Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Një vjershë për të dashurin tim…

Tregim

 

 

-Të lutem më bëj një vjershë!

-Çfarë?

-Më bëj një vjershë për të dashurin tim! Kam dëshirë t’ia bëj unë, por nuk di. Please!

Ajo vazhdonte të më kërkonte t’ i bëja një vjershë dhe unë vazhdoja ta shihja. Pas disa minutash nuk di kush dukej më e çuditur, unë apo ajo?

Fillimisht mendova se po bënte shaka, pastaj se mbase po tallej, pasi njëherë më kishte pyetur për postimet e disa poezive në faqen time: Përse i shkruan?

Përfundimisht nga mimika, lëvizjet e trupit dhe lutjet e saj, kuptova që e kishte seriozisht. Vërtet po më bënte porosi: një vjershë.

Gjithë habia, dyshimi dhe vërtetimi i çfarë kërkonte, më bëri të qesh me shpirt.

-Po sa do më paguaje e pyeta një çast, duke e parë në sy.

Pa e kuptuar ironine time, m’u përgjigj se ‘do më jepte sa t’i kërkoja’. Tregëti shpirti, ja një marketing i ri…

Po atë çast më shkrepi ta vazhdoja ironinë time, në një shkallë tjetër, të tallesha pak.

Po mirë, nëse vërtet do një vjershë të mirë, më trego disa gjëra për të dashurin tënd!

Filloi pa mbaruar mirë fjalën: “Është i bukur, me sy të zinj, i gjatë, por pak i shëndoshë, flokët i ka të dendur dhe të pabindur, flet pa droje, megjithëse nuk e ka mbaruar shkollën akoma, më jep shumë dashuri, por mërzitet nëse nuk i thua faleminderit…në fakt duke lexuar shkrimin për injorantët, që kishe hedhur në faqen tënde, mendova të më bësh vjershën…”.

Tashmë e bëra lidhjen.

Kjo vajzë, si disa midis nesh, nuk kuptonte ndryshimin mes vargjeve të cilat thjesht kanë një rimë mes njera-tjetrës e mund t’i bëjë kushdo, me vargjet e një vjershërimi të mirëfilltë poetik. Nuk dinte ndryshimin mes një vjershe që porosiste, sikur porosiste një fustan dhe të një shfrimi të unit poetik.

E njëjta dikur më pyeste, përse shkruaj poezi, jo më saktë më pyeste pse shkruaja vjersha, hahaa…

Tashmë më e keqja kishte kaluar për të, kuptoi që mund të përcillte një mesazh, por mesazh të shkruar nga unë. Qesharake dhe e tmerrshme! Qesharake kërkesa, tmerr të mund të thërrisje brenda shpirtit të huaj, t’i fliste shpirtit që do!

Nejse, përtej moralizmave letrare dhe mundimit tim, meqë m’u lut i sajova një “vjershë”. Kënaqësia ime ishte të tallesha pak dhe më në fund kjo tregtare injorante, të lexonte diçka me dëshirë. Nuk prisja të kuptonte që, ai që shkruan, jeton dhe ndihet plot, pasi nxjerr e materializon ndjesitë, që ajo edhe nëse i ka disi, nuk do mundej. Vetëm shpresoja të ironizoja injorancën e saj, duke u shprehur për ‘injorancën’ e tij.

 

“Injoranti”

 

I ngjas Evës, stërgjyshes sime tekanjoze

Lakmoj Ferrin në vend të Parajsës

Përkëdhel gjarprin rreth qafës sime

Se nuk e vras dot!

Bëjmë dashuri?

Si me ujin në dush

Të ngrohtë, të qullur e këndshëm, të rrjedhshëm!

Se dashuria si uji të zbut e të qetëson

Ngadalë po pa ndaluar, si uji që rrjedh…

Uji më lag pa më kursyer asnjë pjesë të lëkurës.

Më hidraton e butësisht më puth

Si gishtat e të dashurit tim të ëmbël

Që nuk përton e me bujari më jep kënaqësi

E përse të mërzitemi me pyetjet

Kush jam unë e kush je ti?

Unë e ditur e ti “injorant”

Ose e kundërta vallë?

A e pyesim ujin përse na ngroh e na qetëson?

Nëse ëmbël si uji më puth, më përkëdhel e me dashuri më qetëson

Përse e ndërlikojmë gjithçka!

E jeta na ikën ndër këmbë si uji ikën e rrjedh?

Please follow and like us: