Albspirit

Media/News/Publishing

Çiljeta Olli Simaku: Nuk do të jem kurrë e përsosur, por unë jam përgjithmonë e juaja

Të dashur fëmijë,

Ndonjëherë zgjohem në mëngjes dhe kuptoj se jeni rritur gjatë natës. Fytyra juaj është më e plotë, sytë tuaj duken më të mëdhenj dhe ju kujtohet vetë që të lani dhëmbët pa ju bezdisur unë. Një pjesë e imja është e ngazëllyer, ndërkohë që një pjesë tjetër është e mbushur me frikë sepse koha është një garë dhe unë nuk mund ta ngadalësoj atë, as për ju, fatkeqësisht! Kam frikë se nuk kam qenë gjithmonë e vëmendshme dhe ndoshta kur kam mundur të fle, nuk kam qenë e pranishme në magjinë së rritjes suaj. Pyes veten: A ju kam kënaqur mjaftueshëm? A ju kam dhënë atë që keni nevojë? A është zemra juaj e mbushur plot?

Ky rrëfim është për ju…

Unë nuk jam gjithmonë aq e mirë sa do të doja për të qenë nëna juaj. Unë dua të jem e rritur, e përgjegjshme dhe e matur dhe ndonjëherë jam, por ndonjëherë nuk mundem.

Çdo ditë bëj gabime. Ndonjëherë e marr me të lehtë një gjë, pikërisht kur duhet të jem e ndjeshme. Ndonjëherë jap mësime dhe ju kritikoj kur ajo që ju nevojitet është thjesht një përqafim. Ndonjëherë ngatërroj dhimbjen tuaj për “naze” ose zemrën tuaj të trishtuar e përkthej sikur keni bërë ndonjë gabim. Ndonjëherë e humbas veten dhe më vonë brengosem se nuk u përgjigja ndryshe, nuk u solla ndryshe…

Ky është pikërisht momenti kur unë ndjej se jam duke dështuar si prind.

Kur jam e lodhur pas një dite të gjatë dhe ju merrni pjesët e fundit të ushqimit tim ka raste që uroj të mos e bënit por më pas ndihem në faj që e mendova ashtu. Kam frikë nga gjëra të mëdha dhe gjëra të vogla. Kam frikë nga çdo padrejtësi që mund t’ju bëhet në jetë por më shumë kam frikë nëse ju kam këshilluar mjaftueshëm për të gjetur forcë e për t’u ngritur pas çdo “rrezimi”. Ne të rriturit kemi shumë pasiguri sidomos kur bëhet fjalë për ju. Ndonjëherë frika e rrëmben zemrën dhe nuk mund të mendoj për ndonjë gjë tjetër. Kam harruar të relaksohem dhe të kënaqem. Unë do të vazhdoj të luftoj në mënyrë që kur të keni pengesa, unë do mund t’ju ndihmoj të ktheheni fitimtarë. S’është kurrë faji juaj nëse unë vetë nuk dal fitimtare!

Por ja se çfarë duhet të dini.

Është e lehtë të qëndrosh me gjërat negative dhe të harrosh të gjitha pozitivet, por dua të tregoj diçka të vërtetë. Kur ju shikoj juve, unë jam shumë krenare. Kur ju shikoj juve, unë shoh të mirën. Pyes veten se si më kanë bekuar thesare të tilla. Zemrat tuaja janë kaq të pastra dhe të buta dhe unë “shkrihem” tërësisht kur jam pranë jush. Unë do të jem “gjithmonë” tifozja juaj më e madhe dhe fansja më e madhe që do të keni ndaj gjërave që do të bëni në jetë qofshin ato të mëdha apo të vogla. Më thoni kur ju lëndoj, kur ju mërzis, ndani me mua frikën dhe pasiguritë tuaja dhe të gjitha do t’i kalojmë së bashku. E di që do të bëhen gabime por nuk do ta duroja dot humbjen e besimit dhe zemrave tuaja. Zemrat tuaja janë ato që kanë më së shumti rëndësi për mua.

Kjo është ajo që unë shpresoj për ju.

Shpresoj që dobësia ime t’iu mësojë diçka. Shpresoj që kur të keni lodhje, frikë apo konfuzion, ta pranoni atë. Unë lutem që imperfeksionet tuaja të mos ju trembin, lutem që ju të mos largoheni prej tyre por të luftoni me to. Ne nuk veprojmë gjithmonë drejtë dhe kjo është shumë normale. Ne jemi të gjithë profesionistë të gabimeve dhe ju do të bëni shumë e shumë gabime, ashtu si unë, por askush nuk mund të errësojë dritën që unë shoh tek ju. Në këtë moment, kur e shikoj personin që jeni duke u bërë, gjithçka që mund të mendoj është…

Uau!!!

Në këtë mëngjes, ku duket sikur jeni rritur gjatë natës, unë dua t’ju them se ju jeni të mrekullueshëm. Ju më mahnisni çdo ditë, dhe teksa ju shoh, ju më frymëzoni. Ju më bëni të nxjerr madhështinë që është brenda meje. Në këtë familje do të bëjmë gabime, por ne do ti zgjidhim së bashku dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit.

Më duket sikur nuk do të jem kurrë e përsosur, por unë jam gjithmonë dhe përgjithmonë e juaja. Këtë mund t’jua premtoj.

Me dashuri, Mami!

Please follow and like us: