Zubin Potokun. /vizion plus/

Intervista e plotë

VIDEO, PJESA E PARE

VIDEO, PJESA E DYTE

VIDEO, PJESA E TRETE

Please follow and like us: