Albspirit

Media/News/Publishing

Volteri – ilaç kundër të keqes dhe një shkollë sesi duhet të mbjellim kopshtin tonë

 

Ndue Ukaj


Sapo e lexova romanin e Volterit, “Kandidi ose optimizmi”, një roman filozofik, ku, shkrimtari dhe filozofi gjenial flet për fenomene letrare e filozofike, për ontologjinë e përplasjes mes të keqes dhe të mirës, për ligështinë morale dhe fizike, për betejat e liga për pushtet dhe demagogjinë e institucioneve pushtetmbajtëse. Dhe, si gjeni, ai shkruan me stil të qartë dhe tejet mbresëlënës. Si i tillë, ky roman mund të shërbejë si ilaç për çdo kohë dhe për çdo shoqëri, sepse është një rrëfim fantastik kundër të keqes, një armë kundër konformizmit, optimizmit të rremë, demagogjisë dhe përrallisjeve të shumta, që bëhen pengesë për liri të njëmend.

Kur vdiq Volteri, shkrimtari i madh francez, Viktor Hygo, në një tekst plot admirim dhe mallëngjim, shkruante: “Ai ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë”,
Pa dyshim, Hygo pati të drejtë, seps, Volteri pati një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën franceze dhe europiane të kohës së tij dhe të kohëve të mëvonshme, edhe pse, siç shkruan Hygo: “ Volteri bëri një luftë të shkëlqyer, vetëm kundër të gjithëve”.
Ndonëse ai pati një jetë të trazuar, me shumë ziliqarë, meqë shkrimet e tij satirike nuk u panë mirë në sy të pushtetit dhe për këtë arsye u censurua dhe u burgos, ai nuk bëri kompromis dhe luftoi deri në fund për paqe, liri dhe përparim. Kjo ishte arsyeja pse ai bëri një jetë endacake, duke u detyruar shpeshherë të mërgonte nëpër shumë vende të Europës.
Volteri, me një mori shkrimesh iluministe, qe një apologjet i pakompromis i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes- një filozof e shkrimtar që nuk llogariti asnjëherë në pasojat që mund t’i kishte për shkak të qëndrimeve të forta jokonformiste.
Autor i shumë librave të fushave e gjinive të ndryshme filozofike e letrare, ai shquhet për librin “Letrat filozofike” (1734), i cili qe vlerësuar si bombë kundër regjimit sundues të Francës të asaj kohe, një libër që i tronditi të gjitha institucionet e kohës, dhe i dha emër e lavdi atij.
Volteri, përveçse filozof i madh, shkroi edhe shumë vepra letrare të zhanreve të ndryshme letrare, të cilat u vlerësuan lart.
Romani “Kandidi ose optimizmi” është një nga prozat më të mira të tij.
Lexuesi, përpara vetes ka një histori e jashtëzakonshme kundër molepsjes morale dhe të keqes. Kundër metafizikës së gënjeshtërt dhe luftërave absurde.
Autori këtë e realizon nëpërmjet rrëfimit të historisë së Kandidit dhe peripecive të tij të gjata dhe të shumta, gjatë rrugëtimit naiv drejt lumturisë, rrugëtim ky që zbulon llomotitjet e kota te njeriut dhe absurdet e pafundme që e shoqërojnë atë, sidomos kur ai bënë zgjidhje optimiste për çështje ontologjike.
Kandidi, ishte një djalosh i pasionuar pas mësimeve të Panglosit, një gjermani të verbuar pas teorisë së filozofit gjerman, Lajbnicit. Në fakt, në këtë roman, autori e qesëndis filozofin gjerman, Lajbnicin, dhe teorinë e tij të optimizmit, teori kjo që e vë në lajthitje edhe Kandidin, kryepersonazhin e këtij romani, i cili verbërisht beson te gjermani Panglos, si predikues i kësaj teorie; dhe kjo ngjet deri në fund të romanit, kur ai kupton llomotitjet e tij, dhe i thotë, megjithatë: “ne duhet ta mbjellim kopshtin tonë”, që domethënë, nuk mund të presim kot për të ndryshuar gjërat dhe t’ i shpjegojmë ashti siç janë, por duhet ta bëjmë punën tonë.
Kandidi kalon nëpër peripeci të pafundme, dëbohet nga pallati mbretëror, e humb të dashurën e tij, Kynegonden, rrihet nga bullgarët, pëson nga tërmeti, rrezikon të fundoset në vapor, rrezikon të digjet i gjallë, bëhet lyps, udhëton nëpër vende të ndryshme pa gjetur kund prehje e lumturi, por Panglosi, gjitha këto ngjarje ia shpjegon si të domosdoshme, duke e parë botën si më të mirën e të mirave.
Kandidi ka një vullnet të pamposhtur që ta shoh edhe njëherë Kyngondën, por kur e realizon këtë, e kupton se lumturia e tij është rrënuar, dhe mësimet e tij ishin gjepura.
Volteri, me këtë roman e godet ashpër optimizmin e rremë:
“Medet! -tha Kandidi, optimizëm do të thotë të mbrosh me këmbëngulje se është mirë çdo gjë që është e keqe”.
Në këtë roman, përveç tjerash, ka pjesë mahnitëse, ku flitet për dashurinë, artin, librin, religjionin e demagogjinë.
Romani këshillon sesi njeriu duhet të heqë dorë nga fenomene e libra, të cilat duhet të ruhen si moment i antikitetit, “diçka si monedhat e ndryshkura, të cilat nuk shërbejnë më për tregti”. Në këtë kontekst, nëpërmjet një personazhe, e cila qorton Kandidin, Volteri qorton ashpër budallenjtë që adhurojnë gjithçka në veprat e një autori. Kjo personazhe, i thotë Kandidit: “Unë lexoj për veten time; pëlqej vetëm ato që mund të më hyjnë në punë”. Kjo qe një goditje e rëndë për Kandidin, i cili ishte mësuar të mos gjykonte asgjë me kokën e vet.
Në fakt, romani është një thirrje për secilin lexues, që të gjykojë me kokën e vet.
Ky roman, në shqip është botuar nga “Rilindja”, më 1972 dhe është përkthyer nga Vandush Vinçani.

Image result for kandid volter

Please follow and like us: