47-vjetori i shuarjes së yllit, Alush CANAJ
47 vjet më parë, pikërisht me 15 shkurt të vitit 1972, cerberët e UDB-së shuan yllin me emrin ALUSH CANAJ pse deshi të puth LIRINË. Më këtë rast u sjellim disa poezi nga vepra e tij e plotë “MBRËMË E PUTHA LIRINË” publikuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2018.
Alush CANAJ:
MBRËMË E PUTHA LIRINË
Mbrëmë
e pashë në ëndërr
Lirinë.
Ishte si manushaqe,
e putha në faqe.
S`kaluan as dy hapa
qentë na lehnin prapa.
S`di si u afruan,
prangat na i vunë.
(1971)
FLAMURI S’BIE
Ujqit edhe ditën ulurojnë,
duan të na frikësojnë.
Shqiponja jemi ne,
mbi ta bëhemi rrufe.
Dikush edhe vritet,
flamuri s`bie. Valvitet.
Kallnor, 1972
FLAMURI MBI KULLË
Më ndjekin ujqit
për flamurin mbi kullë.
Copa-copa do të më bëjnë
si drenushën e pafajshme,
nëse më kapin në maje të lisit.
Ulurojnë,
lisin duan ta rrëxojnë
po rranjet e tij thellë në Iliri.
Si lumi kur del nga shtrati
zemërimi rritet e rritet,
plasin nga inati.
Flamuri mbi kullë valvitet.
Kallnor, 1972
HARABELI
Unë jam harabeli
me shtëpi te zabeli.
Me këngë bleroj barin,
luftoj me acarin.
Ma tregojnë kamxhikun,
s`e luaj dot qerpikun,
as shkojnë në shtegtim,
rri në vendin tim.
Në Tokën e lavdisë,
në zemër të Ilirisë.
(1970)