Nikos Gatsos: PAVDEKËSI
Ç’do pavdekësi që ballesh për karshi ballkonit tim,
të shikoj, me mua tallesh e në zemër ndjej shtrëngim.
Fort me ty u dashuruan mbretër, princë, edhe poetë
por ti as një degëz dhjozmo, s’u ofrove moj e shkretë.
E ashpër je, si grusht i vdekjes që të vret,
por veç se ne, pati një kohë që të kujtuam të vërtetë.
Çdo gjeneratë: – unë do ta mbaj për vete – thoshte.
Peri e ngratë, që as kurrkush nuk mundi të të joshte.
Ç’ do pavdekësi përballë, ç’ kërkon në ballkonin tim,
a s’po lyp nga jeta vallë, një kurban një akt sublim?
Erdhën Krisër* nga plot vende, të përulur pelegrinë,
në burim të bahçesë tënde, por nuk munden ujë të pinë.
E ashpër je, si grusht i vdekjes që të vret,
por veç se ne, pati një kohë që të kujtuam të vërtetë.
Çdo gjeneratë: – unë do ta mbaj për vete – thoshte.
Peri e ngratë, që as kurrkush nuk mundi të të joshte.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2017.
Krisos* – Mbreti i fundëm i Lydisë i famshëm në botën e antikitetit edhe për pasuritë e tij mitike.