Albspirit

Media/News/Publishing

Rigels Lenja: Zgjedhjet dhe sfidat që përballet sot Izraeli

Rigels Lenja është studiues, PhD-kandidat, pranë Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih të Gjermanisë


Nga Rigels Lenja

 Pak javë më parë, u mbajtën në Izrael zgjedhjet më të vështira, për të parashikuar rezultatin e tyre. Gara u fitua nga Kryeministri aktual, Benjamin Netanjahu, i cili do të hyjë tashmë në historinë e shtetit të vogël hebraik, si kryeministri më jetëgjatë në detyrë. Madje duke kaluar edhe themeluesin e shtetit, David ben-Gurion. Kundërshtari direkt dhe më i fortë që, Netanjahu ka pasur përballë në pesë palë zgjedhje, që ai ka garuar për postin e drejtuesit të qeverisë, ishte ish-shefi i Ushtrisë, Benny Gantz.

Megjithëse duhet theksuar, se në asnjë nga dy dekadat e fundit, qeveria izraelite nuk është krijuar nga vetëm një forcë e vetme politike. Pra, ka patur përherë koalicione për të bërë të mundur krijimin e qeverisë. Ky pluralizëm partiako-parlamentar ka bërë që posti i kryeministrit të jetë i kontrollueshëm, qoftë nga sistemi gjyqësor, por edhe prej kushtëzimit të koalicioneve politike.

 

Sfidat e Brendshme

 Me gjithë jetëgjatësinë si kryeministër, Netanjahu nuk i ka shpëtuar akuzave për korrupsion apo favorizime në projektet qeveritare. Që nga viti 2017, ai është thirrur të paktën dy herë për të pyetur nga organet hetimore.

Realisht problematikat më të mëdha izraelite janë jo vetëm në politikën e jashtme por, edhe ato të brendshme.

Jetesa në Izrael është relativisht shume e shtrenjtë dhe rritja ekonomike ka pasur një stanjacion. Pjesë e të njëjtit problem është dhe buxheti shume i lartë që shpenzohet për ushtrinë dhe armatimet. Pa harruar një mori problemesh sociale.

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu
Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Sfidat e Jashtme

Pika më e delikate e këtyre zgjedhjeve ishte marrëdhënia që do të ketë Izraeli me Palestinën, me vendet fqinje arabe dhe sfida që paraqet Irani. Kjo e gjitha si paradigmë e planit që pritet të prezantohet nga Uashingtoni, referuar çështjes së krijimit të dy-shteteve.

Dy arritjet më të mëdha që pati Netanjahu, në politikën e jashtme dhe që i përdori gjatë zgjedhjeve ishin, njohja nga SHBA-të e Jeruzalemit, si kryeqytet i Izraelit dhe njohja e Lartësive Golan, si pjesë sovrane. Lartësitë Golan u pushtuan nga Izraeli në luftën e njohur të “6 ditëve” në vitin 1967 dhe u aneksuan në vitin 1981. Tërheqja e Izraelit nga këto territore, ka qenë një nga kërkesat permante të Sirisë, në rast të vendosjes së marrëdhënieve me Izraelin. Çështja komplikohet, duke pasur parasysh që në këtë rajon jetojnë gati 25.000 izraelitë. Por, pa harruar edhe rëndësinë gjeostrategjike që paraqet ky rajon.

Çështja më e nxehtë, konsiston se çfarë do të ndodhi me planin për krijimin e shtetit të Palestinës. Së pari, palestinezët janë humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, pasi pothuajse i bojkotuan këto zgjedhje edhe si shkak i idesë, se për ata, të dy kandidatët ishin pothuajse të ngjashëm në platformat e tyre.

Në krahun tjetër, lidershipi palestinez është tepër i fragmentarizuar. Autoriteti Palestinës, i njohur prej OKB-së, si përfaqësuesi legjitim i palestinezëve, nën drejtimin e Presidentit Abas nuk ka legjitimitetin e kohës së Jaser Arafatit. Është i ndarë në qëndrime të ndryshme. Veç të tjerash, që nga viti 2006, ka humbur kontrollin mbi Rripin e Gazës, ku ka gjetur hapësira një organizatë fondamentaliste dhe terroriste, si HAMAS.

Sfida tjetër, që përballet Izraeli është ajo e sigurisë. Lufta civile në Sirinë fqinje, ka sjell një angazhim të Iranit. Irani ka një politikë të qartë, që shkon deri në kërkesën për zhdukjen e Izraelit si shtet. Rritja e tensioneve arriti kulmin, me sulmet reciproke me raketa mes tyre, në janar të këtij viti.

Pa diskutim, këto zgjedhje me gjithë problematikat e veta, me fituesit dhe humbësit. Fituesi më i madh dhe i padiskutueshëm është demokracia izraelite. Në gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Izraeli është i vetmi vend demokratik, ku zhvillohen zgjedhje të rregullta dhe ka një garë të drejtë elektorale. Mbi të gjitha rezultati është i pranuar nga çdo forcë pjesëmarrëse.

*Rigels Lenja, studiues, PhD-kandidat, pranë Universitetit Ludwig Maximilian, Mynih.

Please follow and like us: