Jola Luzaj: Nuk mund t’u them dot as lamtumirë!
“Nuk e dija se ky do të ishte fundi im. Nuk e dija se ai do të arrinte të më mbyste, mua nënën e fëmijëve të tij. Jo se më parë nuk e kishte provuar. Muaj më parë më plagosi në kokë, por shumë shpejt mbeti i lirë. Unë e kapërdiva, me shpresën se ky dënim do t’i ishte bërë mësim. Por ujkun qimen e ndërron por zakonin se harron… Ai nuk gjeti qetësi, derisa më vrau.
Por çfarë kisha bërë unë e shkreta? Një grua që vetëm punonte se, ai ishte i papunë. Nuk dija asgjë tjetër. Kisha marrë frerët e shtëpisë, duke iu bërë edhe nënë edhe babë fëmijëve, ndonëse ky i fundit ishte i gjallë… Të paktën krijesave të mia të mos u mungonte asgjë. Nuk kisha unë rëndësi, kisha kohë që e kisha harruar veten time. Doja që ata vetëm të shkolloheshin dhe të kishin një të ardhme ndryshe nga e imja. Duroja dhunën, dhimbjet, fjalët, e duroja lotët. Por asgjë nuk vlejti! Për mua sot çdo gjë mori fund… Ata që dua më shumë, për të cilët sakrifikova edhe jetën time, tani janë në lot. Më pikon shpirti që i lashë, pasi nuk e meritonin këtë gjë që u ndodhi. Pa nënë dhe me një baba vrasës.
Si do të rriten fëmijët e mi? Vallë si do ta kalojnë këtë tragjedi që u ndodhi? Pse? Pse?… Unë doja t’i mbroja me çdo gjë dhe për hir të atyre pranova fatin tim, por tani ata janë vetëm. Pse o Zot, kishe këtë fat për mua dhe fëmijët e mi? Ku gabova unë?
Gabova ndoshta se fala shumë apo durova shumë? Gabova ndoshta se doja që fëmijët e mi të kishin një familje? Ah..fëmijët e mi të shkretë sa po vuajnë…
Duhet t’ia kisha dhënë duart më parë, të paktën do isha me ata engjëj që sot mbetën katër rrugëve. Pse do kishte kaq rëndësi emërtimi familje, kur ne nuk ishim kurrë një e tillë? Pse të duroja aq shumë, vallë vetëm për sytë e botës? Prej kohësh nuk jetoja jetën time, por të paktën të më linte të jetoja për fëmijët. Unë mendova për ata, ah sikur dhe babai i tyre të kishte të njëjtën mendje. Por jo… Fati i zi u vulos sot.
Tani unë po iki fëmijët e mi dhe po ju lë në lot. Nuk ishte kjo ajo që doja, por gjithsesi mami juaj ju do shumë. Ju do me gjithë forcën e shpirtit, të plagosur prej kohësh. Ju mos u mërzisni, nëse kujdesesha për ju, nga lart do t’ju ruaj dhe do kujdesem edhe më shumë! Hap pas hapi do të jem me ju, vetëm e vetëm që të vazhdoni jetën. Qëndroni të fortë dhe të bashkuar. Mami ju lutet të mos i ndërprisni ëndrrat, por i realizoni ato edhe për mua”.
Kjo është një histori tragjike, por mund të jetë historia e secilës prej nesh. Nëse fshehim dhunën dhe zgjedhim të heshtim. Nëse sakrifikojmë gjithçka duke harruar jetën tonë. Nëse i doni me të vërtetë fëmijët tuaj, në fillim doni jetën dhe veten tuaj. Pasi edhe nëse falim edhe kur përpiqen të na vrasin, hera tjetër do të jetë fatale!/gsh.al/