Xhoi Jakaj: Lumturia…dhe vrapi ynë drejt saj!
P.S.: Në fundjavë ju bën mirë të lexuarit për lumturinë…
A e dimë ne çfarë është gëzimi dhe ky emocion a na bën të lumtur?
Po e nis këtë shkrim pasi në një nga këto ditë një gazetar më bëri këtë pyetje dhe unë ndërkohë vazhdoja e pyesja veten, por nuk kam akoma përgjigjen e plotë; atëherë fillova të shfletoj libra dhe literaturë për këtë dukuri që ndodh brenda nesh dhe shoqëron rrugëtimin tonë…
Ja cilat janë disa pyetje që gjatë jetës na mundojnë të gjithë ne, por në kohë të ndryshme…?!
A jam i/e lumtur dhe si arrihet lumturia e plotë në jetë?
A do të jem i/e lumtur kur të martohem dhe të bëhem me fëmijë?
Po kur të rris fëmijët?
A do të jem i/e lumtur kur të kem shtëpinë time?
Sepse nuk ke dëshirë të jetosh me prindërit?
A do të jem i /e lumtur kur ta kem një vend pune?
Por realisht në punë me streson gjithçka…nuk kam punën që dëshiroj të bëj?
A do të jem i/e lumtur kur…ku dhe si…?!
Dhjetra pyetje na mundojnë dhe sa më të formuar intelektualisht jeni, aq më shumë shtohen pyetjet, dilemat, kërkesat për jetën dhe kjo disi e largon distancën e lumturisë së vërtetë, por gjatë rrugës hasim në grimca të vogla lumturie të cilat lidhen me faktorë biologjikë, psikologjikë dhe jetësorë të formave e përmasave të ndryshme, por kur ato i takoni rastësisht, shtërngoji dhe jeto së bashku me to pa pyetur për kostot!
A jemi ne të prirur të shtojmë dozat e lumturisë dhe si arrihet ajo, a është shpesh domosdoshmëri ta kërkosh me çdo kusht lumturinë dhe ne a e kemi vete në dorë që rreth nesh të ndërtojmë copëzat e saj që na e bëjnë jetën më atraktive…?!
Ëndërrat dhe shpresat psh luajnë rol në faktorin e lumturisë.
A keni ëndërruar për një pushim në një vend interesant, për një veshje që ju lumturon apo u janë zgjuar papritur interesa biznesi dhe rritja e pritshmerive të vetja, edhe ky lloj ëndërrimi ju bën të lumtur…
A prisni dhe shpresoni se gjërat do të përmirësohen?
Të gjithë njerëzit ëndërrojnë, presin dhe shpresojnë dhe nganjëherë përpiqen të bëjnë realitet ëndrrat e tyre, pritjet dhe shpresat na mbajnë jetën pezull sepse besojmë që realizimi i tyre na bën të lumtur…
Unë gjithnjë thur ëndrrra e kjo gjë më bën të jem në pritje të vazhdueshme për një realizim ëndrre çfarëdo, që më rrit prodhimin e adrenalinës e që është hormon lumturie apo emocioni…
Faktori i lumturisë dikton sjelljen tonë dhe na nxit të ndërmarrim veprime. Natyrisht, jo të gjitha veprimet përfundojnë me lumturi, por ne jemi gjithnjë në kërkim të saj…
Faktori lumturi është brenda nesh, mjafton ta zgjojmë atë dhe të mos e lejojmë ndikimin e ambientit të veprojë mbi psikologjinë tonë, atëhere kur nuk jemi ngritur me humor të mirë!
Ne jemi qënie shpirtërore me trup fizik, ku pjesa shpirtërore është gjithmonë e lumtur ose jo…në varësi të asaj çfarë duam të nxjerrim në pah, por aty është faktori i lumturisë ose i mëzitjes…
Sistemi nervor qendror dhe gjendrat hormonale që janë përgjegjes për mendimet tona duhet të prodhojnë në thelb esencë lumturie, por edhe këtë elemet ne e diktojmë ndonjëherë që në skutat tona të errëta fshehim elemente djallëzore që na zbehin lumturinë dhe diellin brenda nesh…
Ne kërkojmë lumturinë jashtë, sepse shpesh besojmë se është atje, por në fakt ajo është gjithmonë brenda nesh.
Gjithnjë fillon nga brenda pavarësisht se ne e shoqërojmë lumturinë apo mërzitjet me ngjarjet, zotërimet dhe njerëzit e jashtëm, sukseset, arritjet apo dështimet tona ndodh t’i kërkojmë e t’i besojmë si faktor të jashtëm dhe po atyre shpesh ua atribuojmë…
Pa marrë parasysh se çfarë aktiviteti kërkohet të realizojmë gjatë përditshmërisë tonë, në momentin që përjeton lumturi, ndodh diçka brënda nesh dhe kjo vjen falë çlirimit të adrenalinës që është proces biologjik, psh është emocioni kur arrijmë të ngjitemi në majën e një mali të lartë, ngrënia e një ëmbëlsire të shijshme, një provim që e mbyllim me rezultate të larta ose fitimi i llotarisë; në të gjitha rastet me apo pa rëndësi të madhe ka një element të përbashkët që është gjithmonë i pranishëm, gëzimi i madh që shfaqim dhe që fare mirë mund ta konsiderojmë lumturi…
Ama gjithnjë në kulmin e lumturisë, ka një ndërprerje të procesit të të menduarit, ka heshtje të brendshme dhe shqetësimet fshihen e ne biem në paqe.
Kjo mund të zgjasë për një moment të shkurtër apo pak më të gjatë e në këtë paqe të madhe ndihemi të lumtur.
Nuk është objekti ose performanca e suksesshme që solli këtë ndjenjë. Është diçka e brendshme dhe e pavarur nga bota e jashtme, pra atë e kemi ne vete në dorë.
Lumturia është gjithmonë aty, por ajo mbulohet nga mendimet, dëshirat dhe frika, e kjo e fundit shoqërohet me çlirimin e noradrenalinës, hormoni që e bën trupin tonë të përballojë ankthin kur ai ndodh, shqetësimi apo dëshira e arritur, ka zhdukje të përkohshme të mbulesave nervore dhe receptoret ndjesorë kthehen në faktor mbrojtës.
Por a është mundur lumturia e plotë?!
Mendimtarë, psikologë, sociologë dhe fizioterapeutët e mbarë botës thonë që gjatë veprimtarisë jetësore ne takojmë copëza lumturie që përplotësojnë tablonë e jetës në të gjitha etapat e saj…e kur ato trokasin në portën e trurit apo trupit tuaj, lufto që t’i kesh sa me gjatë afër vetes…e pse jo t’i shpërndash ato në mjedisin ku punon e jeton…