Dr. Stefan Pinguli: Albanologjia, thesari i njëjtësuar me kombin dhe popullin
Tre pyetje janë të natyrshme t’ia bëjmë vetes qysh në fillim: Përse Kuvend Albanologjie? Përse në Tiranë? Përse në këtë kohë? Lidhur me pyetjen e parë, përse albanologjia? Albanologjia është vetë Kombi dhe populli shqiptar. Mund të themi pa hezitim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht se Albanologjia është thesari më i çmuar i popullit tonë, është sinteza më e dukshme identitare e tij, është patenta kombëtare e trashëgimisë të së kaluarës, e vlerave më të ndritura të së sotmes dhe garancia më e madhe dhe e sigurt e për sfidat e të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë, është kontributi më i vyer i Kombit dhe popullit shqiptar në thesarin e kulturës botërore. Albanologjia ka qenë objekt studimesh prej shekujsh, nga dijetarë, studiues e shkencëtarë nga trevat shqiptare dhe të huaj. Me këtë rast shprehim vlerësimin tonë më të lartë për të gjithë ato që i kontribuuan studimeve albanologjike, pavarësisht nga koha, vendi dhe qasja e tyre shkencore. Të gjithë janë të kujtuar dhe të respektuar në këtë Kuvend Albanologjik. Të gjithëve u shprehim homazhet tona më të thella dhe mirënjohjen më të lartë. Bazuar mbi këtë trashëgimi historiko-teorike albanologjike ndër shekuj, Kuvendi Albanologjik synon që të avancojë, të zgjerojë dhe të thellojë akoma më tej studimet në këtë fushë, në dritën e burimeve të reja, të qasjeve moderne dhe të metodave më të përparuara kërkimore e shkencore. Lidhur me pyetjen e dytë, përse në Tiranë? Mund të themi pa hezitim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht që Tirana është kryeqendra e Kombit dhe e popullit shqiptar. Në kryeqendrën tonë gërshetohen më shumë se kudo gjetkë vlerat e trashëgimisë albanologjike dhe arritjet e kulturës moderne, shpalosjet identitare dhe diversiteti metropolitan, bashkëjetojnë historia dhe ardhmëria, antikiteti dhe moderniteti, kapitali human dhe zhvillimi teknik e teknologjik, njeriu shqiptar dhe qytetari europian, tiparet lokale dhe fizionomia globale. Tirana është vendi më i përshtatshëm, më i drejtë dhe më i dobishëm për zhvillimin e Kuvendit Albanologjik që po hapim sot. Lidhur me pyetjen e tretë, përse në këtë kohë? Mund të themi pa hezitim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht se momenti historik që po kalon Kombi e populli shqiptar thërrasin Albanologjinë në krye të agjendës sonë kombëtare, fqinjësore, Ballkanike, Evropiane dhe globale. Në rrafshin kombëtar dilemat e brendshme kulturore e shkencore, qytetare dhe intelektuale, qasjet diverse dhe kontraverse e rivendosin Albanologjinë sërish në tryezat e debatit tonë të brendshëm kulturor e shkencor, akademik dhe mbarëpopullor. Ky debat duhet nxitur e zhvilluar sepse i kontribuon ndriçimit të identitetit tonë kombëtar dhe lartësimit të imazhit të tij ndërkombëtar të botë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një sërë problemesh me fqinjët e tyre, një pjesë e të cilave kanë karakter të mirëfilltë kulturor e shkencor. Problemet tona me fqinjët në rrafshin kulturor e shkencor, tezat e hipotezat e trashëguara dhe bashkëkohore presin të adresohen me kapacitet dhe kualitet të lartë, me qartësi dhe seriozitet, pa komplekse superioriteti e inferioriteti, pa paragjykime dhe pa fobi. Albanologjia e studiuar dhe ndriçuar shkencërisht është arma më e fuqishme e shqiptarëve në betejat kulturore e shkencore me fqinjët në Ballkan. Luftërat në Ballkan kanë mbaruar, por betejat kulturore dhe shkencore vazhdojnë. Ato janë sfidat e së ardhmes. Agjenda madhore e shqiptarëve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian e bëjnë emergjente ndriçimin e albanologjisë si thelbi kulturor identitar i shqiptarëve. Shqiptarët aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Por, Bashkimi Evropian nuk është një tërësi republikash bananesh, por është një bashkim i ngritur mbi vlerat e përbashkëta dhe individualitetet identitare, është uniteti në diversitet, është harmonia në larmi, është bashkëjetesa në paqe dhe demokraci midis Kontinentit Evropian dhe kombeve të tij. Albanologjia është profili ynë më i spikatur dhe më origjinal me të cilin shqiptarët mund të kontribuojnë dhe njëkohësisht të konkurrojnë në familjen e përbashkët të vlerave të Bashkimit Evropian. Përballja më sfidante për shqiptarët si një Komb dhe popull i vogël është globalizmi. Globalizmi si rend botëror dhe globalizimi si tendencë e zhvillimeve të mileniumit të ri nuk i zhdukin identitetet kombëtare, por rrisin hapjen, ballafaqimin dhe konkurrueshmërinë ndërmjet tyre. Avantazhet dhe dizavantazhet e globalizimit nuk përballohen me mëndje të mbyllura, me politika autarkike, me modele nacionaliste dhe frymë populiste, me sjellje recidiviste dhe izolacioniste. Përkundrazi, avantazhet dhe dizavantazhet e globalizmit përballen me mëndje të hapura, me politika integruese, me sjellje ballafaquese dhe aftësi konkurruese vlerash. Albanologjia është patenta më e sigurt, më cilësore dhe më konkurruese e shqiptarëve në rendin globalist të mileniumit të ri. Kuvendi Albanologjik ka një agjendë të larmishme dhe të pasur, si vetë albanologjia. Me qëllim që të krijojmë një hapësirë kohore dhe mjedisore të mjaftueshme për kontributorët në këtë kuvend për të trajtuar fushat kryesore të albanologjisë dhe çështjet specifike të çdo fushe është menduar nga Komisioni Organizator që Kuvendi Albanologjik të zhvillohet dy seance plenare, një në hapje dhe një në mbyllje të tij, si dhe në disa seance të organizuara në seksione të specializuara. Ndërkohë, me qëllim që kontributet e gjithë pjesëmarrësve në këtë Kuvend Albanologjik të mbeten si vlerë e shkruar në fushën e albanologjisë, një komision botues është ngritur dhe do kujdeset që të mbledhë dhe të përgatisë me kujdesin e merituar botimin e tyre në një përmbledhje të veçantë.