“VETËVRASJA E KOMBIT”. KUSH E MBAN PËRGJEGJËSINË: UDHËHEQËSIT PARTIAKË DHE ATO QË U SHKOJNË PAS, APO NE TË TJERËT QË KËRKOJMË DIÇKA NDRYSHE?
Imzot George Frendo, në përshëndetjen e tij me rastin e Pashkëve katolike, bëri thirrje për të shmangur «vetëvrasjen e kombit» duke gjetur rrugët e uljes së tensionit politik të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo thirrje e klerikut të lartë, me siguri sëmbon zemrat e shumicës së popullit, që padyshim ve gjithnjë kombin mbi partitë. Por zor se prek partitë e pozicionuara me kokëfortësi në llogoret e tyre përballë njëri tjetrit, së bashku me pasuesit e tyre fanatikë. Fatkeqësisht, të dy partitë e mëdha PD e PS, si dhe LSI, janë parti dogmatike ku sundon urdhëri i liderit, edhe pse kanë diferenca.
Pavarësisht nga kontributet që ka patur secila prej tyre në arritje të caktuara të vendit tonë në periudhën e tranzicionit të zgjatur demokratik, progresi është tejet i pamjaftueshëm dhe bën pesimist një popull të tërë që kërkon të tjera ritme drejt zhvillimit të gjithanshëm të vendit, përmirësimin e nivelit të jetesës, rritjen e shkallës së punësimit, vendosjen e drejtësisë, uljen e nivelit të korrupsionit, ndaljen e hemorragjisë së emigracionit masiv, rritjen e shkallës së sigurisë në të gjitha aspektet- duke filluar me sigurinë personale, sigurinë ushqimore, sigurinë e mjedisit e të pronës, e deri te siguria kombëtare.
Edhe pse ka përmirësim në infrastrukturën e qendrave të qyteteve, të kopshteve dhe shkollave, të kushteve të jetesës së studentëve, në standardizimin e reformave admistrative, si dhe reforma në drejtësi ka avancuar, situata është e rënduar. Perspektiva e një ndryshimi të shpejtë duket e zymtë kur sheh ritmin galopant të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në treg që bie drejtpërdrejt mbi nivelin e të ardhurave reale dhe përkeqëson jetesën, ku pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulta e kanë të vështirë të sigurojnë edhe artikujt bazë të jetesës; kur sheh se njerëzit vazhdojnë të shpresojnë që të kërkojnë drejtësinë te emisionet investigative në TV dhe jo te shteti, për të zgjidhur një padrejtësi që i ka stresuar vite e ndoshta dekada të tëra; kur sheh se miliona euro vidhen për 3-4 minuta, në mes të ditës, në një objekt të rëndësisë së veçantë si aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar dhe bëhet luftë midis palëve nëse është prekur apo jo siguria dhe jo për rrugët se si do të forcohet ajo, etj, etj.
Ajo që të dekurajon më shumë është përpjekja e betonuar e dy palëve politike për të mbajtur qëndrime ekstremisht të kundërta. Në këto vite të tranzicionit, mazhorancat janë përpjekur të lustrojnë çdo gjë dhe ngrenë në qiell qeverisjen e tyre, ndërsa opozitat nxijnë çdo gjë që bën qeveria dhe rrahin gjoksin se do ta bënin ndryshe, pa të krijuar bindjen se çfarë do të bëjnë ndryshe në rradhë të parë nga ato gabime që i kanë bërë vetë kur ishin në qeverisje. Edhe mesazhet që na drejtohen nga ndërkombëtarët lexohen nga të dy palët në mënyra diametralisht të kundërta dhe, brenda sekondash, lëshohen deklarata pa përgjegjësi, përgjegjësia për të cilat fillon nga lideri kryesor dhe shkon tek zënkat e përgjegjshme deri në rrjetet sociale.
Natyrisht, nuk mund të presësh nga liderët dhe nga kasta e ngushtë e ushëheqjeve partiake që të veprojnë ndryshe, sepse ata janë zhytur thellë në gjynahet e tyre të korrupsionit, përmes të cilave kanë krijuar një pasuri të pallogaritshme të cilën duan ta ruajnë me çdo kusht. Të njëjtën gjë mund të thuash për ata njerëz që kanë qenë dhe mbeten vegla të tyre në krijimin e kësaj pasurie, proces nga i cili kanë përfituar edhe vetë.
Por të vjen vërtet keq kur sheh të mbajnë qëndrime të ngurtësuara pro ose kundra edhe miq të cilët i njeh për ndershmërinë dhe për zgjuarësinë e tyre dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën përballojnë vështirësitë e jetës. Në parim, disa prej këtyre të fundit kanë të drejtë morale të mbështesin një parti të caktuar, të djathtë apo të majtë, edhe për shkëk të prejardhjes së tyre sociale apo politike. Por, mendoj se pikërisht kjo pjesë e ndershme dhe e pastër e adhuruesve të partive duhet të kuptojë se nuk mund të ecim përpara pa ndryshuar mentalitetin e ndarjes së prerë të shoqërisë në të majtë e në të djathtë. Për çdo ngjarje apo zhvillim nuk ka pse të jenë të ndara si me thike qëndrimet. Gjithkush duhet të mendojë me kokën e vet, të fusë në punë logjikën duke analizuar anët pozitive dhe negative të një qëndrimi që mban apo urdhëron udhëheqja e partisë që simpatizon, të qëndrimeve që mban pala kundërshtare apo të rekomandimeve të ndërkombëtarëve.
Mjafton të ilustrojmë sa thamë më sipër me luftën që ka plasur për votimin e Parlamentit holandez mbi rikthimin e vizave të udhëtimit për qytetarët shqiptarë. Pa kaluar pak minuta, opozita deklaroi se kjo është përgjegjësia e një kryeministri të kriminalizuar, pa u futur në argumentat nëse ky qëndrim holandez ishte i drejtë dhe i bazuar apo jo, aq më tepër që pasojat do t’i vuajë i gjithë kombi. Ndërkaq, deputetë të mazhorancës deklaruan menjëherë, pa asnjë përgjegjësi, se ky vendim holandez nuk do ta pengojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE! Cektësi që vjen si nga formimi i tyre i pamjaftueshëm politik dhe akademik i një pjese të madhe të tyre, por edhe nga vetmohimi me të cilin duhet të mbrojnë vijën e partisë së tyre, pavarësisht se është e gabuar!
Sërish, edhe në këtë rast tipik, të vjen keq kur sheh se edhe njerëz të mirë, përfshirë edhe intelektualë të mirë, të renditen automatikisht me qëndrimin e liderit të secilit krah. Edhe duke mos qenë dakord me kundërshtarin, a nuk mund të thonë ata vërtet se « unë liderin tim e mbështes deri këtu, por për pjesë të caktuara të këtij qëndrimi kam një mendim tjetër » ?!
Natyrisht, edhe këtë mesazh që unë sjell, nuk pres ta kuptojnë njerëz të indoktrinuar dhe me urrjetje për palën tjetër, dhe as ata që nuk kanë formimin e nevojshëm. Por, do të prisja të reflektojnë ata që mendojnë me kokën e tyre.
Unë besoj se, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, do ta kapërcejmë edhe këtë krizë politike, por kjo nuk do të na bëjë që të kapërcejmë atë papjekuri që kemi për t’u bërë një shoqëri që i parandalon vetë kriza të tilla. Dihet se e vërteta dhe e drejta është vetëm një, por ajo duhet të arrihet përmes një procesi analize opsionesh, përmes marrjes së pjesëve të një qëndrimi sa më racional nga kushdo dhe ngado që vijnë, duke llogaritur edhe pasojat e afërta apo të largëta të një qëndrimi të caktuar.
Kushdo që do të vazhdojë të ndjekë liderët në mënyrë të verbër, me dashje apo pa dashje ndihmon që kombi ynë “të kryejë vetëvrasje”, gjë për të cilën duhet t’i rëndojë ndërgjegja, por do të rëndojë direkt edhe mbi shpatullat e familjes së tij të pastër, ndërkohë që udhëheqjet e partive kalojnë gjithnjë pa u lagur.
Tiranë, më 20 Prill 2019.