Ekonomia e Iranit nuk ka shpresë shërimi
Shahriar Kia
Ekonomia e Iranit ka disa vite që është e rrënuar. Dekadat e korrupsionit dhe keqmenaxhimit kanë garantuar që shërimi të mos mund të ndodhë me praktikat e qeverisë aktuale.
Shumë njerëz nuk kanë ngurruar të thonë se kriza aktuale ekonomike në Iran është rezultat i drejtëpërdrejtë i sanksioneve të administratës Trump, por e vërteta nuk është aspak ashtu pasi ky argument nuk i shpjegon vështirësitë me të cilat përballej ekonomia përpara se Trump të merrte detyrën.
Rënia ekonomike dhe inflacioni i lartë janë probleme që kanë pllakosur ekonominë iraniane për një kohë të gjatë. Dhe regjimi nuk ka mundur ta ndreqë atë.
Defiçiti i madh buxhetor për qeverinë ka bërë që analistët ta kuptojnë se Irani ka një problem strukturor buxheti. Qeveria ka një përqasje me defiçit zero për sa i përket buxhetit të vendit. Më pas, sapo krijohet një defiçit, çon në inflacion. Dhe cikli vazhdon – inflacion, defiçit e më pas rënie ekonomike.
Defiçiti buxhetor shkaktohet nga plaçkitja dhe shpërdorimi i pasurisë së një kombi për luftënxitje e terrorizëm dhe nga paaftësia absolute e regjimit. Udhëheqja e vendit ka qenë e korruptuar për dekada të tëra dhe ky korrupsion ka qenë i pranishëm në të gjitha nivelet. Evazioni i taksave dhe praktika të tjera korruptive vazhdojnë ende edhe sot. Një zyrtar i parlamentit në krye të komisionit ekonomik ka llogaritur se 35 deri në 40 përqind e të ardhurave të taksueshme të vendit nuk mblidhen për shkak të korrupsionit. A nuk dëshmon kjo gjë për praktikat malinje të regjimit dhe për faktin që zyrtarët shohin vetëm interesin e vet?
Politika është shumë e përfshirë në ekonomi dhe kjo gjë nuk do të ndryshojë për sa kohë që ky regjim qëndron në pushtet.
Përballë këtij fakti, dhe sigurisht përballë sjelljes luftarake të regjimit në rajon e shtypjes brutale e të dhunshme që ai i bën popullit të Iranit, administrata Trump ka vendosur me të drejtë që t’ia ndërpresë regjimit shumat e stërmëdha të parave të cilat ai i shpërdoron për qëllimet e veta. Qëllime që janë të dëmshme për popullin e Iranit dhe për shumë miliona njerëz të tjerë në rajon.
Një pjesë shumë e madhe e të ardhurave të Iranit vjen nga shitja e naftës dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tani që, duke filluar nga muaji tjetër, të gjitha vendet që zgjedhin të vazhdojnë të importojnë naftë iraniane do të sanksionohen. Kjo është një lëvizje e guximshme, por janë pikërisht masa të tilla që do ta shtyjnë regjimin drejt njërës prej dy mundësive – ose përmbysje e regjimit, ose normalitet. Kjo e fundit nuk do të vijë kurrë me këtë regjim por komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë e të vështrojë se si regjimi vazhdon të shkatërrojë gjithnjë e më shumë. Populli, i cili dëshiron ndryshim regjimi për arsye legjitime, meriton t’i vihet veshi e të mbështetet.