Ndue Ukaj: Emancipim
Në skajin e mendjes imagjinata rënkon
Për kalciumin e munguar: dashurinë.
Dhe gjen fjalën që bie si dëshpërimi në krahët e erës,
Dhe prish harmoninë e natyrës
E cila dëfton se përnjëmend nuk ekziston “republika e ndërgjegjes”, siç kërkoi poeti S. Hanny.
Unë u lodha me predikimet për luftën dhe paqen
Betejën mes të mirës dhe të keqes
Të vjetër sa njeriu.
Për çdo ditë shkelmoj gjithçka më del përpara.
Në këtë ditë me shi dhe një qiell të mërzitur- ec rrugëve të panjohura.
Nuk i lexoj kronikat për kolonat e gjata
Të atyre që vdiqën në dëshpërim.
Të atyre që presin para portave të zotave të rrejshëm.
Ata gjithmonë presin me duart e mbushura me shpresa.
Një ditë për ta. Për dëshirat e tyre.
Atë ditë ti kërkove që të përvetësohej kjo ditë
Dhe harku i gëzimit që rritej mbi mua.
Të kujtohet pastaj si kalëruam nëpër ajër
Dhe e mbushëm qiellin me pezmatim.
Në mbrëmja vollëm hidhërimin e kohës,
Derisa një ditë na kapi hareja
Për një triumf madhështor që e presim tash e sa kohë.
(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, © 2017)