Albspirit

Media/News/Publishing

Prokurorja që fundosi ish kryeministrin kroat, vjen në Tiranë për SPAK

Tamar Laptosh, prokurorja që dërgoi në bankën e të akuzuarve ish Kryeministrin kroat Ivo Sanader së bashku me ish zv. Kryeministrin ka ardhur në Shqipëri. Eksperienca e prokurores do të shërbejë si ndihmesë për hetimin e zyrtarëve të lartë dhe korrupsionit. Gjatë një takimi me dyer të mbyllura, Laptosh tha se për të hetuar korrupsionin në rradhë të parë duhet që të përzgjedhurit e SPAK të kenë besueshmëri të lartë. Njëkohësisht nevojitet edhe koordinim mes Gjykatës së Korrupsionit dhe SPAK-ut. “Kur unë po hetoja ish-kryeministrin, besueshmëria e publikut nuk ishte shumë e lartë sepse ai ishte i fuqishëm dhe arrogant. Ne vinim nga një eksperiencë në të cilën nuk ishte hetuar ekzekutivi, por më pas u mblodhën prova dhe gjatë procesit besueshmëria e publikut u rrit”, ka thënë Laptosh. Deri më tani kanë aplikuar vetëm 12 prokurorë për në SPAK, ndërsa prokuroria e posaçme duhet të ketë 15 prokurorë, transmeton TCH. Takimi i zhvilluar ditën e sotme kishte si qëllim frymëzimin e prokurorëve për të garuar. Ambasadori Luigi Soreca në mbyllje të takimit u bëri apel prokurorëve të aplikonin, në mënyrë që të bëhet e mundur përzgjedhja e më të mirëve. Afati për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm për të aplikuar për SPAK përfundon në 7 shkurt. Kjo prokurori e posaçme mendohet se do të faktojë se cilët zyrtarë janë të korruptuar dhe sa thellë.

Please follow and like us: