Albina Deda Gjoci: Stop, arrestimeve politike!
Edhe pas protestës së ditës së martë para parlamentit të krimit policia politike e Edi Ramës, pa iu referuar realitetit të kryerjes së veprave penale, si hajdutë me maska arrestuan eksponentë demokratë natën dhe përdhunisht.
Rasti i demokratit nga Mamurrasi z. Preng Lalaj është një skandal që duhet denoncuar dhe penalizuar autorët. Ish-oficeri i Policisë së Shtetit arrestohet në mesnatë në shtëpinë e tij në Mamurras dhe transportohet në qelitë e DP Tiranë pa asnjë arësye dhe fakt përveç të qenit anëtar i hershëm dhe aktivist i PD-së.
Policia e Shtetit jo vetëm arreston pa të drejtë z. Lalaj, por dhe traumatizon familjen dhe bashkëshorten e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kush janë këta policë hashashi që me brutalitet e mediokritet profesional e human guxojnë të ndërhyjnë me urdhëra politike si në kohën e Koçi Xoxes?
Të gjithë ata që sot përdhosin ligjin dhe rrobën e shtetit, duke u keqpërdorur si polici politike,nominalisht do përgjigjen shpejt para drejtësisë.
Listat paraprake të Edi Ramës e Gramoz Ruçit për penalizimin e demokratëve me fuqinë e shtetit janë një farsë politiko-policore që do marrë përgjigje.
Kësaj përpëlitje të dëshpëruar do t’i përgjigjesha me një shprehje të anëve tona “Nuk trembet ariu me miza”.