Arben Malaj: Mos çelja e negociatave, lajm jo pozitiv
Mos çelja e negociatave. Një lajm jo pozitiv, por trishtimi publik dhe agresiviteti politik e bënë atë më të keq. Mirëmëngjesi, sot ndoshta nuk do jetë një ditë e mirë për ne. BE mund të deklarojë mos çeljen e negociatave. Ky dështim nuk është vetëm i mazhorancës, nuk vjen nga fuqia e opozitës për të bllokuar çeljen, ai i ka rrënjët argumentuese në disa dështime të përbashkëta, sidomos të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Ky dështim i radhës nuk duhet të shërbejë për ta bërë më të egër, më të ashpër, më banale luftën ndërpartiake për përgjegjësit e këtij dështimi. Përballë këtij dështimi kombëtar, ne na duhet:
(i) Më pak dhe jo më shumë agresivitet ndërpartiake apo midis liderëve politike;
(ii) Më shumë përgjegjësi për bashkëpunim për sfidat kombëtare se sa përleshje deri edhe në kancelaritë evropiane se kush është pjesa më e keqe e politikës në vend;
(iii) Më shumë dhe jo më pak gatishmëri për diskutime, kompromise, konsensus se sa luftërat të paepur nga bunkerët individuale, politike apo partiak;
(iv) Më shumë mendje të hapura se sa populiste apo nacionaliste të shtirura;
(v) Më shumë duart të zgjatura me sinqeritet dhe përgjegjësi për konsensuseve dhe kompromise të përbashkëta për sfidat reale të jetës së përditshme të shqiptarëve, se sa grushte apo dy gishtërinjtë të ngritur lartë dhe fortë në mitingje partiakë;
(vi) Më shumë përgjegjësi për vendin se sa ambicie personale për pushtete absolute dhe të tejzgjatura;
(vii) Më shumë dashamirësi e përhershme se sa negativitet i përditshëm;
(viii) Më shumë shpresë se sa frike;
(ix) Më shumë punësim dhe me pak varfëri;
(x) Më shumë kohezion dhe solidaritet social sesa arrogancë;
(xi) Më shumë stimuj pozitive se sa gjoba dhe super gjoba;
(xii) Më shumë dhe më mirë të qeverisemi nga profesionalist të ndershëm dhe profesionalisht të përkushtuar se njerëz të paaftë dhe pashpirt;
(xiii) Më shumë njerëz me ndjesi sociale dhe solidare se lider pa ndjesi njerëzore;
(xiv) Më shumë përkushtim drejt së ardhmes sesa stërlodhja nga plagët e të shkuarës;
(xv) Më shumë një opsion zgjidhje të krizës në konceptin win-win ku përfituesit reale duhet të jenë shqiptarët nga reformat e thella strukturore juridike, politike dhe ekonomike sesa opsioni i përhershëm i politikës shqiptare ku fituesi i merr të gjitha.
Pushteti absolut, korrupton në mënyrë absolute. Shqiptarët nuk e meritojnë që të paguajnë kostot direkte dhe indirekte të dështimeve për çeljen e negociatave por edhe të mos rrezikohen sadopak nga rikthimi i vizave. Dështim i cili padrejtësisht përkeqëson pozicionin e Kosovës për të fituar të drejtën themelore të lëvizjes së lirë në BE. Ja përse vendi meriton çdo sakrificë personale për të reduktuar pasojat e mos çeljes së negociatave dhe për të eliminuar përherë riskun e kthimit të vizave që do të ishte një hap pas që do të bënte përgjegjës çdo politikanë pavarësisht nga kandari i përgjegjësive respektive.