VAKUUMI POLITIK DHE NJË MËSIM NGA HEMISFERAT E MAGDEBURGUT
Dr. Astrit Gjunkshi
Është mjaft i njohur një eksperiment përmes të cilit provohet ekzistenca e presionit/shtypjes atmosferike. Nxënësit e ngulisin atë, që në shkollën nëntëvjeçare, përmes një eksperimenti që shkencëtari gjerman dhe kryetar i bashkisë së Magdeburgut demonstroi në publik duke bashkuar dy gjysmësfera brenda të cilave krijoi vakuum. Më pas vendosi në varg nga 16 kuaj në secilën anë të tyre, për t’i tërhequr në kahe të kundërta, por ata nuk mundën t’i ndajnë dy gjysmësferat. Atëhere shkencëtari bëri thjesht një veprim të vogël: hapi një valvolë të vendosur mbi gjysmësferat, dhe ato u ndanë menjëherë ngaqë ajri që hyri brenda mbushi vakuumin dhe barazoi presionin brenda me presionin atmosferik jashtë. Kjo ndodhi në vitin 1656 dhe njihet si eksperimenti me Hemisferat e Magdeburgut.
Lexuesi tashmë e ka kuptuar ku dua të dal. Tensioni i madh aktual politik dhe social në vendin tonë është presioni atmosferik që e ndjejmë të gjithë. Gjysmësferat janë përkatësisht interesat që kërkon të sigurojë secila palë politike, ndërsa vargu i kuajve janë forcat që ka grupuar secila palë dhe tërheq në kahun e kundërt me palën tjetër. Po shohim përditë se palët po djersijnë shumë që secila të tërheqë gjysmësferën e interesave të veta, por pa sukses. Ashtu si te gjysmësferat e Magdeburgut, sekreti qëndron te vakuumi brenda dy gjysmësferave, vakuum që vjen nga mungesa e një debati konstruktiv mes palëve.
Me qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta, ku nuk gjenden pika të përbashkëta, palët ndodhen në një situatë të tensionuar ku secila këmbëngul në kërkesat e saj, që i quan të panegociueshme. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit, vendosjen e një qeverie teknike dhe anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkohë që mazhoranca këmbëngul në të kundërtën. Duket qartë se letrat “e hapura” vetëm sa ndezin më tepër situatën dhe japin material për debate dhe përplasje më të tensionuara, jo vetëm verbalisht. Protestat sa vijnë e rriten, ndërsa qeveria po përgatit forcat policore dhe kuadrin ligjor për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve dhe ndëshkimin e atyre që do të mund t’i cënonin ato. Duket situatë pa zgjidhje që nuk të shpie gjëkundi, dhe kjo sepse palët kanë mbetur secila me një alternativë të vetme, në pozicione ekstreme.
Ashtu si te gjysmësferat e Magdeburgut, do të duhet diçka e vogël, një valvolë shkarkimi për të mbushur vakuumin politik të krijuar. Ky detaj “i vogël” e ka emrin “alternativa B”, një alternativë e dytë që mund të vijë kur secila palë të heqë dorë, PËRKOHËSISHT, nga kërkesat e saj maksimale. Ky detaj “i vogël” kërkon në fakt heqjen dorë përkohësisht nga opozita të kërkesës së saj për dorëheqjen e kryeministrit para zgjedhjeve të 30 qershorit; ndërsa nga mazhoranca kërkon të plotësojë kërkesën për qeveri teknike, menjëherë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke ndërprerë PËRKOHËSISHT mandatin e saj 4 vjeçar të qeverisjes për hir të stabilitetit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe lokale, së bashku, në pranverën e vitit të ardhshëm. E them “përkohësisht” sepse mazhoranca, nëse është e bindur se ka qeverisur mirë, do të fitonte sërish mandatin qeverisës vetëm pas disa muajsh.
Në fakt, këtë propozim e kam shtjelluar në detaje edhe në dy artikuj të mëparshëm, që janë publikuar në faqen e Alb-spirit.com. Pranimi i këtij lëshimi nga do t’i shërbente uljes së tensionit politik, zbatimit të kushtetueshmërisë për mospengimin e zgjedhjeve lokale të shpallura. Mbi të gjitha do t’i hapte rrugë demokratizimit të vërtetë të vendit dhe emancipimit të politikës sipas standardeve të vendeve demokratike, një politikë që, për interesat e vendit pranon edhe dorëheqje, pranon edhe zgjedhje të parakohëshme nën mbikqyrjen e një qeverie teknike. Kjo alternativë do të zgjidhte, brenda pak muajsh, edhe ngërçin e krijuar midis “opozitës së re” në Kuvend dhe opozitës së dorëhequr. Kjo e fundit, nëse pretendon se ka mbështetjen e shumicës popullore, le të provojë veten në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, përgatitur nga një qeveri teknike. Ndërkohë, të dy palët, le ta shfrytëzojnë gjithë periudhën deri atëhere për të bërë vetë vetingun politik brenda partive të tyre, për t’i pastruar e reformuar ato, krahas me vetingun që do të bëjnë institucionet e reformuara të drejtësisë.
Ky detaj “i vogël”, kjo alternativë që propozoj, natyrisht duhet marrë me gjakftohtësi e përgjegjësi nga të dyja palët. Po ta pranonin, kjo do të ishte valvola që do t’i ndante dy gjysmësferat dhe do t’i ulte në tavolinën e bisedimit për të diskutuar detaje të zbatimit të tij. Përndryshe, këmbëngulja vetëm në alternativën që mbron secila aktualisht, vetëm sa u harxhon fuqitë, streson popullin dhe dëmton të sotmen e të ardhmen tonë. Do të doja që palët, mbase edhe aleatët tanë që mund të ndërmjetësojnë, të ndalen në këtë propozim modest, ndoshta edhe ta modifikojnë atë më tej.
Tiranë, 26 Maj 2019.
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban MSc për sigurinë nga Cranfield University të Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, dhe është shkrimtar. Ish Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.