Viron Kona: Qyqja hileqare
Fabul
E lëshoi vezën te një fole shqiponje,
dhe u largua vjedhurazi si përherë.
“Ja hodha shqiponjës, tha me vete,
fëmijën tim nga veza ajo ta nxjerrë”!
Shqiponja e ngrohu vezën e qyqes,
e nxori kopilin në jetë dhe e mësoi,
sesi të gjuante dhe të gjente ushqim,
sesi të mbrohej, sesi të mbijetoi.
Zogu i qyqes u rrit me krahë të fortë,
u bë guximtar si “vëllezërit” e vetë,
i fuqishëm si “nëna” shqiponjë,
sa shihte gjahun i sulej shigjetë.
Një ditë ndihej shumë i uritur,
gjahu s`i kishte vajtur mbarë,
andej – këndej duke u vërtitur,
dëgjoi ca klithma si në të qarë.
Ishte një zog i plagosur në një lis,
dukej që s`mundej të fluturonte,
kuk-ku, kuk-ku, klithte pa reshtur,
e kish zënë halli dhe po vajtonte.
E gjeta ushqimin tha “kopili” i uritur,
dhe iu sul viktimës, shpejt e copëtoi,
pastaj e gëlltiti me uri dhe i babëzitur,
i ngopu e i kënaqur te çerdhja fluturoi.
S`e mori vesh kurrë zogu “kopil”,
se qyqen, nënën e tij kish gëlltitur.
S`arriti ta mësonte nëna qyqe,
se grabitqari ish biri i braktisur!
Ndonëse hilja i del keq e më keq,
qyqja s`heq dorë nga zakoni tinëzar,
lëshon vezët herë këtu, herë atje,
kuk-ku, kuk-ku i shkon jeta duke qarë.
…………..
1). Qyqja është zog shtegtar i pyjeve, me pendë ngjyrë hiri në të zezë, me sqep të përkulur e me këmbë të shkurtra, që “klith” përvajshëm kuk-ku, kuk-ku. Nuk bën fole, por i lëshon vezët në çerdhet e zogjve të tjerë.