Mevi Rafuna: Hyjneshë në fron
Mes lotësh, dridhjes s’ë zërit dhe duarve sot bota dëgjoi rrëfimin e gruas shqiptare, që si fëmijë u tortura seksualisht nga serbët, të cilët në gjak dhe qëllim kishin ç’njerëzimin e një kombi. Sot të gjithë ishim të emocionuar kur dëgjuam rrëfimin e Vasfije Krasniqi Goodman para Kongresit Amerikan për dhunën dhe torturën nëpër të cilën kaloi shpirti i brishtë i saj. E cili shqiptar nuk ndjeu dhimbje kur e pamë që vuajtjet tona si popull ende janë të gjalla,ndërsa vrasësit enden diku nëpër botë,apo edhe kanë vdekur të lirë e të pandëshkuar. Dhe ç’është më e keqja populli serb dhe institucionet serbe pas gjithë këtyre krimeve nuk dolën asnjëherë me një iniciativë për t’u penduar dhe njerëzisht për ta hapur një etapë të re për Ballkanin.
Çdoherë nëpër këngë, rrëfime dhe tregime të lashta, personifikimi i femrës shqiptare na vjen si një heroinë, burrëneshë, zanë e mbretneshë, herë si Teutë, herë si Argjiro, herë si Rozafë. Dhe sot të gjitha këto personifikime ishin gërshetuar në personalitetin e Vasfijes. Ajo tregoi para botës rrëfimin e saj, dhimbjen, guximin, krenarinë dhe dëshirën që femra shqiptare të ecë përpara e pathyeshme, në rrugën e saj hyjnore. Poashtu ish Presidentja Atifete Jahjaga me guxim dhe maturi rrëfeu para botës masakrat dhe gjenocidin që kaloi ky popull në luftën e fundit. Paraqitja dinjitoze e këtyre zonjave para Kongresit Amerikan, na bëri krenar e kokëlartë. Me gjithë dhimbjen,vuajtjen dhe sakrificën femra shqiptare mbetet Hyjneshë në fron, e që përsëri në orën e saj po e pushton botën.