Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Po shkon Edi në Itali të na rregulloj imazhin

 

 

 

Po iki matanë detit, në Itali që të rregulloj imazhin tonë, këto janë fjalët e Edi Ramës, në pleniumin e radhës të legjislaturës aq e kaq, sot në hyrje të muajit mars, 2019. Mjerë ata shqiptarë që i besojnë se, fara luledielli kanë për të ngrënë gjithë jetën. Megjithatë pa shumë mllef, ka një absurd kolektiv sa nuk e di se çfarë emri t’i japësh. Por le të mbetemi aty tek e zakonshmja, punë shtetarësh shqiptarë. Se çfarë të presësh më shumë. Problemi më i madh anëtarësimit të Shqipërisë në europë, qenka një gomë e djegur e popullit opozitar. Madje kjo e fundit e paska bërë pikë e vrerë edhe tenorin Sajmir Pirgu, pasi i dhimbset vetja, i duhen 200 mijë koncerte të ribëj imazhin e Shqipërisë. Sajmir duke ndihmuar Edi Ramën më bën ta turn off butonin…, megjithëse e kam mbyllur prej kohësh atë rubrikën që ky iks apo ypsilon është shqiptar. Ndofta nga ai huqi i mbrapshtë me shumicë që kemi ne, kur nxitojmë t’u mburremi të huajve se, ky apo ai, jo nënë Tereza, a Ferid Murati janë shqiptarë etj. Ndofta edhe nga realiteti se nuk jetohet duke rrahur gjoksin, por duke u shqyer kokë e këmbë dhe me orë pa fund për të mbijetuar në normalitetin e së përditshmes kapitaliste. Po nuk ia vlen të merresh me ty. Por të përmenda se i ishe dhimbsur Edit, sot…, që po vrapon të na rregulloj imazhin. Janë pjesë nga palaçollëqet e tia… pasi me sa duket dështoi me lëmoshat e Erdoganit. Dhe fakt i gjallë është përfolja e fundit në zgjedhjen e kreut të komunitetit mysliman. Eshtë një nga kryeministrat që e ka larguar më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë nga perëndimi. Dhe kjo është e shpjegueshme, prejardhja e tij. Pas Enver Hoxhës, është pikërisht ky që na ka shtyrë rishtas drejt lindjes dhe stepave. Drejt otomanizmit erdoganas aq sa nuk i mbahet mend sot një vizitë zyrtare në shtetin helen, fqinjin me peshën më të madhe kundrejt emigrantëve shqiptarë aty. Po kështu me Italinë, megjithëse kjo e fundit nuk ka reshtur së ofruari asistencë për faktin e tregut të klandestinëve dhe drogës që vinte nga Shqipëria.

Mirëpo shefi ynë qe dashuruar keq me Erdoganin, aq sa postonte memo si ai fëmija i lumtur krah Erdoganit, kur ky ngiste makinën në një inaugurim ure në Bosfor. Ndofta për shkak të naivitetit të tij politik, me pak haraç, a me mashtrim, me sa duket pashai i Bosforit që qeveris me familjen dhe qëndron në pushtet me votat e ruralizmit të të ashtuquajtur fanatikë të traditës islame, nuk i ka dhënë gjë, ndaj u kthye nga Italia. Po shkon të ndreqi imazhin e një gome të djegur, megjithëse kanalet italiane transmetojnë me panik, fuqinë e kallashnikollit shqiptar, drogën, apo transportin e klandestinëve. Eshtë marrëzi kolektive të diskutosh se si një tetëdhjetëvjeçar demokrat, hipur në atë karakatinë gjoja tendë për mbrojtjen e dyerve të kryeministrisë, përbën dhunë që dëmton imazhin e shqiptarëve në sytë e italianëve. Janë në mes pamjet me amabasadat, rrëmbimi i anijeve, mbytja e katerit të radës me njëqind e ca shqiptarë në bord nga goditja që i dha kroçeri Sibila në mars të 1997-ës. Eshtë një botë e tërë për tu rrëfyer, për të pranuar, falur dhe ndjese. Por kush do ta bëj…, ti që u thua shqiptarëve se po shkoj të ndreq imazhin tuaj. Një idiotësi… imazhi i tyre është hyjnor për shkak të vitaliteti dhe gjenisë. Kudo ku janë. Nuk na janë as grekët as italianët borxhlinjë, por ne atyre. Liria është e kuptueshme jo kur sjell radikalët në vendin tënd, siç bëre ti me grevën e urisë në majin e 2010-ës, por kur një komb i tërë i hap skenat qytetarit tënd madje dhe i nderon me tituj nderi. Ne do i kishim gropusur me kohë. Por këtë nuk mund ta kuptoj një shoqëri e lodhur. Një shoqëri që jo rastësisht sot përkujton vdekjen e Josif Xhagashvilit, apo baba Stalinit. Nuk e di se çfarë i lidh shqiptarët me diktatorin gjeorgjian? Dhe është absurde të nderohet pikërisht aty, njeriu që në 33 vjet pushtet shfarosi 20 milion njerëz. Por mbi të gjitha, tragjedinë e vërtetë ia bëri familjes së tij. Dhe dy janë kulmet, kur edhe sot e kësaj dite fantazia njerëzore nuk arrin t’i kuptoj, kur i biri tentoi të vriste veten për një histori dashurie, ai u shpreh se çfarë mut burri qënka kur as veten nuk diti të shënoj. Dhe i dyti kur po ky djalë, u kap rob nga gjermanët, ai nuk pranoj ta ta fuste në listën e shkëmbimeve të robve të luftës, por shënoi aty emrin e një ushtaraku të lartë.

Kjo është qytetaria jonë, imazhin e së cilës po shkon të na i ndreqi Edi. Nuk është aspak ajo Shqipëri, që transmetoi Tg2 nga rrethinat e Shijakut. Aspak ajo e Voice of America, mbi përgjimet etj. Aspak ajo ku ngecin kaçiatorrët pasi aerodromet e ndërtuar brenda 24 orëve nga kartelet, nuk kanë cilësinë e duhur. Megjithatë përkundër vanitetit politik të tij, opozitarizmit i kujtojmë se nuk ia vlen të merreni me 4 emra listash. Ashtu sikundër nuk ja vlen të zhvendoset vëmendja në dosje si ajo e Tahirit, janë plane politike të makinerisë Rama për të zhvendosur qëllimin opozitar. Duket sikur ka ardhur koha deri tek braktisja edhe tek instucionet. E pikë së pari, ai komision zgjedhor që mandaton e çmandaton. Të tjerat vijnë vet…

Please follow and like us: