Fati dramatik i Saliko Sulo Velça, një antifashisti të shquar
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Në jetën tradicionale të Labërisë, përgjatë shekujve, kanë nxjerrë krye luftëtarë të dëgjuar popullorë, kapedanë trima të çartur, të cilët ende janë gjallë në kujtesën popullore, pasi bëmat dhe trimëritë e tyre kanë lënë gjurmë e ringjallen herë pas here në rrëfime e këngë popullore.
Autori Sulçe Çela,ashtu si në botime e monografi të tjera, dëshmon qartë edhe në faqet e këtij libri kushtuar Saliko Sulos se, veçse është këmbëngulës për të nxjerrë në dritë veçoritë dhe kontributin e këtij personazhi të njohur të Velçës e të Labërisë, nëpërmjet gjurmimeve e përshkrimeve të tij na e gdhend me mjeshtëri portretin e tij jetësor e historik,nëpërmjet një varg dëshmish, detajesh, ngjarjesh e bëmash dhe lexuesit i duket sikur udhëton nëpër kohë së bashku me Saliko Sulon.
Jeta e Saliko Sulos në monografinë e Sulçe Çelës është një përmendore trimërie,ku shpalosen traditat dhe zakonet e Velçës e të Labërisë, me të cilat u mëkua dhe u rrit Ai nëpër kohët historike të Shqipërisë. Rrënjët e fisit të tij,edhe pse i rrahën shqotat e kohës si lisin përballë furtunave, bleroi përherë nëpër hapësirat shqiptare dhe ngjarjeve të mëdha të fateve të Atdheut.
Babai i Saliko Sulos, Sulo Beqiri, na shfaqet si një nga kapedanët e Labërisë në fillim të shekullit të 20-të në kryengritjet antiturke 1911-1912 me një shpirt të rrallë luftarak,në Kuvendin e Drashovicës në muajin korrik 1911, në përkrahje të Memorandumit të Gërçes për autonominë e Shqipërisë e më pas në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në mbështetje të qeverisë së Ismail Qemalit.
Edhe pse Sulo Beqiri kreu shkollën e mesme ushtarake në Selanik dhe, më pas, për ekonomi agrare në Stamboll, shërbeu si kajmekam në Prevezë dhe Prilep,po – për shkak se ndihmonte mëmëdhetarët në përhapjen e gjuhës dhe të librit shqip – u pushua nga puna në vitin 1909.
Përherë në jetën e tij ai ishte shfaqur me një shpirt të thellë liridashës e atdhedashës.Në jetën e tij kishte njohur mjaft mëmëdhetarë të zjarrtë në Stamboll, Janinë, Manastir e Prevezë, si: Ismail Qemalin,Nexhip Dragën, Hamdi Ohrin, Orhan bej Pojanin, Ahmet Demin, Shahin Kolonjën, Namik Delvinën, me të cilët u lidh e bashkëpunoi ngushtë për pavarësinë e Atdheut.
Në këtë vatër familjare lindi Sulo Beqiri, ndaj edhe u bë krahu i djathtë i vëllait të tij, Ali Beqirit, një figurë e shquar historike në trevën e Vlorës, në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kundër pushtuesve italianë.
Ashtu si bijtë e tjerë të Labërisë,i lindur dhe i rritur në këtë familje me tradita të larta,Saliko Sulua u burrërua mes këtyre historive dhe burrave të Velçës dhe të Labërisë. Fjalëpak,trim e hokatar. Në Shkollën e Mesme Tregtare në Ujë të Ftohtë, vatër e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare për Vlorën. Ai në atë shkollë u njoh me një botë tjetër që i përkonte me ndjenjat e tij atdhetare.U njoh dhe u miqësua me Petro Markon nga Himara,Rebi Alikajn nga Kuçi,Shefqet Musarajn nga Smokthina, Sazan Xhelon nga Tërbaçi, Cane Ramën nga Shkoza dhe me mjaft antifashistë të tjerë të kohës.
Një përmasë tjetër heroike portreti i Saliko Sulos merr gjatë Luftës së Dytë Botërorë me pjesëmarrjen e tij në radhët e Brigadës së 5-të Sulmuese, Brigadës së 25-të Sulmuese si dhe në Brigadën e 3-të Sulmuese.Komandant brigade me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në dy brigada: komandant i Brigadës së 25-të dhe komandant i Brigadës së 3-të Sulmuese.Në krye të këtyre formacioneve Saliko Sulua përsëri u shqua dhe shtegtoi vetëm në fitore kundër nazifashistëve deri në tokën e bekuar të Kosovës.
Figura të tilla jetësore si Saliko Sulua na jepen nga autori Sulçe Çela në gjithë kompleksitetin e vet:miqësinë dhe shoqërinëe kohës, dritëhijet në një jetë të re,vatrën familjare,udhëheqjen e shumë detyrave në fushën civile si kuadër drejtues,gjurmët që ka lënë në jetën e Pasçlirimit, duke na shfaqur kështu edhe sfondin historik të kohës të përballshëm me ligjet e pushtetit të ri të dalë nga lufta; si dhe me dramat shpirtërore të personazhit.