Sejmen Gjokoli: HANKUA QË NA BIE PETRIT RUKA
Përmes këngës me grupin e vet polifonik, Zhulati, kohë pas kohe, ka bërë përpjekje për ta evidentuar Hankon, nusen e fshatit e bijën e Kamenicës, si një realitet të kohës së shkuar por, për të qenë korrekt, përcjellja ka qenë më shumë në planin erotik, të bukurisë sidomos, se sa në atë historik, siç vërtet ka ngjarë.
Hankua që poeti i madh Ruka na bie përmes kësaj balade, natyrshëm, për herë të parë i jep një dimension krejt tjetër kësaj figure femërore, deri tani derdhur në këngë si një simbolikë bukurie.
Balada brilande e poetit brilant Petrit Ruka, pa i hequr asnjë fije floku bukurisë dhe hireve të bijës së Kamenicës, përmes saj, merr përsipër të na vërtetojë edhe një herë transformimet marramendëse që kanë ndodhur anëve tona këtu e mbi 500 vite të shkuara.
Kamenica, ky vendbanim me një emër kaq ëmbël tingëllues, vërtet tani ka mbetur gërmallë e vetëm si shënjë qytetërimi diku mes Delvinës e Fush-Vërrisë, por pikërisht për këtë mbetet dëshmi e zhbërjes së një fshati të tërë. Është zhbërë por pa i humbur nishani.
Veç gërmallave e gjurmëve të qytetërimit shekujsh të shkuar të mos harrojmë që pas ka mbetur Hankua me këngën. Kënga për bijën e Kamenicës e nusen e Zhulatit, ky i fundit me shënja të pakontestueshme kristianizmi, ç’ka vërteton edhe një herë lidhjen në krushqi e miqësi.
Mbetemi falenderues për Petrit Rukën që me magjinë e fuqinë e vargut të tij i ngre edhe një monument tjetër shpirtëror vendlindjes time Zhulatit i cili historikisht ka ditur që edhe nuset ti dojë e respektojë si bija!