Hushi Agim: Të dua
Të dua më pëshpëriti dikush
Zemra zog zgjuar nga gjumi
Pranë meje ca pemë, askush
Një re nga qielli shiun shkundi.
Nga më erdhi vallë ky zë
Këto fjalë kaq të shenjta
Era gjethet me vrull përzë
Si akuarele të argjendta.
Sillem rrugëve në kërkim
I dehur nga ato fjalë
Kush trazoi shpirtin tim
Kush më mua luajti vallë!
Rri e pres më kot përgjigje
Në rrugën e lagur nga shiu
Thua ishte një currile
Që foli me zë njeriu.
Më kot si një gjeth i lagur
Kërkoj se kush më foli
I vetmuar gjysmë i kalbur
Befas skeleti i një stoli!
Ah Zot si mend e harrova
Këtë stol të mjerë këtu
Netëve kur e pushtoja
E thoshja sa shumë të du…
Me zerin e saj më foli sonte
Shpirti saj mbetur aty
Në atë stol që kullonte
Si lotët e saj në sy…
Të dua ia ktheva unë
Stolit të vjetër larë në shi
Të dua tani dhe më shumë
Se ç’të doja dikur i ri…