Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Sasha…

Fotografia e Ilir Levonja

Nuk ka më PSD, po ka Gjinush. Mbeti studiove burri duke u ankuar se nuk i lanë një vend. Ia bën me hile të mëdhenjtë.
PSD-së i ka mbetur veç hiri. Po Sasha, komenton. Gjithnjë të tjerët. Edhe pse PSD nga një forcë e tretë dikur. Në ato fillimet e demokracisë sonë. Sot është katandisur në një vagon cargo. Mallrash. Aty në trenin e së majtës. Ose vagoni i njëzet e shtatë. Poshtë, e me sukses. Vit më vit. Sasha prapë është kryetar. Prapë kërkon një vend në kuvendin e shqiptarëve. Prapë nuk pushon, gërr, vërr. Përplaset me inat, si ai harabeli brenda kafazit. Bam, bërrdam, lart poshtë, këlthet, thyen krahët, rripet, skuqet. Flet për liri e parime. Edhe pse dera e kafazit është e hapur. Sasha nuk e shikon. I thonë marrëveshja u bë për të mirën e vendit. Fitoi vendi, Shqipëria. Sasha inatçor, hakërrohet. Ç’më duhet mua Shqipëria. Karrika ime ku është, më vodhët votat. Shpjegon sistemet zgjedhoret, formulat. Magjia e Sashës. Ka një fill me rruzka. Formulë pas formule. Një qëmtues thërrimesh. I ka mbetur një përfaqësues këtu aty. Gërrvërret. Votat e mia.
PSD-të simotra në Europë qeverisin. Hapin krahun. Zgjedhin, zgjidhen. Kurse kjo e Sashës ka mbetur si beteja e lugëve në një tavë orizi. Po Sasha ama kryetar. Dhe gykon se i takon një vend. Sasha profesori. Ndofta ajo aradha më e keqe e profesorëve, doktorëve, akademikëve. Që nuk dinë të hapin krahun. Sasha që edhe një here që e vunë si kryetar kuvendi, i bëri vendit shërbimin më të madh. I rriti vetes numrin e badigardëve. Sasha figurë. Vlerë kombëtare, duhej ruajtur.
Vaslav Havel i Çekisë rrëzoi diktaturën, erdhi, drejtoi e iku…pa asnjë badigard. Kurse Sasha vazhdon. Nuk rrëzoi asnjë diktaturë. Atë e rrëzuan të tjerët. Shqyen dyer ambasadash. Pushtuan Italinë dhe Greqinë. Kurse Sasha e gjeti gati. Profesor, madje filozof ishte dhe ky Haveli. Por iku. Kurse këta të Shqipërisë jo që nuk ikin. Por shqyhen në debate pështymash me të rinjtë. Me kalamajtë e tyre. Fara më e keqe e këtyre viteve demokraci. Baballarët më të praptë. E ka të drejtë ai Blushi, kur thotë se duhet rritur shpërblimi për lindjet. Pasi është e zorshme ta largosh Sashën. Po plaket Shqipëria, kurse Sashët jo. As ua varin thinjave fare.
Se do më pyesni pse e quan Sasha. Nuk e quaj unë. Ashtu e ka pasur emrin. Lindi në ato vite të dashurisë së madhe me sllavët. Kur hodhëm në tokë Titon. E hoqëm nga muret, nga kopertinat e librave shkollor. Dhe vendosëm baba Stalinin. Atëhere ishte në modë kur na lindnin fëmijët t’u vendosnim emrat rusë. Ndaj kemi kaq me shumicë Vladimira, Sasha, Aliosha, Dimitrovër etj. Dhe ia lëruam nënën kulturës e traditës sonë. Megjithëse kishim kohë, që mbyteshim në emrat turq. Ata tanët ta shpifnin. Dardan, Genti, Pleurant, Enkelejda, Olimpia, Etleva…për besë ta shpifnin. Kështu edhe Sasha. Por… kur u prishëm me rusët, Sasha, fësht, e bëri Skënder.
Votojeni Sashën. Dhe lërini reformat. Se me të e sojin e shushunjave si ai. Jo 27 vjet vendnumëro, po 270 të tjera i keni hak. Me firmë e me vulë.

Please follow and like us: